Plani i merkatos së janarit, Partizani do kërkojë përforcime nga Lacio

516
Partizani është i vendosur që të zhbëjë gabimet e merkatos së verës, kur lejoi largimin e disa titullarëve, si dhe afrimin me shumicë të lojtarëve që rezultuan të padobishëm në arritjen e objektivit madhor. Pas ndryshimit të stafit teknik, ku komanda kaloi nga Mark Iuliano te Sulejman Starova, Partizani pritet për një tjetër revolucion në janar.
Revolucionet e shpeshta në kampin e kuq më shumë kanë sjellë pështjellime se sa progres. Gjithsesi, “operacioni i dimrit” është më se i nevojshëm kësaj radhe, në mënyrë që ekipi të kthehet në binarët e kërkuar. Pas eliminimit nga Liga e Europës, drejtuesit kishin objektiva të tjerë në merkato, të cilët u devijuan rrugës. Asokohe Starova pohoi se Partizani duhet të ndërhynte në qendër të mbrojtjes, gjetja e një fantazisti, përforcimi i krahëve, si dhe afrimi i një sulmuesi “pykë”. Asokohe u lakuan disa emra, si Bregu, Abazaj, Shameti, Teqja, Taku, Soue, apo rikthimi i Torasës, por drejtuesit italianë të merkatos kishin ide të tjera, të cilat nuk rezultuan efikase.
Ndaj, gjatë merkatos së janarit pritet që Partizani t’i kthehet sërish pistës së disa emrave të lakmuar në verë, por tashmë afrimi i tyre është më i vështirë, pasi janë nën kontratë me klubet ku aktivizohen. Për afrimin mund të përdoret edhe karta e huazimit të ndonjë lojtari, që nuk ka gjetur hapësirë te “demat”, plus blerja e kartonit.
HUAZIME NGA LACIO
Partizani nuk do të heqë dorë nga tregu italian edhe në merkaton e janarit. Në mungesë dhe në pamundësi për të gjetur alternativa në Shqipëri, një pistë shpëtimi shikohet edhe tregu i huaj. Në këtë aspekt mësohet se Partizani do të kërkojë ndihmën e ish-lojtarit të kuq dhe të kombëtares, Igli Tare, i cili po rezulton shumë i suksesshëm në punën e tij te Lacio.
Edhe gjatë merkatos së verës Partizani synoi elementë nga Lacio, siç ishte rasti i sulmuesit Brajan Perea. Kolumbiani i huazuar nga lacialët në sezonet e fundit shikohej si një alternativë potenciale për të zëvendësuar Ekubanin, por ai nuk preferoi që të transferohej në Shqipëri. Lacio kërkoi që ta huazonte Perean në verë për të liruar një vend si ekstrakomunitar, por në fund mbeti pjesë e klubit. Kolumbiani nuk ka luajtur asnjë minutë me Lacion deri tani, kështu që Partizani do ta synojë sërish huazimin e tij. Ndihma e Tares do të kërkohet në gjetjen e ndonjë lojtari potent për sulmin e Partizanit.
Sigal