Plarent Ndreca: Sporti, një aset i rëndësishëm për shqiptarët

600
Nga Agron KAJA
LIGJI PËR SPORTET/ Në Ministrinë e Arsimit e Sporteve, u diskutua dje me gazetarët në disa detaje, pa ndonjë konkluzion konkret
Ditën e djeshme, në Ministrinë e Arsimit e Sporteve u aplikua një formë e veçantë diskutimi i Ligjit për Sportet, sa i përket ndryshimeve të tij që ky dikaster ka menduar t’i çojë për miratim në Parlamentin shqiptar. Ky ishte objekti i diskutimit që Ministria përkatëse zhvilloi me gazetarët sportivë, prej të cilëve kërkoi mendime e sugjerime, natyrisht të mundësive të tyre. Dhe ato nuk munguan, ku Sekretari i Përgjithshëm, Plarent Ndreca, nëpërmjet pyetjeve e replikave, kërkoi të “zbulonte” sa më shumë vërejtje, në interes të përmirësimit të draftit me ndryshimet e bëra nga zyrtarët e Ministrisë së Arsimit e Sportit. “Ne si Ministri jemi të hapur që të mbajmë në konsideratë edhe mendimet tuaja për këtë Ligj të Sportit, ndaj edhe kjo tryezë është pikërisht me ju, njerëzit që në media keni bërë publike çdo moment të sportit në vendin tonë. Në këndvështrimin tonë, sporti është një aset i rëndësishëm për shqiptarët, dhe sot për ne është një moment përgjegjshmërie për të bërë ndryshimet e tij”, kështu e nisi këtë bashkëbisedim sekretari Ndreca, i cili jo vetëm që iu përgjigj pyetjeve e vërejtjeve të gazetarëve, por duke iu bërë edhe interpretimin juridik, ndoshta i afroi gazetarët më shumë me përmbajtjen e tyre. Në njërën nga pyetjet interesante për FSHF-në, Ndreca deklaroi, se ajo e ka shpërfillur çdo vit fondin grant që Ministria i ka akorduar asaj, njëherësh edhe federatave të tjera sportive. “Ky ligj nuk ka asnjë problematikë për sa u përket fondeve që Ministria u akordon çdo vit federatave sportive, ku brenda tyre është edhe FSHF-ja. Ne si ministri, në këtë Ligj kemi krijuar mundësinë e aplikimit për fonde nga çdo federatë, kundrejt projekteve, ndërsa FSHF-ja nuk e ka bërë këtë veprim”. Por, në këtë diskutim u krijua përshtypja se FSHF-ja ishte shpërfillëse në disa detaje të Ligjit, teksa erdhën në kujtesë detyrimet e KAS-it shqiptar që funksionon në KOKSH. Sipas Plarent Ndrecës, FSHF-ja duhet t’i bindet KAS-it, sepse vetë është anëtare e KOKSH-it. “Nëse FSHF-ja ka patur raste që nuk e ka njohur KAS-in si organ arbitrazhi sportiv, kjo nuk do të thotë se në këtë Ligj për Sportin ne ta hiqnim si varësi. Jo, sepse vetë FSHF-ja është anëtare e KOKSH-it dhe si OJQ që janë, duhet që ti përgjigjen zyrtarisht këtij organi. Kështu ndodh edhe me klubet sportive që falimentojnë financiarisht, por këtu ndryshon gjithçka në raport me Ligjin, i cili nuk i rregullon dot disa marrëdhënie ku shteti nuk mund të bëjë drejtësi sportive. Me këtë rast, ne në Ligj nuk ndërhyjmë në rregullat e brendshme të OJF-ve, sepse atë e bën statute i çdo federate sportive në vendin tonë”. Në fakt, në morinë e pyetjeve, vërejtjeve sugjerimeve që gazetarët e pranishëm në takimin e djeshëm në Ministrinë e Arsimit e Sporteve, për Ligjin për Sportet, treguan njëherësh edhe disa nga ndodhitë reale gjatë punës së tyre, për të cilat ata menduan se duhet të hyjnë në ndryshimet që kjo Ministri ka parashikuar t’i çojë për miratim në Parlament. Duke kujtuar përplasjen që dhjetë vite më parë që FSHF-ja kishte me MTKRS-në e atëhershme, zoti Ndreca theksoi, se tashmë pozicionet janë më të përcaktuara. Por, njeri nga momentet që kërkoi më shumë interpretim, ishte edhe përcaktimi i shpërblimit për sportistët shqiptarë që garojnë në Kampionate Ballkanike, sepse Ligji në shpërblime njeh vetëm ata që marrin pjesë në Kampionate Evropianë, në Botërorë dhe në Lojëra Olimpike. “Ligji nuk e ndalon dhe nuk e përjashton shpërblimin e sportistëve që garojnë në Kampionate Ballkanike, dhe siç ishte rasti i fundit me atletin Izmir Smajlaj. Ky ligj është një hap para, ndërsa për të tilla raste, kur kemi Kampionë Ballkani që japin impakt, vetë Ministria ka mekanizma për shpërblimin e tyre. Ligji në frymë, ka demokraci me tepricë”. Deri në mbylljen e këtij bashkëbisedimi që zgjati më shumë se 90 minuta, jo vetëm Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit e Sporteve, por edhe drejtori i Sporteve në këtë Ministri Vladimir Gjonaj, si edhe deputeti Fidel Ylli, me ndërhyrjet e tyre u munduan që “meraqet” e gazetarëve të silleshin në versionin e ndryshimeve në Ligjin e ndryshuar për Sportet.
Ky ligj nuk ka asnjë problematikë, për sa u përket fondeve që Ministria u akordon çdo vit federatave sportive, ku brenda tyre është edhe FSHF-ja. Ne si Ministri, në këtë Ligj kemi krijuar mundësinë e aplikimit për fonde nga çdo federatë, kundrejt projekteve, ndërsa FSHF-ja nuk e ka bërë këtë veprim
Deputeti Fidel Ylli: Lozanën e kemi sjellë në Tiranë
I pranishëm në diskutimin e djeshëm me gazetarët sportivë, deputeti i Parlamentit shqiptar Fidel Ylli, edhe në cilësinë e deputetit që ka punuar për këtë draft ndryshimesh, solli moment që kërkojnë domosdoshmërish ndryshimin. “Nga ana jonë, është bërë një Ligj, të cilin nuk do të kemi nevojë ta ndryshojmë për 15 apo 20 vitet e ardhshme. Për herë të parë bëhet një formë e tillë nga kjo qeveri e përgjegjshme, e cila Ligjin për Sportin e ka diskutuar me grupet e interesit, me specialistët e ndryshëm të sporteve, me jurist në mbi 25 takime të veçanta, e tashmë edhe me gazetarët sportivë. Të gjithëve ju kemi kërkuar mendimin, që në rastin e KAS-it, ta sjellim Lozanën në Tiranë. Ligji i jep pavarësi KAS-it (Këshilli i Arbitrazhit Sportiv), si gjykatë sportive, që të mos endemi në gjykatat e Evropës”, deklaroi mes të tjerave deputeti Ylli, i cili u ndal edhe tek dopingu, tek infrastruktura dhe financat që janë parashikuar të ndryshojnë në këtë Ligj.
Vladimir Gjonaj: Bashkitë, më pranë grupeve të interesit
Në ndërhyrjet e pakta të tij, por në kohën e duhur, Drejtori për Sportet në Ministrinë e Arsimit e Sporteve, Vladimir Gjonaj, qartësoi fillimisht “PSE”-në e mos dhënies shpërblim për sportistët fitues në Kampionate Ballkanike. “Sa i përket eventeve ballkanike, ne nuk mund të fusim në Ligj shpërblime, pasi aty dalin edhe rezultate të ulëta që nuk e simulojnë sportin. Në raste të veçanta, sikundër edhe atleti Izmir Smajlaj që doli Kampion Ballkani në kërcim së gjati, ne si Ministri kemi mekanizma të tjerë shpërblimi që shkojnë deri në 5 milionë lekë (të vjetra)”, deklaroi drejtori Gjonaj, i cili qartësoi edhe disa detaje për pronat e shtetit në sport, duke iu referuar qendrave olimpike që janë dhënë në varësi të bashkive. “Pronat e shtetit që u janë dhënë bashkive, kanë parasysh faktin, se ato janë më pranë grupeve të interesit, por gjithmonë ato janë pronë e pushtetit qendror. Kështu ka ndodhur me Qendrën Olimpike në Tiranë që ju dha në përdorim bashkisë”.
“Sporti” është tërësia e veprimeve psiko-fizike, që synojnë zhvillimin e ushtruesve, argëtimin, edukimin, ruajtjen dhe forcimin e shëndetit, përmirësimin e mirëqenies së gjithanshme të tyre dhe arritjen e suksesit në garat sportive
Sigal