“Poker” kuqezi ndaj Lituanisë, vals i “orkestrës” së De Biazit

520
Sigal

MIQËSORE SHQIPËRI-LITUANI 4-1/ Dopjetë e Edgar Çanit, eurogol i Alban Mehës dhe rrjetë e ëmbël e Migjen Bashës

Shqipëria shkatërroi 4-1 Lituanin, në miqësoren e zhvilluar në “Qemal Stafa’, duke dëshmuar se “kuqezinjtë” e Xhani De Biazit, është bërë më e bukur. Një ndeshje e dominuar nga minuta e parë dhe deri te vërshëllima e fundit e gjyqtarit bullgar Stojanov, falë një eurogoli të Alban Mehës, dopjetës së Edgar Çanit dhe “blerjes” më të re, Migjen Bashës. Suksesi ndaj Lituanisë, që na kishte mundur 2-1 në vitin 2006, po në Tiranë, ishte i 34-ti në 91 ndeshje miqësorë. Për Xhani De Biazin kjo ishte fitorja e gjashtë në 12 ndeshje, tri në takime zyrtare dhe tri në miqësore, duke qenë ai më i suksesshmi i të gjitha kohërave. Tashmë portreti i Shqipërisë është rritur në piacën ndërkombëtare, jo vetëm me lojtarët e rinj që janë afruar, por dhe të ëndërrojmë për të shkuar në finalet e Botërorit “Brazil 2014”.

 PJESA E PARË – Trajneri De Biazi hodhi në fushë vetëm katër lojtarë nga ai që luajti në fitoren ndaj Norvegjisë. Mungoi kapiteni Lorik Cana në mbrojtje, ndërkohë që ishte mbrojtësi Andi Lila, edhe pse ky ashtu si Cana do të mungojnë në ndeshjen qershorit kundër Norvegjisë. Formacioni titullar që zbriti në miqësoren e dytë kundër Lituanisë ishte: në portë, Berisha; në mbrojtje: Agolli, Osmani, Mavraj, Lila, në mesfushë: Meha, Basha, Lilaj, Rama, ndërsa në sulm ishte Bogdani dhe Çani. Shqipëria e nisi me entuziazëm minutat e para, nisur edhe nga fitorja në Norvegji, duke ushtruar presion. Gjithsesi, nisur edhe nga kushtet e renduara të terrenit manovra është paksa e ngadaltë. Në të 18-të, Sabien Lilaj fitoi një goditje këndi, por pa rrezikuar portën e lituanezët, ndërkohë që pas pak sekondash provuan të gjuajë edhe Valdet Rama me Alban Mehën. Edhe Lituania provoi disa herë të gjejë kuadratin, por pa sukses përballë murit të ngritur nga Etrit Berisha. Ndërrimi i parë u fiksua në minutën e 23-të,  është për heroin e Oslos, Etrit Berishën, që i lë radhën Samir Ujkanit. Për Berishën kjo ishte ndeshja e gjashtë: katër miqësore (Iran, Moldavi, Kamerun, Gjeorgji) dhe dy zyrtare (Slloveni, Norvegji). Shtyllë e Shqipërisë në minutën e 27-të, fati nuk ishte me Kombëtaren tonë. Faza ofensive e Kombëtares sonë kaloi e gjitha nga ana e Alban Mehës dhe Valdet Ramës, të cilët furnizuan vazhdimisht Edgar Çanin dhe Erjon Bogdanin. Alban Meha ekzekutoi një gjuajtje të lirë nga rreth 40 metra dhe 1-0, në minutën e 32-të. Një gol me një silurë të jashtëzakonshme, që e la të çoroditur portierin kundërshtar. Alban Meha bëhet lojtari i 79-të i Shqipërisë që, shënon të paktën një gol. Në fakt, gjuajtjet e lira janë mjeshtëria e Albanit. Edgar Çani dyfishoi rezultatin në minutën e 37-të, duke dëshmuar hegjemoninë e plotë të Shqipërisë. Për sulmuesin e Katanias ky është goli i katërt i tij me Kombëtaren, duke u barazuar kështu me disa nga legjendat e mëdha të futbollit tonë: Pal Mirashi, Qamil Teliti, Panajot Pano dhe Edvin Murati. Çani ka shënuar dy gola në ndeshjet zyrtare (Qipro, Islandë) dhe dy në miqësore (Gjeorgji, Lituani). Një Shqipëri tepër e motivuar, ndërkohë që trajneri Xhani De Biazi duket se i ka dhënë Kombëtares sonë, jo vetëm grintën e munguar, por dhe mentalitetin fitues. Goli 3-0 është pronë e Migjen Bashës, me një goditje teknike dhe finesë ën minutën e 43-të. Edhe për Bashën ky ishte goli i parë me fanellën e Kombëtares. Basha ka fatin të jetë lojtari i 80-të që, shënon me Shqipërinë. Ia ka vlejtur ajo këmbëngulje e gjatë e De Biazit dhe të Federatës Shqiptarë të Futbollit, për ta veshur Migjenin me fanellën kuqezi. Përvoja e tij e gjatë në kampionatin italian i ka dhënë potencialin e duhur. Kurrë më parë, Shqipëria nuk e kishte fituar pjesë e parë me rezultatin 3-0. Alban Meha, Migjen Basha dhe Valdet Rama dhuruan spektakël në mesfushë, duke i dhënë oksigjen lojës.

 PJESA E DYTË – Trajneri De Biazi nuk bëri asnjë ndryshim në formacion. Andi Lila pati rastin më të mirë për të shënuar golin e katërt, por gjuajtja e tij kaloi ngjitur me portën e mbrojtur nga Setkus. Shqipëria këmbënguli fort, në kërkim të golit të katërt, dhe arrin ta gjejë atë me anë të Edgar Çanit, i cili shfrytëzoi në maksimum një rreshtim të gabuar të mbrojtjes lituaneze. Minuta e 59-të: Shqipëri-Lituani 4-0! Autogol i Palionisit të Lituanisë, në favor të Shqipërisë. Një ndeshje që, nuk ka më histori, por që kërkon të arrijë gjashtë golat e realizuar kundër Qipros, 6-1, të arritur në kohën e Josip Kuzhesë, në gusht të vitit 2008. De Biazi futi në lojë dy Armandot, Vajushin dhe Sadikun, respektivisht në vend të Valdet Ramës dhe Edgar Çani. Lituani kërkoi me ngulm golin e nderit, duke qenë shumë afër në minutën e 66-të, por Ansi Agolli ua mohoi atë. Në lojë dhe kapiteni Lorik Cana, në vend të kapitenit të ndeshjes, Erjon Bogdani. Një përfaqim midis të dyve. Një gjest që, u duartrokit gjatë nga shikuesit. Gjithsesi, në minutën e 75-të, Litunia shënoi golin e saj, me anë të zëvendësuesit Razilius, kjo dhe për shkak të uljes së ritmit të lojës dhe ndonjë vetëkënaqësie, por dhe për shkak të gjendjes së rënduar të terrenit të “Qemal Stafës”, në një gjendje aspak të mirë. Minuta lojë dhe për Jahmir Hykën në vend të Alban Mehës, ndërkohë që në vend të Andi Lilës luajti në dhjetë minutat e fundit, Elseid Hysaj. Në minutën e 83-të, Franc Veliu i Flamurtarit hyri në lojë në vend të Ansi Agollit. Një fitore e thellë dhe e merituar e Kombëtares sonë, që erdhi vetëm katër ditë pas suksesit ndaj Norvegjisë në Olso.

  MIQËSORE

SHQIPËRI-LITUANI  4-1

Shënues: Meha 33’, Çani 37’, Basha 43’, Palionis 59’ (autg.)/ Raziulis 75’

E martë, 26 mars 2013, stadiumi “Qemal Stafa”

  SHQIPËRIA (4-4-2): E.Berisha (Ujkani 23’), A.Lila (Hysaj 79’), Mavraj, Osmani, Agolli (Veliu 83’), Meha (Hyka 76’), Basha, S.Lilaj (Vila 81’), Rama (Vajushi 64’), Çani (Sadiku 64’), Bogdani (Cana 70’). Trajner: De Biazi

 LITUANIA (4-4-2): Setkus (Zubas 62’); Andriuskeviçius (Mikoliunas 86’), Palionis, Freidgeimas, D.Çesnauskis; E.Çesnauskis, Bartkus (Dapkus 74’), Pilibaitis, Çernychas (Evaldas 46’), Novikovas (Kalonas 65’), Matuleviçius. Trajner: Ksaba Laszlo

 GJYQTAR: Ivaylo Stojanov (Bullgari)

  Çani barazohet me Panon

 Me golin e shënuar në ndeshjen kundër Lituanisë, Edgar Çani u ngjit në kuotën e katër golave me fanellën e Kombëtares, duke u barazuar kështu duke u barazuar kështu me disa nga legjendat e mëdha të futbollit tonë: Pal Mirashi, Qamil Teliti, Panajot Pano dhe Edvin Murati.

 Gjeorgji-Shqipëri, 2-1 (M)

Shqipëri-Qipro, 3-1 (Z)

Shqipëri-Islandë, 1-2 (Z)

Shqipëri-Lituani 4-1 (M)

 Kapiteni Bogdani

Në mungesë të kapitenit zyrtar, Lorik Cana, shiritin e mbajti golashënuesi më i mirë i Kombëtares, Erjon Bogdani.

 Deputon Rama

Nëse në ndeshjen zyrtare kundër Norvegjisë, debutoi Migjen Basha; kundër Lituanisë luajti për herë të parë Valdet Rama.

Gjyqtarë bullgarë

Gjyqtarët e ndeshjes ishin nga Bullgari, me në krye Stojanovin, ndërkohë që i katërt ishte shqiptari Enea Jorgji.

90 minuta në shi

Thuajse i gjithë takimi u zhvillua në një shi të rënduar, çka ua vështirësoi lojën të dyja skuadrave për të krijuar.

Heroizmi i tifozëve

Edhe pse kushtet e motit ishin të rëndësuara, tifozët kuqezinj nuk e braktisën Kombëtaren, edhe pse në numër të pakët.

  PRECEDENTËT ME LITUANINË

 03.06.1992, Tiranë

Shqipëri-Lituani 1-0

Trajner: Bejkush Birçe

 14.04.1993, Vilnius

Lituani-Shqipëri 3-1

Trajner: Bejkush Birçe

 01.03.2006, Tiranë

Shqipëri-Lituani 1-2

Trajner: Hans-Peter Brigel

 26.03.2013, Tiranë

Shqipëri-Lituani 4-1

Trajner: Xhani De Biazi

 Bilanci: 4 ndeshje; 2 fitore Shqipëria, 2 fitore Lituani. Golaverazhi: 6-6

MIQËSORET E DE BIAZIT

1) 29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

2) 22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri 1-2

3) 27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri 0-1

4) 15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

5) 14.11.2012, Gjenevë

Kamerun-Shqipëri 0-0

6) 06.02.2013, Tiranë

Shqipëri-Gjeorgji 1-2

7), 26.03.2013, Tiranë

Shqipëri-Lituani 4-1

 Bilanci: 7 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 8-6

 U-21,

Shqipëria humbet 2-0 me Azerbajxhanin

 Kombëtarja U-21 humbi 2-0 me Azerbajxhanin, në miqësoren e zhvilluar në Austri. Pjesa e parë u mbyll 1-0, ndërkohë që azerët shfrytëzuan sërish gabimet e mbrojtësit Elvis Prençi. Edhe në ndeshjen e parë me Gjeorgjinë, Shpresat humbën 2-0, teksa barazuan pa gola me një skuadër të Superligës austriake.