Prekëm nga afër metodat e trajningut bashkëkohor në not

Nga Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet trajneri i ekipit Sport Center “Te Stela” Mario Koxhaku, ja si e përshkruan trajnimin në Itali

Si e përshkruani trajnimin një javor që ju morët pjesën në Ostia të Italisë?
Mendoj se ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për të gjithë ne që morëm pjesë aty, notarë e trajnerë. Aty prekëm më nga afër metodat e organizimit dhe të zhvillimit të trajningut bashkëkohor në not, ku trajneri Valter Bolonjani ishte lektori që bëri gjithçka për ne në atë trajnim.

Çfarë patë ndryshe në këtë javë trajnimi në Itali?
Ndryshe nga kushtet tona, aty gjithçka ishte në standarde të larta dhe stërvitshmëria zhvillohej me programe shumë më të avancuara dhe dy herë në ditë, çka këtu tek ne nuk mundësohet. Metrat që bëheshin në stërvitje, por edhe regjimi, ishin dy të veçantat e tjera.

Në konceptin tuaj, sa vlejnë përvoja të tilla në sportin e notit?
Të bashkëpunosh me homologë që kanë rezultate e standarde të larta, natyrisht që këto duhet të jenë edhe më të shpeshta. Sepse këto janë eksperienca që i shërbejnë notit, notarëve dhe trajnerëve, pra, janë detyrime në shërbim të cilësisë.

Me Valter Bolonjanin e zhvilluat edhe këtu në Shqipëri një trajnim të tillë, cili është ndryshimi nga “Te Stela”, në Ostia?
Në raport me kushtet stërvitore, mendoj se ishte edhe ndryshimi i trajningut nga ai që u zhvillua në pishinën “Te Stela”, me javën që u zhvillua në Ostia. Programet e kushtet stërvitore ishin më të përparuara se sa këtu në Shqipëri, ndërsa trajneri Bolonjani ishte non-stop i angazhuar me ne.

Për këtë vit, i mbylli noti veprimtaritë e tij?
Jo, nuk janë mbyllur, sepse tashmë dihet që noti shqiptar organizon veprimtari në çdo stinë të vitit, një risi kjo sa kohë FSHN-në e drejton Presidenti Agim Çiraku. Në datën 25 nëntor, në ambientet e Sport Center “Te Stela”, do të zhvillohet Kupa “Pavarësia”, një veprimtari kjo që zhvillohet çdo vit në kuadrin e ditës së Pavarësisë.

Çfarë do të synojnë ekipet “Te Stela” në këtë Kupë?
Ne do të synojmë të përsërisim suksesin e disa viteve me radhë, fitimin e Kupës për meshkuj e femra, dhe të të gjithë veprimtarisë. Kemi një kryetrajner, Sadik Memën, që është një motiv plus tek të gjitha ekipet e Akademisë sonë, njëherësh kemi në përbërje edhe notarë që kanë treguar nivel garimi në këtë veprimtari.

Notarët pjesëmarrës
1. Ergi Veli
2. Mishel Xhaferri
3. Ared Ruçi
4. Junus Fuga
5. Hubert Çurçia
6. Frenkli Vogli
7. Binald Mahmuti
8. Keis Fetishaj
9. Even Qarri
10. Stiven Xhufi
11. Frenc Bërdaku
12. Darvi Elezi
13. Korina Basho
14. Jozef Shiroka
15. Skerdi Lozi

Trajnerët pjesëmarrës
1. Arian Fetishaj
2. Mario Koxhaku
3. Jurgen Fici
4. Luljeta Ndoja