Petrit Shehu*/ Vangjel Koja, madhështia dhe krenaria e sportit Shqiptar

1473
Sigal

“Mjeshtri i Merituar i Sportit” përjetoi 40 vjet suksese duke fituar në total 90 trofe

 Në kujtimet e mia të hershme, aty nga vitet 1957-1961 kam njohur nga afër mjeshtrin e madh Vangjel Koja, duke pasur nderin e madh të jem nxënësi i tij, në lojën e bukur dhe inteligjente të volejbollit. Gjatë këtyre viteve, profesor Koja, na mësoi elementët e parë tekniko-taktik me bagazhin e tij mjeshtëror, duke qenë pjesë e ekipit Dinamo, ku “Xhela” kryente njëkohësisht dy role, si lojtar dhe si trajner, pas një përvoje që ai kishte fituar duke qenë se kish luajtur edhe më parë, në disa lloje sportesh, si: volejbollist dhe basketbollist i ekipit Dinamo. Për mjeshtrin Koja, veprimtaritë sportive ishin më të hershme, ku ai kishte provuar dhe luajtur, ne atletikë si: kërcim së gjati (kampion kombëtar), hedhje shtize dhe 10-garist. Në vitet 1949-1951, ai kreu me sukses teknikumin e fizkulturës “Vojo Kushi”, e vetmja shkollë sportive në vitet e para të pas çlirimit, ku kishin dalë edhe mjaft sportistë e sportiste cilësorë, në disiplina të ndryshme, si: futboll, volejboll, basketboll etj. Njohjet e mia me Vangjel Kojën, përkojnë edhe në një periudhë tjetër kohore, atë të viteve 1970-1973, por kësaj radhe unë nuk isha më nxënësi i tij, por në një fare mënyre koleg, duke qenë trajner i ekipit të të rinjve të Dinamos. Këto dy periudha kohore, të njohjes me të, në kujtimin dhe vlerësimin tim ndryshojnë në të gjitha drejtimet dhe aspektet, ku profesor Vangjeli, nga një lojtar cilësor me vullnet e pasion të jashtëzakonshëm dhe kontributiv ishte tashmë një personalitet me famë, në volejboll, duke ngjitur majat më të larta të mjeshtërisë sportive, dhe spikatur kësaj radhe si trajner, duke triumfuar me ekipin e tij Dinamo për 5 vite me radhë (1965-1970), si kampion kombëtar i vendit, titull që ia “rrëmbeu” ekipit të Partizanit, i cili dominonte kampionatin deri atëherë ku kujtoj se në  atë formacion bënte pjesë i madhi Petrit Murzaku…

Personalisht, Vangjel Kojën e kam njohur veç të tjerash, si lojtar I talentuar, si njeri optimist, gjithnjë të qeshur, por po kaq edhe serioz, me një mentalitet realist dhe madje të avancuar. Intelekt natyror, por edhe me një bagazh të fituar ndër vite, gjithnjë kërkues (ku mbizotëronte gjithnjë  shembulli personal) dhe ç’ka është më e rëndësishme, tepër komunikues, me një edukatë shembullore dhe etikë profesionale e shoqërore. Pasioni dhe vullneti I mjeshtrit të madh  për volejbollin dhe sportin në përgjithësi e bënë atë, si e kam cituar edhe më sipër, që me ekipin e Dinamos, jo vetëm të luante si lojtar por edhe të drejtonte ekipin njëkohësisht. Mjeshtri Koja, dallohej për intuitën dhe metodën pedagogjike duke njohur mirë elementët psikologjikë të kësaj loje si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.

Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ishte se njihte mirë çdo lojtar dhe futej thellë në karakterin e secilit, kur dihet që këto elementë kanë shumë rëndësi në lojën e volejbollit

Profesor Koja, nuk e duronte dot mefshtësinë dhe tolerimin profesional, jo vetëm në ndeshje  por edhe në stërvitje prandaj mund të ngrinte hera-herës zërin më shumë se sa duhet, por sa mbaronte ndeshja apo stërvitja ky mjeshtër I madh, të bëhej shok, duke të futur krahun e duke  shoqëruar individë të veçantë, me qëllimin e vetëm për të sheshuar ndonjë hatërmbetjeje apo keqkuptim…

 Mjeshtri Koja ka njohuri të gjera për volejbollin, të cilit i kushtoi 40 vite jetë aktive, nga këto 15 vite si lojtar dhe 25 të tjera si trajner. Në këto njohuri gjithnjë në rritje, mendoj se ai mbarte nga akumulimet dhe përvoja e gjatë, eksperiencën e tij si lojtar, por edhe të rejat dhe informacionet evoluese të volejbollit, të mbledhura si në bashkëpunim me homologët vendas, ashtu edhe me ata të huaj, me të cilët shkëmbente korrespondenca apo bënte takime direkte,me individë dhe institucione të fushës rajonale e ballkanike e më gjerë, duke shfrytëzuar çdo takim e mundësi që i paraqitej, në çdo kohë e vend. Në planin personal, si dhe në fushën përkatëse të volejbollit por edhe të sportit në përgjithësi( kam parasysh lojërat me dorë), Vangjel Koja mund të quhet pa mëdyshje, një person poliedrik. Qysh në kohë rinore të hershme, me sa e kam njohur, ai di të komunikojë në dy gjuhë të huaja, Italisht dhe Rumanisht, ku kjo e dyta ka të bëjë me prejardhjen e tij familjare. Kur kisha përfunduar dhe kisha gati për botim librin “Historia e Sportit Shqiptar 1945-2010” po hasja vështirësi në gjetjen e fotografive të mjaft personave, ku Vangjel Koja u gjend në kohën dhe vendin e duhur dhe me dashamirësi më ftoi në shtëpinë e tij, ku mbeta sa i çuditur por edhe kaq i befasuar, për arshivën që ai mbante, të cilën mund ta kenë zili edhe institucione që merren me sportin. ( ku mund të gjeje foto të lojtarëve që i përkisnin viteve 1950-1960). Në fund pasi më dha fotot që më duheshin, me buzë në gaz më tha: e do edhe foton tënde? Kjo foto i përkiste vitit 1958… E pra vetëm një njeri i tillë me identitet dhe kulturë qytetare, mund të bënte një gjë të tillë. Vetëm një sportist i dashuruar me sportin mund të konsiderohet lavdia dhe krenaria e volejbollit dhe sportit Shqiptar. Vetëm një mjeshtër i madh si Vangjel Koja është një shembull i gjallë dhe frymëzues për brezat që shkuan dhe do të vijnë, një “Ikonë” e volejbollit me tipare të jashtëzakonshme organizative, edukuese, ashtu si qëndron fotografia e tij në Universitetin e Sporteve, bashkë me “Korifenjtë” e tjerë të sportit, ku ai shërbeu si pedagog për shumë vite. Në se një ditë në këtë vend sporti do ketë muzeun e tij, Vangjel Koja, ky mjeshtër i madh që e beri sportin e volejbollit të ngrihej në nivelet më të larta dhe e bëri të njohur në Europë e më gjerë (vendi i 4-t në Europë), patjetër që figura e tij do të zërë vend në atelienë e sportit. Për mjeshtrin Koja, regjimi sportiv ishte një “tabu” e padiskutueshme, gjë të cilën e injektoi fort tek nxënësit e tij, në vite e dekada, si të një rëndësie të dorës së parë dhe të domosdoshëm, për efektivitetin dhe cilësinë e çdo sportisti. Veprimtaria e Vangjel Kojës dhe kontributi i tij në volejboll është me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas viteve 1990, ai emigroi në Itali, ku mori në patronazh ekipe të moshave dhe shpalosi bagazhin dhe vlerat e tij si trajner, ku edhe sot ai jep kontribut me këshillat e tij të vyera, në ekipet e volejbolli shqiptar, ashtu si edhe i biri i tij Landi, duke qenë trajner me ekipe të kategorive të dyta fillimisht, arriti ta nxjerrë ekipin e tij në serine A, në kampionatin Italian, ashtu si kundër edhe bashkëshortja dhe e bija tij janë marrë me sport.

 Rast unikal, trofe pa fund

 Është një rast unikal, që një trajner, me të njëjtin ekip për 29 vjet, të fitojë titullin kampion të Shqipërisë, për 20 vjet, ku shumica e titujve ishin radhazi! Po të marrim të mirëqenë edhe vitin 1986-1987, ku Vangjel Koja nuk e drejtoi ekipin Dinamo, për arsye të paqarta (me shumë gjasa, mund te ketë qenë lajthitje ekipore), mund te kishim edhe 21 tituj kampionë të tij dhe kjo, në një kampionat jo dosido, por me lojtarë mjeshtër që përballeshin në kompeticone europiane, me dinjitet dhe ekipe elitare, çka mund të themi me bindje se, më bukur e më mire, s’ka se si të shpërblehet mundi dhe djersa e një trajneri dhe e ekipit të tij, me një histori suksesesh të shumta që la pas…!

 * Shkrimtar, ish-trajner dhe volejbollist i Klubit Sportiv Dinamo

Vangjel KOJA

Lindur, më 19 prill 1933

  • “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”
  • Dekoruar me “Naim Frashëri” I, II, III
  • Diplomuar në A.E.F.S “Vojo Kushi” (Sot, Universiteti i Sporteve)
  • 1955-1990, trajner i Dinamos, volejboll meshkuj
  • 1965-1990, trajner i ekipi Kombëtar të volejbollit për meshkuj
  • 23 herë kampion më Dinamon,
  • 17 herë fitues i Kupës së Republikës
  • 50 herë fitues i kupave të ndryshme jubilare
  • 2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare
  • 100 ndeshje ndërkombëtare me Dinamon dhe ekipin Kombëtar
  • Vendi i katërt midis skuadrave kampione të Europës në volejboll për meshkuj në vitin 1972

Sezoni          ekipe     ndeshje  faza       bien direkt

2013-2014          12          33          3            4

2012-2013          14          26          2            4

2011-2012          14          26          2            2

2010-2011          12          33          3            2

2009-2010          12          33          3            2

2008-2009          12          33          3            2

2007-2008          12          33          3            2

2006-2007          12          33          3            2

2005-2006          10          36          4            2

2004-2005          10          36          4            2

2003-2004          10          36          4            2

2002-2003          14          26          2            2

2001-2002          14          26          2            2

2000-2001          14          26          2            2

1999-2000          14          26          2            2

1998-1999          16          30          2            3

1997-1998          18          34          2            3

1996-1997          14          26          2            2

1995-1996          18          34          2            2

1994-1995          16          30          2            1