Pikat e forta të projektit “Duka 4”

507
Sigal

Presidenti i FSHF-së zbuloi në “Albania Screen” se, përse e kërkon mandatin e katërt

Luftë pa kompromis ndaj trukimeve të ndeshjeve dhe reformim në strukturën e brendshme

 Më 9 mars të vitit 2010, Armando Duka u zgjodh për herë të tretë si Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, duke grumbulluar 49 vota, ndaj 15 vota që mori Refik Halili dhe një vote te vetme të Rudi Vatës, dy kandidatëve rivalë. Tashmë, numri  një i FSHF-së e bëri publike kandidimin për mandatin e katërt presidencial duke ofruar para kohe edhe projektin e tij “Duka 4”.

Me një përvojë të madhe institucionale dhe administrative, Duka është shumë i qartë se i ka të gjitha argumentet në favorin e tij. Megjithatë, ai tani është më i bindur se kurrë se duhet të lërmë gjurmë historike në futbollin shqiptar dhe jo vetëm të mbahet mend si presidenti më jetëgjatë. Duka e fitoi mandatin e tij të parë në vitin 2002, duke e rifituar sërish në 2006 dhe 2010. Ai bërë të qartë në “Skaner Kampionat” projektin e tij, për një reformim në strukturën e brendshme të federatës, zgjidhjen e problematikave dhe shumë çështjeve të mbetura pezull, sikundër janë trukimet apo problemet me FIFA-an në lidhje me stadiumin e ri, që pretendohet të jetë gati në 2016-tën. “Do të shohim zhvillimet për sa kohë drejtimin e kësaj organizate nuk i ofrohet ndonjë alternativë, ndoshta edhe nuk mund të vazhdojmë. Për sa kohë vazhdon pasioni vazhdon dhe dëshira për të vazhduar. Deri tani është një ekip që vazhdon të kërkojë të dalë gjithmonë të  dalë kampion përderisa nuk ka një ekip tjetër për ta mundur”,- tha i sigurt Duka.

STADIUMI

Një nga projektet më të mëdha të FSHF-së është ndërtimi i stadiumit të ri Kombëtar, me një kosto që mund të shkojë deri në 30 milionë euro. “Është një projekt shumë i madh nuk mund të përfundoj për një ditë. Më 6 dhjetor përfundon tenderi, i cili besoj se do ketë të interesuar. Mënyra e bashkëpunimit që  kemi propozuar është bashkëfinancimi. Ne do financojmë një pjesë dhe i kemi kërkuar këtë edhe qeverisë. Ne do paguajmë 10 milionë euro dhe po kaq i kemi kërkuar qeverisë. Pjesa tjetër presim  donatorët. Kemi pas takim me përfaqësuesit. E vetmja gjë që mund të na pengojë është leja e ndërtimit dhe procedurat. Nuk besoj se qeveria do na pengojë në këtë drejtim. Ata kanë mënyra për ta lehtësuar këtë proces. Nuk besoj se ata do na nxjerrin probleme me lejen dhe kam besim se do na i  lehtësojnë procedurat në këtë drejtim. Besoj se në 2016 stadiumi mund të përfundojë. Ndeshjet e kombëtares mund të zhvillohen në Elbasan Durrës dhe Shkodër. Ne duhet ta zgjidhim sa më shpejt këtë çështje, pasi është delikate”.

KAMPIONATI

Njëshi i FSHF-së theksoi se, skema aktuale e kampionatit ofron më shumë garë dhe rivalitet. “Po, për vetë formatin që ka, duke qenë se në fund do të bien katër skuadra dhe katër të tjera luajnë për Europën, them se është i dyluftueshëm. Por, përveç kësaj, ky sezon ka prodhuar edhe më shumë lojë, tifozë nëpër stadiume dhe uroj që të kemi deri në fund një kampionat ku mund të themi se kemi bërë dy hapa para dhe jo një hap pas. Ka prodhuar garë, por edhe për numrin e spektatorëve përbën risi, pasi kemi parë stadiume të mbushura plot pas shumë vitesh. Prodhon emocione të forta, të cilat kanë prodhuar dhe ngjatje të shëmtuara. Pas viteve 2000 kemi pasur disa raste të pahijshme dhe përplasje  të disa drejtuesve ose disa tifozëve të thekur. Ka edhe raste ekstreme,por nuk mund ti etiketosh raste dhune.

ZYRË ORGANIZIMI

Një nga shqetësimet e Dukës kishte të bënte me anën financiare të klubeve tona, që jo shpesh herë ka provokuar situata të vështira. “Janë bërë hapa përpara në këtë drejtim. Klubet kanë hyrë në hapat e parë për të garantuar veten e tyre. Është e papranueshme që klubi të mos bazohet në të ardhurat e veta. Nuk jemi ende në këtë fazë, por shpresojmë në përmirësimin e klimës në futboll dhe të shkojmë  drejt kësaj. Organizimi i vetë klubit është aspekti më i rëndësishëm për një skuadër. Federata është produkti i këtyre klubeve. Ne duhet të jemi bashkëvuajtës të kësaj situate, pasi menaxhojmë të ardhurat. Ne mundohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin  në këtë drejtim. Vitin tjetër do kemi një zyrë që do merret me organizimin e klubeve në bashkëpunim me FIFA-n. Ne do ndihmojmë  klubet të mbajnë veten financiarisht. Kemi sanksionuar se klubet duhet të kenë një formë juridike sipas legjislacionit shqiptar. Një pjesë e mirë e kanë përmbushur këtë detyrë dhe i kemi kaluar tashmë hapat e para”, – tha Presidenti Armand Duka.

  20 milionë euro investime

 “Kemi shpenzuar rreth 20 milionë euro në fusha dhe sisteme ndriçimi. Janë rreth 15 fusha artificiale në qytete të tilla si Elbasan apo Durrës”, – tha Duka. Presidenti i FSHF-së nuk e konsideroi një lajm të mirë “thashethemin” e përhapur se, Qeveria synon ta përdorë ish-kompleksin “Dinamo” si Qendër për stërvitjen e Policisë. “Ne e kemi bërë atë fushë me ndihmën e UEFA-s dhe ajo ka kushtuar rreth 300 mije euro. Pse duhet ta shkatërrojmë këtë investim? Duhet të mendojmë për argëtimin e fëmijëve tanë, pasi ata nuk kanë mundësi argëtimi. Komuniteti sportiv i ka përcjell me sportivitet të gjitha ngjarjet, ndaj nuk besoj se do ketë reaksion”.

 Njëshi i futbollit: “Do të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë, për të dënuar çdo rast”

 “Trukimet, çështja e ditës”

 Trukimet janë shndërruar në problem i madh në botën e sportit, pasi manipulimi i rezultateve ka kompromentuar garën, por dhe i ka sjellë shumë futbollit. “Problem tjetër për federatën mbeten dhe trukimet, por në këtë aspekt bashkëpunimi me organet përkatëse, përfshirë FIFA-an, është luftuar dhe reduktuar numri i këtyre fenomeneve të cilat janë prezente jo vetëm këtu por në të gjithë botën. “Trukimet janë çështja e ditës në të gjithë botën. Ne kemi pasur probleme në këtë drejtim sezonin e fundit. Informacionet nga kompanitë e basteve janë thelbësore në këtë drejtim dhe ne po bashkëpunojmë me autoritetet përkatëse. Unë uroj të kemi sa më pak raste të tilla, pasi kemi bërë përpjekje në këtë drejtim. Ne kemi ndryshuar edhe formatin e Kupës së Shqipërisë dhe kjo ishte një nga arsyet pse UEFA ishte këtu. Bashkëpunimi ynë me këta të fundit ka qenë shumë i mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Kërkuam takim me prokurorinë për këtë çështje, pasi ata janë kompetentë që mund të japin fakte dhe vendime në lidhje me këtë çështje.

“Jemi të barabartë me të gjithë klubet”

 Ecuria negative e Tiranës në kampionat ishte edhe në vëmendjen e kreut të FSHF-së: “Nuk ka menaxhim, çka është fare e qartë. Nuk funksionon si shoqëria aksionare, edhe pse teorikisht është e tillë. Nuk funksionon as si kooperativë e bashkuar, ndaj edhe sot gjendet aty ku është. Nuk besoj se fajin e ka pasur Nevil Dede apo Alpin Gallo që u larguan. Nuk jam shumë i saktë, por më duket se Bashkia e Tiranës financon shumë parà te Tirana, ndoshta po aq sa harxhohen edhe te Skënderbeu, që është kampioni në fuqi. Pra, është thjesht keqmenaxhim, pasi nuk besoj se ka lojtar që, teorikisht, nuk dëshiron të shkojë te Tirana. Ne duhet të jemi të barabartë me të gjithë klubet. Me Partizanin jemi marrë shumë, pasi ata kishin probleme ekonomike. Tashmë ata kanë kaluar në pronësi të dikujt dhe këtu ka përfunduar misioni jonë. Ne nuk jemi të lumtur që një skuadër si Tirana të zhduket, por nuk është se kemi shumë mundësi për t’i ndihmuar. Ata janë keq nga pikëpamja menaxheriale dhe nuk funksionojnë si shoqëri aksionare. Bashkia financon shumë për të, por siç thash mungon pjesa e një menaxhimi të mirë. Me donatorët që ka Tirana sot duhet të filloj të ndryshoj diçka në këtë drejtim”.