Policia blindon Elbasanin, masa të larta për ndeshjen Skënderbeu-Partizani i Beogradit

284
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë për zhvillimin sa më normal të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit nëpërmjet Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit, që do të zhvillohet sot në orën 21:05, në Stadiumin “Elbasan Arena”.
Duke filluar nga ora 17:00, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve përreth dhe para sheshit të stadiumit “Elbasan Arena”.
“Nuk do të lejohet parkimi i mjeteve nga kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa” me rrugën “Kamber Sejdini”, deri në dalje në unazë. Nga kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa”, deri në dalje në unazë do të jetë për parkimin e mjeteve të tifozëve vendas. Do të bllokohet rruga “Kamber Sejdini” nga kryqëzimi i Bulevardit “Qemal Stafa”, deri tek kryqëzimi i Tapetave. Do të bllokohet Bulevardi “Aqif Pasha” nga Stadiumi deri tek kryqëzimi i Shatërvanit, nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja e mjeteve. Lëvizja e mjeteve do të bëhet nëpërmjet Unazës të qytetit. Aksi rrugor nga kryqëzimi i Tapetave, ish-konservimi, deri në dalje në unazë për në 5 Maj, në drejtim të Spitalit, do të shfrytëzohet për emergjencat, që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Lidhur me ndeshjen do të angazhohen 221 punonjës policie nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, Komisariatet, Stacionet Policore vartëse të saj, Forcat e Posaçme Shqiponja. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, duhet të jenë të pajisur me biletë dhe me kartë identiteti dhe të mos kenë me vete; sende të forta; shishe; fishekzjarre; monedha apo metale; çelësa të ndryshëm, apo banderola me mbishkrime nxitëse dhe raciste. Në të kundërt, nuk do të lejohen të futen në stadium. Në hyrje të stadiumit do të kontrollohen të gjithë sportdashësit.
Njoftojmë administratorët e bizneseve, që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të stadiumit se nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, të tregohen mirëkuptues, duke mbyllur aktivitetet e tyre.