Policia private në stadiume e gjeti të papërgatitur veten, por është domosdoshmëri që duhet të funksionojë

705
Sigal

Nga Agron KAJA

OPINION/ Rasti në stadiumin “Skënderbeu” nuk fajëson vetëm ata që dhunuan, objekt janë strukturat përgjegjëse të këtij shërbimi

Pas ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen hapëse të Kategorisë Superiore, 2018-2019, Skënderbeu-Partizani 1-0, njerëz të shumtë kanë folur, kanë dhënë opinione e mendime, të gjithë vetëm nga një këndvështrim konstatues, pse jo, dhe mosbesues. Të shumtë ishin ata persona që morën përsipër të bënin edhe kritikun e sigurisë fizike, madje në ndonjë rast edhe qesharak, a thua se ata kanë bërë ligjet përkatëse. Në të gjitha kronikat, opinionet e komentet, asnjëherë nuk janë dhënë detaje që profesionalisht të bindnin edhe vetë stjuartët për çka nuk bënë mirë në momentet e dhunës së tifozëve, kryesisht pas minutës së 72-të të ndeshjes. Referuar vetëm Udhëzimit me numër 899, të datës 14.9.2017, të Ministrit të Brendshëm, i cili anulon udhëzimin nr. 308, datë 22.5.2017, “Për funksionimin e shërbimit privat të sigurisë fizike dhe qendrës së trajnimit privat të punonjësve të SHPS, në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës dhe të neneve 113 dhe 114, të ligjit nr. 44/2015 dhe “Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, ka një logjikë që e orienton shkakun e dhunës në Korçë. Dhe çfarë u bë më pas, këtë e thotë vendimi, i cili në këtë rast si në Korçë, e nxjerr “pak” të zbuluar Policinë e Shtetit, në detyrimet e saj ndaj SHPSF-ve. “Anulimin e udhëzimit nr. 308, datë 22.5.2017, të ministrit të Punëve të Brendshme, “Për funksionimin e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike dhe Qendrës së Trajnimit Privat të punonjësve të SHPSF-së”, duke ngarkuar për zbatimin e tij strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit, si dhe personelin e subjekteve të Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike dhe Qendrat e Trajnimit Privat të punonjësve të SHPSF-së”. Pra, referuar vetëm këtij udhëzimi, konkluzioni është se, ata policë privatë në stadiumin “Skënderbeu”, ose ishin të pa trajnuar dhe profesionalisht të papërgjegjshëm që u kapën në befasi për tu mirëpaguar, ose ishin aty për shkak të rrethanave që nuk lidhen me profesionin, ose janë marrë nga profile të tjera të SHPSF-ve që në Shqipëri janë me mijëra! Nëse do të ishin zbatuar sikur dy kritere në trajnimin e personave policë privatë dhe në certifikimin e tyre, ata nuk do të mbeteshin si “hunj” në mes të stadiumit, ku as vrapimin nuk e kishin plotësisht në harmoni me ata që i ndoqën si për ti trembur. Atëherë, pse klubet kërcënojnë se, nëse nuk vjen policia në stadiume do të ketë edhe largime,….?! Ligji i detyron vetë ata (klubet sportive) në përzgjedhjen e policisë private që do të garantojë rregullin në stadium, FSHF-ja në këtë rast është vetëm orientuese e zbatuese e Ligjit për Sportin, kryesisht Nenin 51, i cili përcakton qartë detyrat e Policisë së Shtetit, të Policisë Private dhe të administratorëve të objekteve sportive në veprimtaritë që zhvillojnë. Nëse 3 pikat e këtij neni do të ishin zbatuar me korrektesë, jo “..hajde të marrim ca para…”, asgjë nuk do të ndodhte, dhe nuk do të ndodhë. Ndaj konkluzioni është se, në Korçë nuk doli offsajt FSHF-ja, por Policia e Shtetit, Shërbimi i Sigurisë Fizike, Administratori i objektit sportiv, si dhe fushata sensibilizuese e munguar për këtë shërbim privat të domosdoshëm. Krahasimi që bëhet me shtete më të përparuara në këtë shërbim, le të kapet që nga fillesat e tyre shumë vite me parë, dhe jo të bëjnë krahasime tani me Shqipërinë që është në startin e këtij shërbimi. Edhe këtu, me SHPSF në stadiume, jemi në hapat e parë, pas dhjetëra viteve funksionimi në vendet e tjera në Evropë.

Ligji i detyron vetë ata (klubet sportive) në përzgjedhjen e policisë private që do të garantojë rregullin në stadium, FSHF-ja në këtë rast është orientuese e zbatuese e Ligjit për Sportin, kryesisht Nenin 51, i cili përcakton qartë detyrat e Policisë së Shtetit, të Policisë Private dhe të administratorëve të objekteve sportive në veprimtaritë që zhvillojnë

Ligji për Sportin, Neni 51

Ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike

1.Ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit.

2.Administratorët e objekteve dhe mjediseve sportive, në bashkëpunim me klubet sportive,

nëpërmjet shoqërive private të sigurisë fizike, duhet të marrin këto masa:

  1. a) të kryejnë kontrollin rigoroz të tifozëve në portat e hyrjeve në mjedisin sportiv;
  2. b) të kryejnë sigurimin e vendkalimeve publike në mjedisin sportiv;
  3. c) të kryejnë drejtimin e spektatorëve tek ulëset në mjedisin sportiv dhe mbajtjen e tyre nën kontroll;

ç) të kryejnë sigurimin dhe mbrojtjen e lojtarëve nga futja e tifozëve në mjedisin sportiv.

  1. Administratorët e mjediseve sportive marrin masat për caktimin e një ambienti të përshtatshëm për drejtuesit e njësisë policore për monitorimin e situatës së rendit publik në mjedisin sportiv.