Plas te Flamurtari, drejtuesit kundër futbollistëve: “Shitët ndeshjen”

488
Sigal

Këtë herë radhën e kanë drejtuesit, e pikërisht në Vlorë, ku drejtuesit e këtij ekipi bënë dje pas ndeshjes me Partizanin, një deklaratë të fortë, ku u vu theksi tek “turpi që bëri Flamurtari dhe lojtarët e tij”. Një deklaratë tejet interesante ajo e presidentit të klubit, ku përpos të gjithave ka në brendësi edhe një fjali të tipit “Prisni dhe do shihni”, diçka që flet për masat që do të marrë ekipi ndaj disa individëve që dyshohet se kanë rënë dakord për të lënë ndeshjen, duke ndikuar kështu drejtpërdrejtë në rezultatin final. Sipas presidentit, në deklaratën e bërë, do të merren masa ndaj çdo futbollisti të skuadrës, këto vetëm masa administrative, ndërkohë që pas mbledhjes që do të zhvillohet sot, Idrizi ka theksuar se do të ketë edhe masa ligjore, duke lënë të nënkuptohet se dihen emrat e personave që kanë shitur ndeshje, nisur edhe nga togfjalëshi “emrat do t’i mësoni shumë shpejt”, në deklaratën e bërë. Duket se dyshimet për raste të tilla, pra “shitje-blerjet” e ndeshjeve, janë bërë një gjë e zakonshme në futbollin tonë, por këtë herë, ku klubi dënon drejtpërdrejtë futbollistët nuk është se kishte ndodhur. Në këtë rast çfarë duhet menduar? Pikë së pari nuk duhet të vihet në dyshim vërtetësia e fjalëve të një klubi të tërë dhe e vetmja gjë që mund të bëhet është ‘të presim e të shohim……”. Më poshtë po paraqesim të plotë deklaratën e klubit të Flamurtarit, deklaratë që i drejtohet tifozëve dhe sportdashësve.

 “Tifozë dhe sportdashës!

Sot, unë dhe ju, nga televizori pamë turpin e radhës në futbollin shqiptar.

Sot turpin e ka bërë Flamurtari dhe lojtarët e tij. Sot fanella e Flamurtarit është shitur (emrat do t’i mësoni shumë shpejt) dhe mbi të gjitha ia dolën të na marrin trofeun që me aq mund e fituam, trofeun e dinjitetit. Nga sot, marrëdhënia jonë si drejtues ndaj çdo individi në klubin Flamurtari do të rishikohet dhe nga sot të gjithë lojtarët e klubit do të sanksionohen. Kjo është masa administrative, ndërkohë që nga nesër masat do të jenë edhe ligjore. Si president, i kërkoj bordit mbledhje urgjente ditën e nesërme (sot).

Prisni dhe do shihni..

Sinan Idrizi”

Duro:  Ndeshje e rregullt, fitorja ishte e merituar

Ishte një situatë psikologjike, unë  e kam thënë dhe para ndeshjes, në  të tilla situata, në ndeshje të tilla, kur luajmë  me kundërshtarë të fortë në organikë, është e vështirë. Ne jemi para një situatë që duhet të fitojmë, duhet të marrim maksimumin në çdo ndeshje dhe patjetër janë të pranishme këto situata psikologjike. Ju  patë dhe rastet e  shumta për shënim. U ndëshkuam me gol dhe skuadra nuk ishte e qetë në pjesën e parë. Pastaj çdo gjë erdhi duke u vështirësuar. Megjithatë e rëndësishme është që ne arritëm të shënonim dy gola. Dhe pse  kishim mundësi të shënonim përsëri.  Më rëndësi është fitorja e 3 pikëve.