Portugezi Sanpaio merr në dorëzim Partizanin

46

Përgatitësi atletik i skuadrës së kuqe do të kryesojë bordin teknik. Sinjale nga Kosova për trajner

Portugezi Marcio Sanpaio do të jetë trajneri i përkohshëm i Partizanit, derisa skuadra e kuqe të gjejë një trajner të ri. I mbërritur në Shqipëri, në rolin e përgatitësit atletik, Sanpaio ishte një nga katër ndihmësit e ish-trajnerit Lika, së bashku edhe më Perlat Mustën, Klevis Dalipin dhe italianin Gabriele Konsorti. Është vetë klubi i kuq që, e bëri të ditur vendimin përmes një deklarate për mediat. “Në një mbledhje të zhvilluar sot (dje) paradite me ekipin, stafin teknik dhe drejtues, Presidenti Gazmend Demi njoftoi se, megjithëse i janë paraqitur shume kandidatura për vendin e trajnerit të parë të skuadrës ai ka vendosur të mos nxitohet në mënyrë që përzgjedhja të bëhet sa me e studiuar. Presidenti bëri të ditur vendimin e tij që, për momentin skuadra do të drejtohet nga një bord që do të përbëhet nga stafi teknik aktual nën drejtimin e Marcio Sanpaio, që është dhe përgatitësi atletik i skuadrës”. Në fakt, ka shumë emra kandidatë për stolin e 15 herë kampionëve, ku spikasin emra të tillë si Shkëlqim Muça (katër herë kampion si trajner), apo Armando Cungu, shkodrani që e çoi Kukësin në turin e katërt të Ligës së Europës, një rekord për skuadrat shqiptare në Europë. Sipas mediave kosovare, Partizani është hedh në aksion për ta gjetur një trajner të ri, pas dorëheqjes së Hasan Likës. Trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli është njëri prej opsioneve të klubit të famshëm shqiptar, për të cilin aktualisht luajnë gjashtë lojtarë nga Kosova: Besnik Krasniqi, Amir Rrahmani, Behar Maliqi, Mentor Mazrekaj, Labinot Ibrahimi e Liridon Ahmeti. Ky numër i madh i futbollistëve kosovarë të Partizanit, e ka shtyrë presidentin e klubit, Gazmend Demi ta shqyrtoj mundësin e angazhimit të trajnerit aktual të Ferizajt. Lajmi është bërë i ditur nga një burim i afërt me Sokolin, i cili tregoi se një mik i ngushtë i Demit, të shtunën mbrëma e ka kontaktuar trajnerin e njohur kosovar, për ta pyetur nëse është në disponim për të negociuar me klubin shqiptar. “Sokoli është kontaktuar nga një mik i afërt i presidentit të Tiranës. Bisedimet pritet të fillojnë, edhe pse Sokoli është skeptik që mund të arrij marrëveshje”, tha ky burim. Gazeta kosovare “Arena” kontaktoi me presidentin e Partizanit, Gazmend Demi. Ky i fundit tha se është duke i shqyrtuar emrat e disa trajnerëve, por pa ua përmendur emrat, derisa nuk e përjashtoi as Bylbyl Sokolin. “Janë ndoshta 20 trajnerë që i kemi parasysh. Por, ne nuk po duam të ngutemi. Po shkojmë ngadalë dhe sigurt drejt emërimit të trajnerit të ri. Nuk mund të përmend emra, por sigurisht se do ta bëjmë përzgjedhjen e duhur”, deklaroi Demi për “Arenën”. Skuadra zhvilloi dje seancën e parashikuar stërvitore në fushën e kompleksit “Olimpik” në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës kundër Lushnjës që do të luhet ditën e shtune, ora 14:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ndeshja e fundit e Partizanit ishte humbja 1-0 me Tiranë, që solli edhe largimin e Hasan Likës. Pas 18 javëve, Partizani ndodhet në vendin e katërt me 27 pikë (po aq sa Kukësi e Laçi), me një diferencë prej -10 pikësh nga Skënderbeu i vendit të parë.

 Portugezi i parë

Marcio Sanpaio do të jetë trajneri i parë portugez që, do të drejtojë një skuadër shqiptare. Aktualisht, në Superligë drejtojnë edhe dy trajnerë të tjerë të huaj: italiani Roberto Sorrentino te Teuta (zëvendësoi Gugash Maganin) dhe nigeriani Emanuel Egbo (drejton nga fillimi i edicionit).

  Saga e hidhur e trajnerëve

 Shkarkimet e trajnerëve në sezonin 2013-2014 e nisi Armando Cungu i Kukësit, i pasuar nga Naxhi Shensoi. Tirana është drejtuar Nevil Dede, Alpin Gallo, Sokol Bulku dhe Gugash Magani. Teuta largoi Maganin, duke e zëvendësuar me italianin Roberto Sorrentino. Pas dorëhëqjes së Ramadan Ndreut te Kastrioti, drejtimin e mori Kristaq Mile, por dhe ky u largua në përfundim të javës së 16-të, duke ia lënë vendin sërish Ndreut. Pas ndeshjeve të javës së 18-të dhanë dorëheqjen Hasan Lika (Partizani) dhe Naxhi Shensoi (Kukësi), duke e çuar në tetë numrin e trajnerëve të larguar.

 Shqipëria e futbollit, si OKB-ja

 Duke parë kombësinë e 30 trajnerëve, janë 15 të tilla, ku mbizotërojnë ata kroatë (6) dhe çuditërisht ata.. argjentinas (4). Kështu tek Dinamo kanë drejtuar kroatët:  Luka Bonaçiç, Ivan Kataliniç, Slavko Kovaçiç dhe Zlatko Daliç; tek Tirana kaën qenë Ilija Lonçareviç dhe Misho Kristeçeviç. Argjentinasit kanë punuar në dy skuadra: 3 te Dinamo (Pedro Pablo Paskuli, Ramon Cabrero dhe Luis Manuel Blanko) dhe 1 te Lushnja (Mario Kempes). Italianët janë katër: Ticiano Gori (Erzeni, Partizani), Leonardo Menikini (Tirana), Mauro De Vekis (Kamza) dhe në sezonin aktual, Roberto Sorrentino (Teuta). Dy boshnjakët janë sistemuar te Tirana: Enver Haxhiabdiç dhe Bllazho Sllavkoviç, dy rumunët janë shpërndarë: Aurel Cikleanu (Dinamo, Lushnja) dhe Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa). Mali i Zi prezantohet me Dervish Haxhiosmanoviçin (Vllaznia, Erzeni) dhe Mojash Radonjiçin (Vllaznia). Dhjetë shtete të tjera kanë nga një përfaqësues: Hungaria me Miklos Temeshvarin (Tirana); Bullgaria me Nikolai Arabovin (Partizani, Flamurtari, Naftëtari); Gjermania me Ulrih Shulsen (Vllaznia), Serbia me Esad Karishikun (Apolonia, Elbasani); Maqedonia me Nikola Ilievskin (Bylis); Spanja me Hulian Rubion (Tirana, Flamurtari); Kosovë/Turqi me Naxhi Shensoin (Bylis, Kukësi) dhe Çekia me Stanislav Levin (Skënderbeu), Nigeria me Emanuel Egbo (Bylis).

TRAJNERËT E HUAJ NË SHQIPËRI

1. Mario Kempes, Argjentinë (Lushnja)

2. Miklos Temeshvari, Hungari (Tirana)

3. Nikolai Arabov, Bullgari (Partizani, Flamurtari, Naftëtari)

4. Dervish Haxhiosmanoviç, Mali i Zi (Vllaznia, Erzeni)

5. Ticiano Gori, Itali (Erzeni, Partizani)

6. Enver Haxhiabdiç, Bosnjë (Tirana)

7. Aurel Cikleanu, Rumani (Dinamo, Lushnja)

8. Pedro Pablo Pasculi, Argjentinë (Dinamo)

9. Ramon Cabrero, Argjentinë (Dinamo)

10.Luka Bonaçiç, Kroaci (Dinamo)

11.Ivan Kataliniç, Kroaci (Dinamo)

12.Leonardo Menikini, Itali (Tirana)

13.Ulrih Shulse, Gjermani (Vllaznia)

14.Silviu Dumitresku (Apolonia, Besa)

15.Slavko Kovaçiç, Kroaci (Flamurtari)

16.Zlatko Daliç, Kroaci (Dinamo)

17.Bllazho Sllavkoviç, Bosnjë (Tirana)

18.Esad Karishik (Apolonia, Elbasani)

19.Ilija Lonçareviç, Kroaci (Tirana)

20.Mojash Radonjiç, Mali i Zi (Vllaznia)

21.Luis Manuel Blanko, Argjentinë (Dinamo)

22.Nikola Ilievski, Maqedoni (Bylis)

23.Misho Kristeçeviç, Kroaci (Tirana)

24.Hulian Rubio, Spanjë (Tirana, Flamurtari)

25.Naxhi Shensoi, Kosovë-Turqi (Bylis)

26.Stanislav Levi, Çeki (Skënderbeu)

27.Mauro De Vekis, Itali (Kamza)

28.Emanuel Egbo, Nigeri (Bylis)

29.Roberto Sorrentino, Itali (Teuta)

30.Marcio Sanpaio, Portugali (Partizani)

Kampioni Kempes

Kampioni i Botës, argjentinasi Mario Kempes, është edhe trajneri i parë i huaj i futbollit modern shqiptar. Kempes, i kontraktuar dhe i paguar nga firma rentiere “Xhaferri”, u punësua nga Lushnja në gusht të viti 2006 dhe u largua vetëm pas pak muajsh, më saktësisht më 4 nëntor 2006.

 “Diktatori” Bonaçiç

Qysh prej kohës së largët, kur në Shqipërinë e viteve ’30 drejtoi një hungarez me emrin Samo Singer, kroati Luka Bonaçiç do të mbetet në historinë e futbollit shqiptar si “diktatori” i rrëzuar brenda një jave, kur Dinamo barazoi me Lushnjën 2-2 në sezonin 2005-2006.

Grivs: “Adnan Januzaj zgjidh Shqipërinë dhe jo Anglinë!”

Xhimi Grivs, një nga sulmuesit legjendarë anglezë, kampion bote në vitin 1966, është i bindur se Adnan Januzaj nuk duhet të lejohet të veshë fanellën e kombëtares angleze. Ish-sulmuesi i cili në karrierën e tij ka shënuar më shumë se 400 gola, ku 44 të tillë janë realizuar në 57 ndeshje me Anglinë, është kategorikisht kundër ndryshimit të nënshtetësisë, që sipas tij po shëmton futbollin. “Më quani prapanik, të rrjedhur apo si të doni ju, por unë kam menduar gjithmonë se sportistët dhe gratë duhet të përfaqësojnë vetëm vendin e lindjes së tyre”, shkruan ai në një opinion të publikuar në gazetën britanike “Sunday People”. “Nuk kam pasur asnjëherë probleme me ndonjë person që dëshiron të praktikojë sportin jashtë vendlindjes – unë vetë e bëra një gjë të tillë te Milani – por të luash për një vend sepse kushëriri yt i dytë e vizitoi një ditë apo sepse ke jetuar aty për dy vite, për mua është krejtësisht e gabuar. E di që njerëzit do të më kujtojnë argumentin e Mo Farah (i lindur në Mozambik, 2 Medalje Ari në Londër 2012 duke përfaqësuar Britaninë e Madhe) dhe pranoj se ai ka çdo të drejtë të vrapojë për Britaninë. Ai erdhi në Angli kur ishte 8 vjeç dhe kaloi vitet e tij të formimit këtu. Ai e cilëson veten britanik. Por Kevin Pietersen (lojtar kriketi) lindi dhe u rrit në Afrikën e Jugut, ndërsa e vetmja arsye pse ai luan për Anglinë, ishte sepse nuk kishte vend në Kombëtaren e tyre, por në tonën po. E njëjta gjë është edhe me Adnan Januzajn. Ai është belg. Në rregull… belg, kosovar dhe shqiptar. Por ajo që unë di është se ai nuk është anglez dhe nuk duhet të lejohet asnjëherë të luajë për Anglinë. Kjo është absurde. Nëse kjo situatë lejohet të vazhdojë, apo përkeqësohet, sporti ndërkombëtar ka marrë fund. Xhorxh Best ishte aq krenar të luante për Irlandën e Veriut sa nuk e shqetësonte fakti se do të humbiste futbollin ndërkombëtar dhe Rajan Gigs është ekuivalenti i tij uellsian. Nuk duhet të ndërrosh sepse kombëtarja jote është aq e mirë sa nuk ke vend, apo është aq e keqe sa nuk arrin të luajë në nivelet më të larta”, ishte komenti i Grivs.

 Gravina, leksione mbi sportin, merr pjesë Rama

 Pasquale Gravina, disa herë kampion bote i skuadrës kombëtare dhe kampion olimpik i kombëtares italiane të volejbollit, ndodhet për një vizitë punë në Shqipëri, për të ë marrë pjesë në një sërë eventesh të organizuara nga “Tec Bosch”, shkolla e formimit profesional e menaxherial e grupit “Bosch” në Itali dhe nga qeveria shqiptare. Sot, në orën 11:00 ai do të jetë i pranishëm në ambientet e Universitetit të Sporteve në Tiranë, në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Sporteve, Lindita Nikolla dhe të Rektorit të Universitetit Prof. Dr. Vejsel Rizvanolli, Gravina do të mbajë një leksion mbi sportin drejtuar studentëve. Të mërkurën (18:00), në sallën Iliria të hotelit “Sheraton” në prezencën e Kryeministrit, Edi Rama, Ministrit të Mirëqenies Erion Veliaj, Ambasadorit italian në Shqipëri Masimo Gajani dhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë shqiptare, kampioni i volejbollit do të trajtojë tema, që në karrierën e gjatë si profesionist dhe drejtues sporti, i ka zhvilluar për arritjen e objektivave ambiciozë dhe për menaxhimin e ekipeve shumëkulturore.

  Luan Salihi, fiton Hapoel Ako

  Hamdi Salihi është fatsjellësi i Hapoel Akos, skuadrës së tij izraelite, e cila fitoi 2-1 me Hapoel Tel Avivin. Salihi luajti deri ne minuten e 79-të. Kjo ishte ndeshja e parë e shkodranit me skuadrën e tij të re. Duhet të kujtojmë se, Hapoel Ako nuk fitonte prej nëntë ndeshjesh.