Portugezët gjunjëzohen para kuqezinjve

531
Sigal

 Ndeshja e parë e eliminatoreve të Europianit, shqiptarët mposhtin portugezët 1-0

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Bekim Balaj me një gjuajtje spektakolare nga një distancë 24 metra

 Fitore e shqiptarëve. Një me zero, për kuqezinjtë. Më në fund rikthehet shpresa e shqiptarëve për të qenë në Europian. Në stadiumin e mbushur plot me portugezë dhe rreth 100 tifozë shqiptarë, të cilët kanë shkuar në mënyrë të grupuar, janë dëgjuar brohoritje të shfrenuara shqiptare. Kombëtarja jonë fitoi bindshëm, me një lojë spektakolare. Një pjesë e parë e vakët për të dyja skuadrat, Portugalia ishte skuadra që kërkoi më së shumti rrugën drejt rrjetës, por e pati të pamundur, për shkak të mbrojtjes të portierit Berisha. Kombëtarja jonë e filloi në mënyrën më të keqe të mundshme me një karton të verdhë minutën 3’ nga Odise Roshi. Portugalia pati rastin që në minutën e gjashtë, por nuk e shfrytëzoi falë edhe një dalje të mirë të Berishës. Në 10 minutat  e para të ndeshjes Kombëtarja është e  paaftë të organizojë lojën e vet dhe topat i humbet  me shumë lehtësi, kjo bëri që Portugalia të ushtronte presionin ndaj nesh. Në minutën e 12 erdhi goditja e parë nga këndi e ndeshjes në favor të Portugalisë dhe përsëri patëm mungesë të koordinimit të mbrojtjes tonë, që u tregua shumë e ngathët në reagimin ndaj goditjeve standarde. Nga minuta e 18 sulmet e portugezeve bien dhe loja jonë bëhet më e qetë dhe e reformuar. Kuqezinjtë tanë  luajnë vetëm me pasime pa mundur dot të kalojnë gjysmë fushën tonë dhe pa vënë në vështirësi skuadrën portugeze. Në minutën e 23, përsëri ndëshkohemi me karton të verdhë, këtë radhë është Abrashi që ndëshkohet për një ndërhyrje ndaj Nanit, për t’u ndjekur në minutën e 34’  me një tjetër karton të verdhë nga Xhaka. Minutat e fundit të pjesës së parë ishin dramatike me disa raste për portugezët që fatmirësisht nuk u shfrytëzuan dhe me një rast të Kombëtares tonë, nga Odise Roshi që nuk ia doli të pasojë siç duhet para portës, kështu u mbyll pjesa e parë barazim zero me zero. Kurse pjesa e dytë ishte tjetër gjë. Kishte më shumë besim, më shumë raste dhe më shumë të freskët. Në minutën e 47 patëm një çast të mirë të Balës, por që pret portieri Bento. Megjithatë, nuk do kalojë shumë kohë dhe të gjithë shqiptarët do të ndryshojnë rezultatin në mënyrë të mahnitshme në minutën e 53,  me një inkursion të jashtëzakonshëm të Roshit nga krahu i djathtë që pason për Balajn, i cili kryen një super gol. Kombëtarja jonë ka marrë flakë e bashkë me ‘të edhe tifozët që edhe pse janë të paktë, janë të vetmit që dëgjohen në stadium. Kombëtarja nuk tërhoq prapa, por vazhdon përsëri të sulmojë dhe në disa raste edhe rrezikon pasi Portugalia e humbi fillin dhe nuk arriti të rifutet në lojë. Por më vonë presioni i portugezëve rritet, por vëmendja e portierit tonë Etrit Berisha ishte në nivelin më të lartë. Porta jonë nuk kalohet kollaj. Fati duket në anën tonë pasi në minutën e ‘70 është shtylla që na shpëton nga një gol i sigurt. Portugezet fillojnë të humbin durimin, duke parë që rastet e tyre nuk mund të kthehen në gol. Minutat e fundit si gjithmonë janë më dramatiket, për kuqezinjtë. De Biazi nuk zhgënjeu me skemën e re që formoi, duke i kthyer lojtarët vetëm në mbrojtje. U pa se kjo skemë dha rezultatin e duhur. Në Portugali u zhvillua një ndeshje që na mbushi me krenari dhe mbi të gjitha jemi me tre pikë të plota që në ndeshjen e parë dhe për më tepër fitoren e kemi marrë ndaj skuadrës më të fortë të grupit. Ndajmë vendin e parë me pikë të plota edhe me Danimarkën që arriti të merrte një fitore në shtëpi ndaj Armenisë 2-1. Duhet thënë që, të gjithë ne, shpresojmë që Kombëtarja jonë të mbajë këtë ecuri dhe të shkojmë së bashku drejt ëndrrës “Kualifikim” që deri më tani ka qenë e parealizuar.

TË VEÇANTA NGA NDESHJA

-Fitorja e parë në ndeshjen e parë kundër një skuadre të madhe në një tur eliminator për Shqipërinë.

-Në stadium ishin të pranishëm mbi 100 tifozë, por edhe pse pak në numër e nxehen atmosferën e stadiumit

-Federata e Futbollit do japë si premio nga 10 000 euro futbollistëve

-U dhanë 7 kartonë të verdhë nga të cilët gjashtë ishin për Kombëtaren tonë.

-Fitorja e parë që marrim ndaj Portugalisë.

Besara Ibraj