Premier Ligë/ Mançester Siti dhe Çelsi kryesojnë të pamposhtur

508
Sigal

Fitore për dy skuadrat e kreut në kampionatin anglez, kampionët ne fuqi “luajtën tenis” me Sauthampton duke triumfuar 6-1, londinezët sigurojnë një tjetër sukses në shtëpi 3-1 me Kristal Palas

Mançester Siti dhe Çelsi marshojnë bindshëm drejt titullit kampion në kampionatin anglez. Pas 11 javëve të para dy ekipet janë ende pa humbje, dhe për shkak të formës që po tregojnë javë pas jave, duket se dita ku njëra prej të dyjave do të pësojë disfatë është e largët. Kampionët në fuqi kanë shkatërruar kundërshtarin e tyre, Sauthampton, duke i shënuar 6 gola, falë një loje mbresëlënëse të djemve të Pep Guardiolës. Ndeshja është zhbllokuar nga një autogol i Hud në minutën e 6-të, teksa Aguero ka dyfishuar avantazhin në të 12-ën. “El Kun” është bërë lojtari i tretë në historinë e Premier Ligë që shënon 150 gola me një klub të vetëm pas Henri (175 me Arsenal) dhe Uejn Runi (183 me Junaitid ). Aguero i ka shënuar këto 150 gola në 217 ndeshje me “Qytetarët” dhe vetëm Alan Shirer ka arritur të shënojë 150 në më pak ndeshje (212) në historinë e Premier League. Goli i tretë i vendasve është shënuar në minutën e 18-të nga David Silva, por miqtë kanë ngushtuar diferencat në minutën e 30-të me Ings, që ka transformuar në gol penalltinë e shkaktuar nga portieri Ederson. Në fundin e 45 minutave të para ka ardhur edhe goli i katërt i kampionëve në fuqi, që kanë shënuar me Sterling, i cili ka marrë një asist nga Aguero. Kjo dyshe ka goditur përsëri në minutën e 67-të, me anglezin që ka realizuar golin e pestë për vendasit pas asistit të radhës të marrë nga “Kun”. Në minutën e 91-të ka ardhur edhe goli i gjashtë i “Qytetarëve”, i realizuar nga Sane. Kështu, “Etihad Stadium” mbetet i mallkuar për Sauthampton, që ka marrë 8 humbje dhe 1 barazimi në 9 ndeshjet e fundit të luajtura atje në të gjitha kompeticionet. Bardhekuqtë nuk fitojnë prej shtatë ndeshjesh në kampionat dhe mbajnë vendin e 16-të në renditje me 7 pikë. Me këtë fitore Siti kryeson i vetëm renditjen, falë edhe barazimit të Liverpulit, me 29 pikë në 11 javë.

Çelsi-Kristal Palas

Çelsi ka marrë fitoren e radhës në kampionatin anglez pasi ka mundur me rezultatin 3-1 Kristal Palas në “Stamford Bridge”. Edhe ekipi nga Londra ashtu si rivalët e Sitit dominuan takimin duke mos e vënë për asnjë rast në dyshim fitore, edhe pse në një moment të sfidës po barazonin 1 me 1. Goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur në minutën e 32-të të takimit dhe është shënuar nga Morata, i cili nuk shënonte në dy ndeshje radhazi në kampionat që nga nëntori i 2017-ës. Spanjolli ka shënuar edhe në takimin e javës së kaluar të fituar nga Çelsi 4-0 kundër Bërnlei. Palas, që nuk fiton prej gjashtë ndeshjesh në kampionat, ka barazuar përkohësisht takimin në minutën e 53-të me Taunsend, i cili ka shënuar tre gola në Premier kundër “Bluve”, më shumë se ndaj çdo ekipi tjetër në kampionat. Lëvizja që ka vendosur takimin ka ardhur në minutën e 64-t, kur Sarri ka aktivizuar Hazard në vend të Uillian, me belgun që ka shpërblyer besimin e italianit një minutë më pas, kur ka dhënë asistin për golin e dytë të vendasve, që ka pasur përsëri për autor spanjollin Morata. Pedro i ka siguruar tri pikët për Çelsin 20 minuta para fundit, duke fiksuar shifrat në 3-1 pas asistit të marrë nga Markos Alonso. Një sukses ky që i ka dhuruar skuadrës së Mauricio Sarri-t vendin e dytë në renditjen e Premier League. “Blutë”, në fakt, janë në kuotën e 27 pikëve pas 11 javëve të para, vetëm dy larg kryesuesve të Mançester Sitit dhe baraz me Liverpulin.

Premier Ligë, java 11-të

E shtunë, 3 nëntor

Burnmauth-Mançester Utd     1-2

Uest Hem-Bërnlei       4-2

Everton-Brajton          3-1

Njukasëll-Uatford       1-0

Kardif-Leister 0-1

Arsenal-Liverpul         1-1

Ulls-Totenhem            2-3

Dje, 4 nëntor

Mançester Siti-Sauthampton   6-1

Çelsi-Kristal Palas       3-1

Sot, e hënë, 5 nëntor

Hadersfild- Fulham     21:00

RENDITJA

Skuadrat        Nd       P

  1. Man.Siti 11 29
  2. Çelsi 11 27
  3. Liverpul 11 27
  4. Totenhem 11 24
  5. Arsenal 11 23
  6. Burnmauth 11 20
  7. Man.Utd 11 20
  8. Uatford 11 19
  9. Everton 11 18
  10. Leister 11 16
  11. Ulls 11 15
  12. Brajton 11 14
  13. Uest Hem 11 11
  14. Kristal. P 11 8
  15. Bërnlei 11 8
  16. Sau.mpton 11 7
  17. Njukasëll 11 6
  18. Kardif 11 5
  19. Fulham 10 5
  20. Hadersfild 10 3