Prodani: “Partizani, me një projekt të madh”

820
Sigal

Drejtori ekzekutiv i të kuqve: “Po ndërtojmë një ekip dinjitoz për të përballuar Kategorinë Superiore”

“Partizani ka një projekt të madh dhe po përgatit një ekip cilësor”. Kjo është deklarata e drejtorit ekzekutiv të klubit të kuq, Eduard Prodani, gjatë aktivitetit “Talentet e sezonit 2013”. Zyrtari i lartë i 15 herë kampionëve dhe 15 herë fituesve të Kupës së Shqipërisë, theksoi se “presidenca e kuqe e ka të qartë misionin dhe përgjegjësitë e saj”. “Po punojmë me një projekt të qartë. Do të ndërtojmë jo vetëm një ekip të denjë për të përballuar Kategorinë Superiore, por për të përfunduar edhe infrastrukturën sportive”, – tha Prodani, i cili i dorëzoi medaljen e vendit të tretë, lojtarit të talentuar të Shkumbinit, Gugash Maganit. Klubi është duke përfunduar ambientet stërvitore në Bërzhitë, në periferi të kryeqytetit. Projekti që kanë aksionarët e skuadrës së kuqe, Lulzim Sallaku dhe Gazmend Demi, për ta ngritur Partizanin në nivelet më të larta është shumë ambicioz, dhe bazohet në ndërtimin e një klubi bashkëkohor, ku gjithçka nis me ndërtimin e një infrastrukture moderne disa kilometra në periferi të Tiranës, pikërisht në Bërzhitë.

 OFERTAT

Partizani është në kërkim të një grup cilësor lojtarësh, me synimim për të ndërtuar një ekip kompetitiv për sezonin e ri të Kategorisë Superiore, atje ku rikthehet pas një mungese katërvjeçare. Një tjetër synim është lojtari i Kukësit, Roland Peqini, i cili më parë ka luajtur me Dinamon. Oferta i është bërë nga drejtuesit e kuq, ashtu sikundër i është bërë edhe mbrojtësit me përvojë Rrahman Hallaçi, kapitenit të Kukësit edicionin që sapo përfundoi. Kuksiani Hallaçi, i rritur te Partizani si lojtar, por dhe me një të kaluar te Vllaznia dhe Kamza, do të luajë më Kukësin në Ligën e Europës dhe pas përfundimit të angazhimit të tij do të bashkohet me Partizanin.

TAIPI

Para pak ditësh drejtuesit e klubit të kuq, përfshirë drejtorin ekzekutiv, Eduard Prodani, atë sportiv, Genc Tomori dhe trajnerin Hasan Lika, ishin në Prishtinë për të ndjekur skuadrën e kryeqytetit kosovar në ndeshnen Drita-Prishtina, e sigurisht për të bërë edhe “shoping lojtarësh”. Një tjetër objektiv i madh është dhe mesfushori i talentuar Gjelbërim Taipi, kosovari i Kombëtares U-21, i cili luan në Maqedoni me Shkëndinë e Tetovës. Tratativat kanë filluar dhe janë në rrugën e duhur.

BAKAJ

Futbollisti i Çernemoretsit në Ukrainë, Elis Bakaj, tha se ai nuk mund ta harrojë kurrë skuadrën ku u rrit si futbollist, Partizanin. Mesfushori i Kombëtares u shpreh: “Kur të kthehem (në Shqipëri) do të vij tek Partizani. Ëndrra ime është të fitoj një titull kampion me fanellën e kuqe”. Bakaj ishte një nga zbulimet e Akademisë së Moshave të Partizanit dhe debutoi me 15 herë kampionët në moshën 17-vjeçare. Me të kuqtë ai fitoi Kupën e Shqiëprisë në vitin 2004, përpara se të transferohej te Dinamo në shumën e 100 mijë eurove (transferimi më i shtrenjtë në vendin tonë midis dy klubeve shqiptare). Pas kalimit te Dinamo e Bukureshtit, prej dy sezonesh Bakaj luan në Ukrainë.

  DY PARTIZANËT

Partizani ka dy ekipe futbolli, atë që do të përfaqësojë në Kategorinë Superiore, por dhe Partizanin “B”, i cili doli kampion i Kategorisë së Tretë dhe vitin e ardhshëm në Dytin. Prodani e përshëndeti suksesin e ekipi të dytë, një model shumë i përhapur në kampionatet e mëdha si në Spanjë, Gjermani, Francë, Itali, etj. Partizani B, skuadra e dytë e klubit të kuq, u shpall kampion i Kategorisë së Tretë, pasi mundi në finale Orikumin, kryesuesi e grupit B. Të dyja ekipet do të luajnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Dytë.

  Gjici: “Kukësi synon kampionatin”

 Kukësi i këtij sezoni nuk ishte thjesht një fishekzjarr në qiellin e futbollit shqiptar sepse skuadra veriore nuk kërkon thjesht konfirmimin, por objektivin historik të fitores së kampionatit. Presidenti i nënkampionëve të Shqipërisë, Safet Gjici nuk do t’i ndalë investimet as sezonin e ardhshëm, duke premtuar surpriza për tifozët kuksianë. Kreu i shoqërisë veriore lë të hapur mundësinë e afrimit të talenteve të reja, disa prej të cilëve spikatën në ceremoninë e çmimit “Talenti i Vitit” ku e cilësoi edhe fituesin Gledi Mici si një element interesant të merkatos. Por nëse presidenti ka objektiva madhorë për ekipin nënkampion, mesfushori Igli Allmuça kërkon që skuadra të përqëndrohet fillimisht në Europa League, ku shpreson që Kukësi të peshkojë një kundërshtar të lehtë. Kukësi e mbylli sezonin 2012-2013 në vendin e dytë të klasifikimit me 52 pikë, 6 më pak se Skënderbeu kampion. Mesfushori i Flamurtarit u shpall si lojtari më i talentuar i edicionit 2012-2013

 Mesfushori i Flamurtarit fitoi çmmin prestigjioz, si lojtari i ri më i talentuar i Superligës

 Gledi Mici, “Talenti i sezonit”

 Mesfushori i Flamurtarit, Gledi Mici, u shpall si lojtari më i talentuar i edicionit 2012-2013, në edicionin e pestë të anketës “Talenti i sezonit”, të organizuar nga Shoqata Sportive “Sporti na bashkon”, me drejtues Leka Kostën (president) dhe Gëzim Nushin (sekretar), autorë të aktivitetit simpatik, unik në llojin e tij në Shqipëri. Presidenti i shoqatës, Leka Kosta, theksoi se, me këtë trofe të veçantë, shoqata “Sporti na bashkon”, “dëshiron të kontribuojë dhe të nxisë sa më shumë talentet”, ndërkohë që sekretari Gëzim Nushi, veçoi faktin se “ky çmim është një motiv më shumë për të rinjtë për të dhënë maksimumin e tyre”. I organizuar në formën e një “shou’ në sallën e Teatrit të Komedisë në kryeqytet, e ku merrnin pjesë disa nga emrat më të njohur të sportit tonë, përfshirë ish-trajnerin e Kombëtares, Bejkush Birçe; ish-legjendar e Dinamos, Iljaz Çeço dhe Vasillaq Zëri, por dhe ikonën e basketbollit shqiptar, Agim Fagun, dhe në praninë e shumë mediave televizive dhe të shtypit të shkruar, aktiviteti u moderua nga gazetari i njohur sportiv i Televizionit Shqiptar, Dëfrim Met’hasani, nën drejtimin e të cilët, në bashkëpunim edhe gazetarët Alban Hasani dhe Fatmir Efica, ishin përgatitur video profile të shoqërua me statistika për të gjithë protagonistët.

Mesfushori i Flamurtarit, Gledi Mici (22 vjeç, 23 ndeshje këtë sezon) fitoi çmimin e parë, në bazë të vlerësimeve të specialistëve dhe gazetarëve, duke u bërë kështu lojtari i gjashtë që e fiton këtë çmim pas Emiljano Vilën (2008-2009), Bekim Balajn (2009-2010 dhe 2011-2012), Armando Vajushin dhe Odise Roshin (të dy në 2009-2010). Është interesant fakti që, katër lojtarët e mëparshëm fitues tashmë janë pjesë e ekipit Kombëtar, çka dëshmon edhe seriozitetin e çmimeve dhe objektivitetin shoqatës “Sporti na bashkon”. Sulmuesi Mario Morina i Tiranës dhe mesfushori Indriz Batha i Besës merituan çmimin e dytë, ndërsa Alfred Zefi i Laçit, Ardit Peposhi i Tiranës dhe Endri Magani i Shkumbinit, u vlerësuan çmimet e treta. Për futbollistin e njohur Igli Allmuça, i cili në karrierën e tij të gjatë ka luajtur me Partizani (fitues Kupe), Tiranën (kampion), Dinamon (kampion), Skënderbeun (kampion) dhe tani në radhët e Kukësit, skuadrës surprizë të Kategorisë Superiore (siguroi një vend në Ligën e Europës në debutimin e saj në Superligë), u dorëzua çmimi “Fair-play”. Çmimi i “Meritës, iu dha presidentit të Kukësit, zotit Safet Gjici, si njeriu i vitit në futboll. Gjici investoi në shuma të konsiderueshme, për ndërtimin e një skuadre kompetitive por, dhe një stadium model në vendin tonë, ndërsa skuadra ia shpërbleu me daljen nënkampion dhe paraqitjen për herë të parë në Europë. Kukësi është skuadra e 15-të shqiptare që do të luajë në një kompeticion europian.

Një vend në skenë ishte edhe për skuadrën fituese të U-19, “Shkëndija e Tiranës” me trajner Shpend Kumbarçe dhe drejtues se Shkollës së Mjeshtërisë, Sulejman Mema. “Jam shumë i lumtur, kur shoh këta djem janë më të mirë se unë dje, ndërkohë që besoj se ata që do të vinë do të jenë më të mirë se këta sot”, – tha Mema, ish-trajneri i Tiranës (2 tituj kampion) dhe i Partizanit (Kupë). Figurat qe lauruan fituesit ishin: Bejkush Birçe, Eduart Prodani, Jetmir Halilaj, Vasillaq Zëri, Fatmir Mneri, Gëzim Nushi, Iljaz Çeço dhe Agim Fagu.

ÇMIMET E SEZONIT

VENDI I PARË

Gledi Mici (Flamurtari)

VENDI I DYTË

Mario Morina    (Tirana)

Indriz Batha    (Besa)

VENDI I TRETË

Ardit Peposhi   (Tirana)

Endri Magani    (Flamurtari)

Alfred Zefi     (Laçi)

ÇMIMI “FAIR-PLAY”

Igli Allmuça    (Kukësi)

ÇMIMI I MERITËS

Safet Gjici     (Presidenti i Kukësit)

FITUESIT NË VITE

SEZONI 2008-2009

Emiljano Vila (Teuta)

SEZONI 2009-2010

Bekim Bala (Vllaznia)

SEZONI 2009-2010

Armando Vajushi (Vllaznia)

Odise Roshi (Flamurtari)

SEZONI 2011-2012

Bekim Bala (Tirana)

SEZONI 2012-2013

Gledi Mici (Flamurtari)