Presidenti Tavo dhe trajneri Lika: Nuk vazhdohet me këta gjyqtarë bastardë!

534
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Dje u luajt ndeshja e parë e javës së 10-të, durrsakët marrin tri pikë në Gjirokastër, ka akuza për arbitrin Ziri
Menjëherë pas ndeshjes së djeshme Luftëtari-Teuta 2-3, duke parë e dëgjuar reagimet e gjirokastritëve, të cilët kontestuan fuqishëm gjykimin e arbitrit Pëllumb Ziri, gazeta “Telegraf” bisedoi me Presidentin Grigor Tavo e trajneri Hasan Lika. Të dy këta protagonistë të Luftëtarit, kishin pretendime për gjykimin, ndërkohë që Presidenti Tavo shkoi më tej, duke paralajmëruar se do ta tërheqë skuadrën nga gara. “Kështu nuk vazhdohet, do ta tërheq skuadrën nga gara, ndaj nesh po merren vendime të padrejta për të na rrëzuar nga kategoria. Nuk dua ta komentoj ndeshjen, sepse atë e panë gjirokastritë dhe të gjithë shqiptarët. Çfarë ndodhi? Të them se ishte një estradë, është pak dhe kjo nuk është e para herë që ndodh kundër Luftëtarit”, theksoi fillimisht Presidenti i Luftëtarit, i cili më pas shkon deri në etiketimin e arbitrave. “Mua dje (të martën) më tha një miku im në Tiranë, se ju do humbisni nesër (dje). Unë nuk doja ta besoja, por ja që ndodhi, dhe për këtë situatë ne do të mblidhemi për të marrë vendimet tona. Nëse kanë marrë vendimin të na hedhin nga kategoria, e bëjmë ne përpara se ta bëjnë ata. Arbitrat e tillë janë të degjeneruar, këta gjyqtarë janë bastardë. Unë i bëj thirrje edhe një herë Presidentit të FSHF-së që të reagojë, se është dhe njeri i mendshëm”, kështu theksoi dje pas ndeshjes Presidenti i Luftëtarit, ndërkohë që edhe trajneri Hasan Lika, konfirmoi për gazetën “Telegraf” deklarimin e tij pas kësaj ndeshjeje të humbur me Teutën brenda në Gjirokastër. “Mua si trajner nuk më takon të bëj komente për gjyqtarin, por kushdo që e ka parë ndeshjen, e kupton se ata sot (dje) kanë luajtur me ndjenjën e një skuadre, me ndjenjën e një qyteti. Gjyqtari nuk e ndaloi lojën tek goli i Teutës, dhe vazhdoi avantazhin, ndërsa për penalltinë, nuk e di çfarë të them. Nëse ajo mund të quhet penallti, nuk e di”, theksoi fillimisht Lika, i cili shtoi se, skuadra e tij zhvilloi një lojë shumë të mirë, por ishin vendimet e arbitrit ato që vendosin rezultatin e ndeshjes 2-3 në favor të Teutës. “Kur një gjyqatr në ndeshje nuk arrin dot të ndihmojë skuadrën tjetër, natyrisht që do ti nervozojë lojtarët. Ne e kërkuam golin, e mbajtëm në presion kundërshtarin dhe me pak fat, edhe mund të kishim barazuar. Goli i dytë yni erdhi me vonesë, pasi më parë e goditëm dy herë shtyllën e portës së Teutës. Nga ana tjetër, morëm edhe dy gola që nuk kanë shumë koment, sepse gjyqtari ka si mision e detyrë që të ndihmojë lojën duke zbatuar rregulloren, dhe jo të shpikë rregulloren nga xhepi i tij”. 
Drejtuesit e skuadrës së Luftëtarit, kanë pretendime jo vetëm për gjykimin në tërësi, që sipas tyre ishte në favorin e Teutës, por ata i referohen vetëm penalltisë së dhënë në favor të skuadrës durrsake, të cilën e quajnë si të padrejtë. Gjithsesi, kjo ishte një humbje që “dhemb” shumë për vazhdimësinë e Luftëtarit
10 ndeshje
Kaq ka luajtur skuadra e Luftëtarit, duke arritur të grumbullojë vetëm 8 pikë, me 2 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje, 7:14 golavarazhi
11 pikë
Me fitoren e djeshme në Gjirokastër, skuadra e Teutës arriti në kuotën e 11 pikë, ndërkohë që në renditje mban vendin e 7-të
Sigal