Sigal

Presidenti i Venezuelas, Nicolas Maduro, e ka kritikuar yllin portugez të Juventusit, Cristiano Ronaldon, duke thënë se ai u largua nga Spanja vetëm për t’iu shmangur padive të radhës për evazion fiskal.

Ronaldo u largua nga Real Madridi këtë afat kalimtar dhe iu bashkua skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro. Ai me “Los Blancos” e kishte fituar tri herë radhazi titullin e Ligës së Kampionëve. Për 438 ndeshje me madrilenët, ai i shënoi 450 gola, përcjell Gazeta Express.

Maduro kishte qenë duke folur në një konferencë për media dhe duke tentuar ta sqarojë problemin e madh të Venezuelas sa i përket evazionit fiskal, ai e përdori Ronaldon si shembull, duke thënë se ai u largua për t’iu shmangur problemeve të radhës.

“Evazioni fiskal është nga krimet më seriozë në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, për këtë arsye aty janë të vendosura disa dënime, përfshirë këtu edhe burgun”, është shprehur presidenti Maduro.

“Shikojeni rastin e Cristiano Ronaldos, i cili u largua nga Spanja sepse ai po ndiqej për evazion fiskal. Ai kishte paguar një shumë më të vogël sesa ajo që ishte kërkuar nga qeveria spanjolle, dhe për këtë arsye ai rrezikonte të burgosej”.