Petrit Haxhiaj: Kampionati ka hyrë në fazë delikate, gara do të mbetet e fortë deri në fund

658
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” specialisti i futbollit shqiptar, ja si i shikon ndeshjet e javës së 22-të të Kategorisë Superiore
Kjo mesjavë është nën efektet e motit me reshje bore e shiu, mendoni ju se infrastruktura në stadiumet shqiptare e lejon zhvillimin normal të ndeshjeve?
Patjetër që duhet të luhet, sepse skuadrat në Kategorinë Superiore kanë infrastrukturë të mirë. Përjashtuar Kukësin, ku mendoj se bora do ti shtojë më shumë reshjet nesër (sot), ndoshta edhe mund të shtyhet, të tjerat do të respektojnë datën e përcaktuar në kalendar.

Si e shikoni situatën e skuadrave sot, një ditë para zhvillimit të ndeshjeve të javës së 22-të?
Kampionati ka hyrë në fazë delikate. Jemi në fazën e tretë, ku skuadrat më shumë se kurrë kërkojnë të marrin pikët, se sa të orientohen nga loja e mirë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira, aty vendos edhe përballjen e Partizanit me Lushnjen, pasi kjo e fundit po e vazhdon garën.

Në sfidën për kreun e renditjes, Kukësi-Skënderbeu, do të ndikojë te skuadra korçare shkëputja me 13 pikë dhe situata e akuzave për trukime?
Asnjëra nga këto të dyja nuk mendon se do të ndikojë në këtë përballje, sepse si Kukësi, po ashtu edhe Skënderbeu janë skuadra profesioniste. Situata e skuadrës korçare për akuzat e UEFA-s, nuk besoj se do të nënvleftësojë diferencën e saj me 13 pikë nga vendi i dytë.

Po takimet e tjera të javës së 22-të, në çfarë këndvështrimi specialisti i shikoni?
Të gjitha si ndeshje, i mendoj të forta dhe të vështira, jo vetëm për skuadrat që ndodhen në pozicione më të mira në renditje, në raport me kundërshtarin që do të ndeshen. Gara do të jetë shumë e fortë mes tyre, madje deri në fundin e këtij kampionati kështu do të luhen.

Kësisoj, edhe ecuria e skuadrave mundet të pësojë ndonjë ulje e ngritje?
Një hap fals që mund të bëjë çdo skuadër, i krijon probleme me renditjen, në çfarëdo pozicioni që të ndodhet, në krye, në mes apo në fundin e tabelës. Janë dy piketa që e bëjnë interesante vazhdimësinë: Evropa dhe mbijetesa. Në të dy këto, thuajse përfshihen 7 apo 8 skuadra.

Mendoni se ekstremet e renditjes tashmë janë të “salduara” me Skënderbeun në krye e Lushnjen në fund?
Aktualisht po, Skënderbeu kryeson me meritë Kampionatin e duket i sigurt për Titullin Kampion, ndërsa Lushnja e ka marrë “pikën e saldimit” në vendin e fundit. Këto dy skuadra mundet të mos kenë ndryshim deri në fund, ndërsa për të tjerat, vibrimet do ti shoqërojnë edhe në këto 15 javë të mbetura.

Po situata e Skënderbeut, mendoni se do të sjellë ndonjë pështjellim në vazhdimësi, kryesisht te skuadrat që kërkojnë kreun e renditjes?
Së pari, Skënderbeun unë e veçoj si skuadër Evropiane, dhe do të dëshiroja shumë që UEFA të mos e marrë atë vendim drastik që është publikuar ditët e fundit. Nëse do të ndodhë, dy apo tre skuadra do ta sulmojnë Titullin Kampion, por për momentin nuk kam asnjë përcaktim.
Të gjitha si ndeshje, i mendoj të forta dhe të vështira, jo vetëm për skuadrat që ndodhen në pozicione më të mira në renditje, në raport me kundërshtarin që do të ndeshen. Gara do të jetë shumë e fortë mes tyre, madje deri në fundin e këtij kampionati kështu do të luhen
Ndeshjet-Java e 22-të
E mërkurë, 28 shkurt 2018 
Kukësi-Skënderbeu 14:00
Kamza-Teuta 14:00
Laçi-Vllaznia 14:00
Partizani-Lushnja 17:00
E enjte, 1 mars 2018 
Flamurtari-Luftëtari 17:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 21 49
2. Flamurtari 21 36
3. Kukësi 21 35
4. Kamza 21 32
5. Laçi 21 30
6. Luftëtari 21 28
7. Partizani 21 28
8. Vllaznia 21 22
9. Teuta 21 18
10. Lushnja 21 10
Sigal