Presidenti Ilir Meta: Demollari, solisti magjepsës i lojës të bukur në fushë

522
Nga Agron KAJA
CEREMONIA/ Dje në Presidencë është nderuar legjenda dinamovite, Sulejman Demollari, mori titullin “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të talentit, profesionalizmit dhe rezultateve të larta 
PRESIDENTI I REPUBLIKËS, ILIR META
“Titullin ‘Mjeshtër i madh’, Demollari e ka marrë në fushë, ia kanë “dhënë” tifozët shqiptarë prej vitesh. Demollari, model i shkëlqyer i sportistit shembullor dhe i “Fair play”. Lojtar model i Dinamos, më i spikaturi i këtij ekipi. Figura e Demollarit është nxitje për brezat e rinj për t’u marrë me sport e për të qenë të suksesshëm në jetë”
MOTIVACIONI
“Në vlerësim të talentit, profesionalizmit dhe rezultateve të larta, si futbollist me një karrierë shumë të suksesshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlerat e një sportisti model, shembull frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj”
“Demollari, solisti magjepsës i lojës së bukur, njëri nga sportistët më të talentuar dhe të suksesshëm të kombit tonë. Demollari përfaqësues i denjë dhe me autoritet në futbollit edhe në arenën ndërkombëtare. Të gjithë sportdashësit shqiptarë e kanë të gdhendur në kujtesën e tyre lojën e tij virtuoze me “Dinamon” e me Kombëtaren”, kështu u shpreh dje në fillimin e deklarimit të tij Presidenti Ilir Meta, gjatë ceremonisë që u zhvillua dje në Presidencë, ku Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka vlerësuar ish-futbollistin e Dinamos dhe të Kombëtares, Sulejman Demollarin, me titullin “Mjeshtër i Madh”. Një vlerësim i tillë, është nder edhe për futbollin shqiptar, jo vetëm se këtë e tha vetë “Legjenda” gjatë ceremonisë së dekorimit, por se vetë karriera e tij flet për madhështinë që ai tregoi në fushën e lojës, me Dinamo e Kombëtaren, më pas në futbollin elitar në Rumani, Greqi dhe Hungari, e në mbyllje me Semi-amatorë në Peskara, Itali. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Ilir Meta, jo vetëm që foli zyrtarisht për madhështinë e karrierës së Demollarit, por më shumë, tregoi se është një njohës i mirë i talenteve të mëdhenj në futbollin tonë, edhe për faktin se disa vite ka qenë komentator futbolli në Radio Tirana. “Në futboll, kur thua Demollari i ke thënë të gjitha. Demollari pati jo vetëm talentin e lindur, por edhe përkushtimin e pasionin për ta ushqyer këtë talent me një punë të jashtëzakonshme. Ai arriti të merrte nga idhujt e tij elementet më të mira, që nga Zëri, fanellën e të cilit mori me Dinamon, duke vazhduar me Ballgjinin, Përnaskën e me gjithë të tjerët duke shkëlqyer gjithmonë në fushë dhe duke qenë një lojtar jashtëzakonisht i madh. Në vlerësim të talentit, profesionalizmit dhe rezultateve të larta, si futbollist me një karrierë shumë të suksesshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlerat e një sportisti model, shembull frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj, vlerësova sot me titullin “Mjeshtër i madh”, Sulejman Demollarin”, kështu deklaroi fillimisht Presidenti Ilir Meta, i cili më pas bëri edhe një panoramë të shkurtër të karrierës së tij. “Demollari shkëlqeu me talentin e tij kudo, brenda dhe jashtë vendit. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm për të përfaqësuar fanellën e ekipit kombëtar, që nga Kombëtarja e të rinjve, Kombëtarja Shpresa që u kualifikua në 8 ekipet më të mira të Evropës dhe titullar i padiskutueshëm i Kombëtares deri në ndeshjen e fundit. Edhe pse mundi të luante jashtë vendit, vetëm në vitet e fundit të karrierës, ai shkëlqeu me Dinamon e Bukureshtit, duke bërë një histori të pashlyeshme edhe sot për rumunët, duke shënuar dhjetëra gola e duke u shpallur kampion e lojtari më i mirë i huaj në Rumani. Me talentin dhe shkëlqimin e tij, Demollari i shërbeu promovimit të imazhit të Shqipërisë në botë. Ndërkohë që ne flasim për çeljen e negociatave, në futboll Shqipëria pati mundësinë për herë të parë që të hynte në Evropë, sepse shkoi në finalet e Kampionatit Evropian dhe jo vetëm kaq, por edhe fitoi me Rumaninë. Në themelet e këtij suksesi të kombëtares ka qenë edhe kontributi dhe aspirata e Demollarit dhe gjithë atyre lojtarëve të këtij niveli, të cilët kanë kontribuar për dekada të tëra që futbolli shqiptar të hyjë në Evropë dhe të jetë një shembull se si Shqipëria duhet të hyjë në Evropë në çdo fushë dhe çdo aspekt”, kështu u shpreh Presidenti Ilir Meta në këtë ceremoni.
Karriera sportive e Demollarit ka qenë e jashtëzakonshme. Ai mbetet një përfaqësues i denjë dhe autoritet me peshë i futbollit shqiptar. Titullin ‘Mjeshtër i madh’ Demollari e ka marrë në fushën e lojës, atë ia kanë “dhënë” tifozët shqiptarë prej vitesh, si një model i shkëlqyer i sportistit shembullor dhe i Fair-play
“MJESHTRI I MADH”, DEMOLLARI
“Kjo është një ditë e veçantë për mua e jetën sportive, dhe për këtë vlerësim, e falënderoj përzemërsisht e me mirënjohje Presidentin Ilir Meta, i cili përherë ka vlerësuar sportistët dhe kontributet e tyre ndër vite. Ky titull që sot (dje) Presidenti Ilir Meta ma akordoi mua, mendoj se i përket futbollit shqiptar dhe tifozëve kuqezi”
20 vite
Që nga viti 1981 kur debutoi me Dinamon e Tiranës në moshën 17 vjeçare, Demollari e mbylli karrierën në vitin 2001
50 ndeshje
Në periudhën 1983-1996, Sulejman Demollari ka luajtur 50 ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, ka shënuar 3gola
Skeda/ Sulejman Demollari
Datëlindja: 15 maj 1964/ Vendlindja: Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Futboll/ Roli në fushën e lojës: Mesfushor
Skuadrat: Dinamo Tirana 1981-1991, luajtur 124 ndeshje, shënuar 40 gola, Dinamo Bukuresht 1991-1994, luajtur 100 ndeshje, shënuar 39 gola, Panionios Greqi 1994-1995, luajtur 14 ndeshje, shënuar 1gol, Gyori Rabaeta Hungari 1995-1996, luajtur 25 ndeshje, shënuar 6 gola, 1996-2001 Semi-amatorë në Peskara, Itali.
Tituj e trofe të fituara me Dinamon: Kampion 1985-1986, 1989-1990; Kupën e Shqipërisë 1981-1982, 1988-1989, 1989-1990; Superkupën 1990; Me Dinamon e Bukureshtit 1 titull Kampion në Rumani
Kryegolashënues: Me Dinamon Tiranë 1989-1990, me 15 gola; me Dinamon në Rumani me 18 gola
Me kombëtaren: Në periudhën 1983-1996, luajtur 50 ndeshje, shënuar 3gola
Si trajner: Me kombëtaren 2001-2003, me Dinamon 2004-2005, me Lushnjën 2006, me Shkumbinin 2007, me Skraparin 2008 dhe me Kombëtaren U 15, 2009 e në vazhdim , specialist në FSHF 
Tituj personalë: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Sportist i Nderit në Tiranë, Qytetar Nderi në Korçë, Mirënjohja e qytetit të Shëngjinit , Fitues në 10 Sportistët shqiptarë më të mirë të shekullit, Mjeshtër i Madh
Ambasadori i Rumanisë, Mirçea Perpelea: Sportistët janë ambasadorë më të mirë se sa ne
Gjatë ceremonisë të dhënies së Titullit “Mjeshtër i Madh” për Sulejman Demollarin, ka folur edhe Ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Mirçea Perpelea, i cili e ka portretizuar “Legjendën” shqiptare edhe nëpërmjet kujtimeve të tij kur Demollari luajti në Rumani me Dinamon e Bukureshtit. “Jam pothuajse aq i emocionuar sa edhe zoti Demollari, sepse është një moment jashtëzakonisht shumë i bukur të cilin po e përjetoj edhe unë tani kur flitet për gjëra dhe fakte shumë të bukura, miqësi dhe njerëz të jashtëzakonshëm. Për miqësinë mes Shqipërisë dhe Rumanisë, zoti Demollari ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, për emrin e mirë dhe shumë të respektuar të Shqipërisë. Kam qenë në disa ndeshje ku ka luajtur zoti Demollari. Më ka bërë shumë përshtypje që emri i tij edhe sot e kësaj dite gëzon një jehonë pozitive në Rumani dhe të gjithë e kujtojnë me respekt, këtë ambasador të vërtetë të Shqipërisë në Rumani”, kështu theksoi fillimisht Ambasadori Perpelea, i cili më pas, deklaroi se do të përpiqet të bëjë gjithçka që mundet për t’i afruar edhe më shumë të dyja vendet. “Nganjëherë sportistët janë ambasadorë më të mirë se sa ne, dhe zoti Demollari këtë gjë e ka bërë me sukses, me dinjitet dhe me respekt të madh për shtetin e tij të origjinës. E falënderoj zotin Demollari për atë që ka bërë në drejtim të forcimit të miqësisë mes Shqipërisë dhe Rumanisë. Spektatorët dhe tifozët rumunë e kujtojnë me respekt dhe për mua personalisht është një model, i cili u jepet sportistëve të tjerë në vijim. Dua të falënderoj edhe Zotin President, sepse me një mençuri të madhe e kupton në mënyrë tepër të qartë dhe fort mirë imazhin që transmeton një sportist! Dhe unë nga ana ime do të përpiqem të bëj gjithçka që mundem për t’i afruar edhe më shumë të dyja vendet me dëshirën që në një kohë sa më të afërt Shqipëria të jetë pjesë e ekipit të vendeve të Bashkimit Evropian”, kështu u shpreh dje Ambasadori i Rumanisë në këtë ceremoni, që mbi të gjitha tregoi se rasti i Demollarit, është një tregues i shkëlqyer se si një sportist mund të nderojë vendin e tij.
Armand Duka: Titulli për Demollarin i merituar, respekt edhe për FSHF-në
Në ceremoninë e dhënies së titullit “Mjeshtër i Madh” Sulejman Demollarit, në Presidencë ishte I pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i cili e vlerësoi maksimalisht këtë titull. “Me emrin e Sulejman Demollarit, historia e futbollit shqiptar jo vetëm që është pasuruar, por ajo aty ka nisur një progres që brezat sot e kujtojnë me nostalgji. Federata Shqiptare e Futbollit është krenare dhe ndjehet e vlerësuar sot (dje), pasi ky titull për Demollarin, mbetet i tillë edhe për institucionin tonë. Falenderimet tona janë pak për kontributin e Sulës, por edhe për Presidentin e Republikës, Zotin Ilir Meta, icili ka ditur të vlerësojë e respektojë figura të mëdha në futbollin shqiptar”, kështu theksoi dje Presidenti i FSHF-së, pas dekorimit të Sulejman Demollarit.
Sportistë të tillë, figura të tilla, e rrisin shumë dashurinë për sportin në publik dhe respekti e nderimi i tyre, i këtyre modeleve si Sulejman Demollari është një motivim, është një nxitje për fëmijët, për të rinjtë, për t’u marrë me sport dhe për të qenë të suksesshëm. Por njëkohësisht me shembullin e tyre ata edukojnë dhe vetë publikun, duke imponuar një standard tjetër të sjelljes dhe të reagimit të publikut ndaj sporteve dhe ndaj talenteve. 
Kjo është arsyeja që edhe pse atëherë situata ka qenë mjaft antagoniste sidomos mes ekipeve të ndryshme, pasi kampionati ka qenë jashtëzakonisht i fortë, për Demollarin të gjithë tifozët, edhe ato të ekipeve kundërshtare, gjithmonë kanë pasur respekt dhe gjithmonë e kanë duartrokitur sepse talenti i tij ka qenë kaq i jashtëzakonshëm dhe superior, por edhe sjellje e modestia e tij kanë qenë vërtet për t’u admiruar. 
Sigal