Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku: Saranda dhe Maratona, vlerat e sportit të notit

442
Për Presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çirakun, ka një vlerësim jo vetëm për emrat që e “gumëzhinë” Maratonën e Notit, por edhe për Kryebashkiaken Floriana Koka, e Klubin Shumësportësh “Butrinti”, të cilët ai me sportivitet e seriozitet ju është mirënjohës. “Jo pa qëllim u zgjodh Saranda për organizimin e kësaj Maratone, si qytet me vlera të mëdha në sportin e notit. Nga ana tjetër, u gjet një mbështetje që meriton falënderim dhe mirënjohje edhe nga kryebashkiakja Floriana Koka dhe Klubi Sportiv i qytetit. Federata Shqiptare e Notit ka politikat dhe programet e saj, e cila edhe në të ardhmen të realizojë aktivitete të tilla, ndoshta edhe me përmasa më të mëdha, në promovimin dhe përcjelljen e vlerave të sportit të notit në vite dhe breza”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili Maratonën e vlerësoi si një aktivitet të madh dhe me vlerë për sportin e notit. “Që pas themelimit të Shoqatës së Notarëve Veteranë, pas një aktiviteti që promovonte nismën e saj, ky i sotmi është më i madh e më me vlerë që organizon kjo shoqatë, në bashkëpunim edhe me Federatën Shqiptare të Notit, e cila është financuese e Maratonës. Kjo me synimin se, vlerat që sillen nga ky aktivitet garues janë të përmasave të mëdha. Duhet që jo vetëm të ruajmë atë ç’ka kemi të trashëguar, por ta përcjellim në brezat pasardhës”. Për Presidentin ish-notar, nostalgjia dhe posti, duket që bashkohen mes tyre, duke e “çimentuar” përkushtimin që federata e drejtuar prej tij tregon në ritmikë. “Kjo është detyrë parësore e brezit paraardhës tek ai pasardhës, gjë e cila është edhe pjesë e strategjisë së Federatës së Notit. Dhe brenda kësaj, po përpiqemi me të gjitha forcat dhe energjitë, format dhe mënyrat, mundësitë dhe rrugëzgjidhjet, që nëpërmjet demonstrimit të vlerave me të tilla organizime aktivitetesh me grupmosha, të përcillet kjo vlerë e kësaj përvoje. Nga ana tjetër, të nxitet brezi i ri në marrjen e iniciativës së përfaqësimit dhe ushtrimit të sportit të notit, shumë e domosdoshme kjo sot për moshat e reja”, kështu theksoi pas Maratonës, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku.
Sigal