Presidenti i Notit shqiptar mban premtimin, Italia trajnon shqiptarët

656
Nga Agron KAJA.

AGIM ÇIRAKU
(President i FSHN-së)
Ja se si është shprehur Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku, në kursin e organizuar në Tiranë, me trajnerë e notarë shqiptarë. “Jo vetëm se ky kurs tashmë përfundoi dhe duhen thënë fjalë të mira, por duke qenë në çdo kohë pjesë e tij, unë si President i Federatës Shqiptare të Notit, e quaj kursin me Valter Bolonjanin, një eksperiencë shumë cilësore për vazhdimësinë e punës sonë. Kur mbyllen të tilla përvoja trajnimi, si me trajnerin Bolonjani, hapat drejt licencimit i përshpejtojmë edhe më shumë”.

VALTER BOLONJANI
(Trajner Kombëtar, Itali)
Për trajnerin e Kombëtares italiane të Notit, kursi në Tiranë gjatë muajit maj 2017, ishte një sinjal i mirë institucional midis federatave respektive. “Unë mund të them se kushtet ishin normale, të cilat e afrojnë me notin. Këtu në Tiranë, gjeta një gjeneratë trajnerësh, të të gjitha moshave, të cilët kishin për gati dhjetë vite që punojnë me skuadra të ndryshme. Informacionet që ata morën në këtë kurs, do t’i kthejnë lehtësisht në funksion të punës së tyre, dhe ky është një sinjal i mirë institucional midis dy federatave tona”.
Rreth pesë muaj më parë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, në intervistën për gazetën “Telegraf”, midis të tjerave deklaronte, se ritmika e kualifikimit në notin shqiptar do ta mbajë në “tension” këtë sport, dhe një tjetër eksperiencë do të startojë gjatë muajit tetor 2017. “Po, në muajin tetor ne do të çojmë në Itali një grup notarësh të elitës, të cilët do të stërviten në pishinat e komplekset e FIN-as (Federata Italiane e Notit). Duke i bashkuar vlerat e tyre, ne mendojmë që rrugën drejt cilësisë ta kemi të orientuar edhe drejt progresit të saj”, kështu theksoi në atë intervistë Agim Çiraku, Presidenti i FSHN-së, dhe kjo është bërë realitet. Sipas informacionit të dhënë nga Sekretarja e Federatës Shqiptare të Notit, Suela Haxhia, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Federatës Shqiptare të Notit me homologen italiane, të nënshkruar në muajin janar të vitit 2016 nga dy presidentët respektivë: Agim Çiraku dhe Paolo Barelli, ky është viti i dytë, ku përveç pikave të tjera të marrëveshjes, organizohet kamp trajnimi në qendrën sportive olimpike më të specializuar në Evrope, në Ostia të Italisë. “Në vitin 2016 u zhvillua në muajin qershor një trajnim stërvitor, ku për një periudhë 10 ditore u stërvitën 20 sportistë dhe 4 trajnerë nga trajneri i kombëtares italiane Valter Bolonjani. Edhe gjatë këtij viti, trajneri dhe lektori i mirënjohur Bolonjani, pas trajnimit dy-javor që zhvilloi në Tiranë në muajin maj për 25 trajnerë, do të stërvitë intensivisht 15 sportistë dhe 4 trajnerë, nga data e djeshme 22 tetor dhe deri më 29 tetor 2017, pikërisht në qendrën sportive olimpike më të specializuar, në Ostia. Kjo është një fjalë e mbajtur edhe nga Presidenti i Federatës sonë Agim Çiraku, dhe këtu gjatë seancave trajnuese, “qëllimi është paraqitja e metodave bashkëkohore stërvitore”. Ndërkohë, trajnime të tilla, si për sportistë dhe për trajnerë, do të zhvillohen në vazhdimësi edhe gjatë vitit 2018, por duke u shtrirë edhe në forma të tjera, për realizimin e të cilave dy federatat respektive janë në bisedime. Sipas Haxhisë: “Qëllimi është gjetja e mënyrave më efikase, që trajnerët dhe sportistët të mos mbeten në kuadrin e trajnimeve një apo dy 2 javore në vit, por të jenë të kontrolluar dhe të monitoruar gjatë gjithë vitit kalendarik”, deklaroi sekretarja e Federatës së Notit Shqiptar.
Gjatë këtij viti, trajneri dhe lektori i mirënjohur Bolonjani, pas trajnimit dy-javor që zhvilloi në Tiranë në muajin maj për 25 trajnerë, do të stërvitë intensivisht 15 sportistë dhe 4 trajnerë, nga data e djeshme, 22 tetor dhe deri më 29 tetor 2017, pikërisht në qendrën sportive olimpike më të specializuar, në Ostia
Sigal