Presidenti Çiraku: Federata, derë e hapur për të gjithë ju

69

 

PËRVJETORI/ Dje, në ambientet e Akademisë së Notit “Te
Stela”, FSHN-ja festoi 85 vjetorin e krijimit. Nostalgji, kujtime, e rekorde
erdhën të “gjalla” në këtë  ceremoni

 

Presidenti Çiraku: Federata, derë e hapur për të gjithë
ju

 

Nga Agron KAJA

 

 

HYRJA

Në një ambient festiv-sportiv, gjithkush ndjehet i
emocionuar për kujtimet që sjell, për gjithçka që në memorie ka mbetur e
veçantë. Kështu rrodhi edhe emocioni total në veprimtarinë e 85 vjetorit të
krijimit të Federatës Shqiptare të Notit, ku në fytyrat e ish-kampionëve dhe
ish-rekordmenëve “lexoheshin” qartë nostalgjia e krenaria për gjithçka që
kishin përjetuar në gara e stërvitje, në pishina e ambiente ujore ku kishin
garuar. Dhe kur je me të tillë njerëz që sporti i notit u kishte dhënë, jo vetëm
bukurinë trupore (dje ajo ishte e “mbuluar” nga veshjet e stinës), por më shumë
bukurinë e shpirtit. Nga veriu në jug, nga Shkodra e nga Saranda, ish-kampionët
treguan shumë kujtime, treguan edhe se si e përjetonin sportin e notit
aktualisht, por edhe një psherëtimë nostalgjie na e dhanë, si për të na thënë
se : … na ishte një herë një ….”. Dhe vërtet ata ishin të shumtë në atë sallë
që dukej sikur po “pëllciste” nga gumëzhia e zërave, mes të cilëve kishte
shpesh edhe, debate miqësore, humor e rikujtesa mes ish-notarësh, sot të
“pluhurosur” nga thinjat e moshës. Dhe të gjithë ata që ishin dje në 85
vjetorin e krijimit të FSHN-së e dhanë një mesazh, të fortë e të qartë: “Noti
është bukuria e trupit, e shpirtit dhe e karakterit”. Ju faleminderit të gjithëve!

 

 

Në këtë përvjetor të 85-të të Notit shqiptar, dalloheshin
lehtë edhe emocionet e Presidentit të Federatës, Agim Çirakut, i cili morri
edhe “stafetën” e çiltërsisë” në bashkëbisedim. Aktualisht ai është “zoti i shtëpisë”,
por le të themi që në gjithçka që përcolli, tregoi se noti nuk është sport që
vetëm të zbukuron pamjen e trupin, këtë herë bukuria ishte në ato ndjenja miqësore,
për të cilat vetë zoti Çiraku tregon se e ka të vështirë ti largojë. “Unë jam
shumë i lumtur sot që mblidhemi në këtë 85-vjetor, sepse veç bashkëbisedimit për
ecuritë e përparimin në vite, emocionet na çojnë në kujtesën e largët në vite,
port ë afërt në përjetim, dhe unë ju falënderoj të gjithëve, edhe ata që nuk
janë sot në këtë sallë, por që kanë “firmat” e tyre në këtë histori plota
sakrifica e suksese”, kështu e nisi këtë bashkëbisedim presidenti i FSHN-së, i
cili duke rikujtuar historinë vit pas viti, sezon pas sezoni, solli emra të
shumtë kampionësh e rekordmenësh. “Nostalgji dhe respekt, duke e nisur me ata
trajnerë e notarë që hodhën themelet e këtij sporti. Nëse do të flisja me
periudha, nga themelimi e deri në vitin 1945, ka qenë një periudhë e vështirë
edhe për sportin e notit, por veprimtaritë e rezultatet nuk kanë munguar. Më
pas, deri në vitin 1990, natyrisht që u zhvillua me një infrastrukturë më
modern se ajo e paraçlirimit, ku u ndërtuan në gjithë vendin 17 pishina. Pas
vitit 1990, si të gjithë sportet e tjera, edhe noti pati eksodin e vet, ku shumë
notarë shqiptarë u larguan nga vendi dhe notuan për ekipe në shtet të tjera”.
Dhe histori flet se, në vitin 1996 është aktiviteti sportive i mirë organizuar i
federatës, që sipas Agim Çirakut, noti shqiptar ka bërë progres me ritme më të
mira. Por, në “merakun” e tij ishte edhe mbështetja që duhej nga këto vlera të
notit, pasi sipas tij, FSHN-ja do të mbetet një derë e hapur për të gjithë ata
që duan të kontribuojnë në procesin zhvillimor të notit. “E dimë se tashmë jemi
në standarde më të larta në përfaqësimet kombëtare e ndërkombëtare dhe në
vazhdimësi punën tonë do ta mbështesim në këto drejtime: Organizim më i mirë
institucional, përmirësim të infrastrukturës, cilësi në përmbajtje, financë dhe
bonuse shpërblimi. Federata punon për të gjetur forma dhe mënyra të tjera në
rritjen e buxhetit, zbatimin e formave për zhvillim, identifikim e tërheqjen e
donatorëve, me qëllim mbështetjen për objektivat që kemi”, kjo ishte përshëndetje
që Presidenti i FSHN-së përcolli në këtë përvjetor të 85-të të notit shqiptar.