Pikantet dhe kuriozitetet e Superligës

64

Skënderbeu, me sulmin prodhimtar. Partizani, mbrojta më e hekurt. 450 gola në 198 ndeshje

Teksa kampionati i 75-të i Kategorisë Superiore i ka shpallur verdiktet e tij: Skënderbeu kampion dhe në Ligën e Kampioneve; Kukësi e Laçi në Ligën e Europës si dhe Besa, Kastrioti, Lushnja e Besa në Kategorinë e Parë, është koha për t’i bërë një bilanc të detajuar asaj që ofroi ky sezon tepër i diskutuar me 198 ndeshjet e tij. Skënderbeu, për të katërtin vit rresht, duke e shndërruar Korçën në një kryeqendër futbolli dhe që dominon ndaj tri skuadrave të kryeqytetit, të cilat së bashku kanë fituar 57 nga 75 nga kampionatet e luajtura, pra 76% të tyre. Tirana, rekordmenia e 24 titujve, për herë të fundit është shpallur kampion në sezonin 2008-2009 (pra, 5 vjet pa trofe); Dinamo e 18 titujve, për herë të fundit ka fituar 2009-2010, ndërkohë që Partizani i 15 trofeve, për herë të fundit e ka fituar kampionatin në sezonin 1992-1993, pra 21 vjet më parë.

TITULLI I KATËRT

Katër kampionate rresht për korçarët: 2010-2011, 2011-2012, 2012-2013 dhe 2013-2014, duke barazuar rekordin historik të Dinamos në vitet 1950-1954.  Gjithsesi, titulli i parë i korçarëve daton në vitin 1933! Pesë tituj kampion ka fituar Skënderbeu gjatë historisë së tij futbollistike që ka nisur në vitin 1930. Korçarët e fituan titullin e parë në vitin 1933 (Kampionati i 4-t Kombëtar, trajner Qemal Omari), sezonin 2010-2011 (Kampionati i 72-të) me dyshen e trajnerëve Shkëlqim Muça dhe më pas Shpëtim Duro, në sezonin 2011-2012 (Kampionati i 73-të) me trajner Stanislav Levin; në 2012-2003 dhe 2013-2014 me Mirel Josën.

SKUADRAT KAMPIONE

Skënderbeu është skuadra e pestë nga rrethet që fiton të paktën një titull kampion, pas Vllaznisë (9), Elbasanit (2), Flamurtarit (1) dhe Teutës (1). 75 kampionatet e zhvilluara deri tani të Kategorisë Superiore janë fituara nga tetë skuadra: Tirana (24 herë), Dinamo (17), Partizani (15), Vllaznia (9), Skënderbeu (5), Elbasani (2), Teuta (1) e Flamurtari (1). Mirel Josa fitoi titullin e tretë si trajner. Të parin ai e ka fituar me Tiranën në sezonin 2003-2004, atje dhe ku është formuar si lojtar e trajner. Dy titujt e tjerë i ka fituar me Skënderbeun, në sezonet 2012-2013 dhe 2003-2014.

198 NDESHJE

Në 33 javë kampionati figurojnë 198 përballje, edhe pse jo të gjitha janë luajtur në fushën e blertë, duke pasur parasysh dënimin e dhënë nga komisioni i disiplinës për Bylisin si dhe braktisja e javës së fundit nga ana e Besës. Në këto ndeshje janë regjistruar 150 fitore, që korrespondon me të njëjtin numër humbjesh dhe 48 sfida të mbyllura në barazim.

450 GOLA

Në total në këtë kampionat janë shënuar 450 gola ose mesatarisht 2.27 gola për ndeshje. Skënderbeu udhëheq përsa i përket numrit të golave të shënuar, plot 52 të tillë që dhurojnë një mesatare prej 1.57 për ndeshje, duke shënuar 11.5 % të të gjithë golave të shënuar në këtë kampionat. Për të qëndruar tek golat Partizani regjistron mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me 26 gola të pësuar që do të thotë 0.7 gola për ndeshje. Nga skuadra e Skënderbeut ka dalë dhe goleadori i kampionatit. Pero Pejic shënoi 20 gola dhe asnjërin prej tyre me penallti.

RENDITJA NË SHTËPI

Nëse Skënderbeu është në krye të kampionatit në renditjen përfundimtare nuk ndodh kështu përsa i përket klasifikimit brenda dhe jashtë fushe. Skema e këtij kampionati me tre faza detyron që ekipet të kenë një ndeshje më shumë ose në shtëpi ose në transfertë, në bazë të renditjes përfundimtare në fazën e dytë. Kështu skuadra më e fortë në shtëpi është Laçi që ka grumbulluar 40 pikë nga 54 që ka në total. Kurbinasit e kanë kthyer në kështjellë fushën e tyre ku kanë regjistruar 13 fitore, një barazim dhe 3 humbje. Në vendin e dytë në këtë renditje është Teuta që ka grumbulluar 39 pikë me 12 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje në “Niko Dovana”. Vetëm vendi i tretë për Skënderbeun që ka grumbulluar në shtëpi 38 pikë me 12 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.

RENDITJA NË TRANSFERTË

Ndërkohë klasifikimin në transfertë për këtë kampionat e udhëheq skuadra nënkampione Kukësi, që në 16 javë ka grumbulluar 24 pikë me 7 fitore, 3 barazime dhe 6 humbje. Një pikë pas tyre qëndron Skënderbeu me 6 fitore, 5 barazime dhe 5 humbje. Në mënyrë surprizë në vendin e tretë gjendet Flamurtari më 21 pikë të grumbulluara në transfertë, që kanë qenë dhe pika më e fortë e vlonjatëve këtë sezon.

ZBRITJA E PIKËVE

Në këtë sezon ishte Flamurtari ai që u dënua me zbritjen e tri pikëve. Vlonjatët u ndëshkuan pas incidentit të tifozëve me presidentin e Skënderbeut, Adrian Takaj në ndeshjen e javës së 2-të, Flamurtari-Skënderbeu. Fitore 3-0 në tavolinë, pas ndeshjeve të zhvilluara morën Vllaznia ndaj Kukësit (rezultati origjinal 3-1 për Vllazninë) dhe Laçi ndaj Bylisit (rezultati origjinal ishte 0-0). Përjashtimi i Bylisit prodhoi 9 fitore 3-0 në tavolinë. Përfituesit ishin: Skënderbeu, Lushnja, Kastrioti, Vllaznia, Tirana, Flamurtari, Besa, Teuta dhe Kukësi.

 Milionat që fituan ekipet

 Në fund të sezonit futbollistik 2013-2014, klubet e Superiores bëjnë bilancet e sezonit përsa u përket objektivave, ku rëndësi të veçantë kanë edhe zërat financiare. Titulli i katërt radhazi kampion i Skënderbeut, i pesti në historinë, i mbush me rreth 30 milionë lekë arkat e klubit korçar. Në bazë të rregullores së Federatës Shqiptarë të Futbollit, ekipi kampion i Shqipërisë përfiton 10 milionë lekë si shpërblim për këtë arritje, ndërsa 140 mijë Euro, që bëjnë gati 20 milionë lekë, Skënderbeut i akordohen nga UEFA vetëm për pjesëmarrjen në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Në rast se kalon turin, korçarët do të marrin sërish 140 mijë euro të tjera. Kukësi, Laçi dhe njëra mes Flamurtarit dhe Teutës, që do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në Europa League, vetëm nga pjesëmarrja në raundin e parë kualifikues të këtij kompeticioni përfitojnë nga 120 mijë Euro secila. Një vlerë të konsiderueshme monetare ka edhe çmimi i “Këpucës së Artë” i fituar nga Pero Pejic, i cili realizoi 20 gola përgjatë kampionatit. Kroati do të marrë 200 mijë lekë shpërblim nga FSHF për këtë çmim individual, i pari në karrierën e tij.

 Kupa vlen 5 milionë lekë

 Nëse Kukësi e ka të sigurt pjesëmarrjen në Europë, lufton në finalen e Kupës jo vetëm për trofeun por edhe për 5 milionë Euro shpërblim që akordon FSHF. Ndërsa suksesi i mundshëm në finalen e Kupës i mbush arkat e Flamurtarit me mbi 20 milionë, pasi përveç premios së FSHF-së do të siguronte edhe pjesëmarrjen në Europa League.

 Elbasani fitoi 3 milionë lekë

 Elbasani, Kampioni i Kategorisë së Parë do të shpërblehet nga FSHF me 3 milionë lekë, ndërsa “Këpuca e Artë” e kësaj kategorie me 100 mijë lekë. Mirëpo ky çmim mund të mos akordohet, për shkak të garës së pandershme në javën e fundit të kampionatit, ku Agastra i Tërbunit parakaloi Raboshtën e Butrintit pasi realizoi 5 gola në një ndeshje.

Dështimi fatal në kampionat dhe eliminimi i hershëm nga Kupa e Shqipërisë

 Partizani, humbësi i madh

 Edhe pse në letër, vendi i pestë në përfundim të një sezoni tërësisht të dyshimtë mund të quhet i suksesshëm për një skuadër që rikthehet nga Kategoria e Parë, mosarritja e në Europë mund të konsiderohet një dështim i madh për Partizanin. Të kuqtë ishin shumë pranë rikthimit pas pesë vitesh në Ligën e Europës, por kryeqytetasit kryen “vetëvrasje”, përtej ndëshkimit nga aleancat e skuadrave të tjerë në dëm të tyre. Aleancat e paralajmëruara prej disa javësh të rivalëve të drejtpërdrejt në luftë për këtë objektiv, i mohuan të kuqve të ishin këtë sezon një prej ekipeve që do të përfaqësonin Shqipërinë në Kupat e Evropës. Takimet e javës së 33-të konfirmuan ekipin 15 herë kampion të vendit përfundimisht jashtë Europës, megjithatë kjo skuadër rezultoi e vetmja e cila luajti ndershmërisht duke sfiduar të gjithë aktorët e sivjetshëm në një garë ku sidomos përgjatë fazës së tretë mjaft skuadra nuk treguan impenjimim maksimal sportiv.

KAMPIONATI

Partizani bëri një sezon me hope, që e shoqëruan atë nga java e parë dhe deri tek e fundit. Në 33 javë, regjistroi 15 fitore, 8 barazime dhe 10 humbje (53 pikë), duke u renditur në vendin e pestë, pas Skënderbeut (61 pikë, kampion), Kukësit (57), Laçit (54) dhe Teutës (54). Ajo që bie në sy, është fakti se kur të kuqve u duhej patjetër të fitonin me rivalët, ata i humbën takimet: 3-1 me Teutën dhe 2-0 me Laçin, ashtu sikundër humbën edhe me Skënderbeun (2-1, ndeshje që përcaktoi edhe fatin e të kuqve).

KUPA

Partizani u eliminua shumë shpejt nga Kupa e Shqipërisë, madje pa mbërritur në fazën çerekfinale. Ndëshkuesi i madh i të kuqve të drejtuar nga Hasan Lika ishte Vllaznia. Pas barazimit 0-0 në “Qemal Stafa”, shkodranët fituan 1-0 në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi” me golin e Alsid Tafilit të realizuar në kohën shtesë (104’). Në turin e parë, Partizani eliminoi Adën e Velipojës (barazoi 1-1 në Velipojë dhe fitoi 3-1 në Tiranë).

TRAJNERËT

Partizanin këtë sezon e drejtuan tre trajnerë: Hasan Lika, Marcio Sampaio dhe Genc Tomori. Lika dështoi ta çonte ekipin të paktën në çerekfinalet e Kupës dhe dha dorëheqjen pas humbjes më Tiranën në javën e 18-të. Bilanci i Likës ishte 8 fitore, 3 barazime dhe 7 humbje (26 pikë nga 54 të mundshmet). Lika u dorëhoq nga Partizani kur skuadra ishte në vendin e 3-të me 27 pikë, po aq sa Kukësi e Laçi, por me një pikë më pak se Teuta e vendit të dytë (Skënderbeu, i pari me 37 pikë). Nën drejtimin e portugezit Sampaio, Partizani zhvilloi 14 ndeshje, ndër të cilat 6 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje. Disfata me Skënderbeun në “Qemal Stafa”, që i minimimizoi mundësitë e Partizanit në Ligën e Europës, e detyroi Sampaion të jepte dorëheqjen. Genc Tomori e drejtoi skuadrën vetëm në një ndeshje, dhe e fitoi atë 4-2 ndaj Lushnjë në “Roza Haxhiu”.

KRAHASIMET E REZULTATEVE

 HASAN LIKA

Ndeshje:             18

Fitore:         8

Barazime:          3

Humbje:             7

Pikë: 26 nga 54 të mundshmet

E la skuadrën në vendin e  tretë me 27 pikë

MARCIO SAMPAIO

Ndeshje:             14

Fitore:         6

Barazime:          5

Humbje:             3

Pikë: 23 nga 42 të mundshmet

E la skuadrën në vendin e pestë me 50 pikë

GENC TOMORI

Ndeshje:             14

Fitore:         6

Pikë: 3 nga 3 të mundshmet

E la skuadrën në vendin e pestë me 53 pikë