Petrit Haxhia: “Futbolli ynë duhet të investojë te moshat”

639
Sigal

Specialisti i njohur flet për “Telegraf”: “Defekti nis te ne me formimin e dobët të lojtarëve”

Petrit Haxhia, trajneri dhe specialisti i njohur i futbollit, tha për gazetën “Telegraf” se, futbolli ynë vuan nga mungesa e investimeve serioze në akademitë e moshave, ku nis dhe formohet futbollisti i së ardhmes. “Mendoj se, duhet punuar fort dhe seriozisht për të investuar tek akademitë e moshave. Akademitë nuk duhen parë si një mjet fitimi i vogël dhe i shpejtë, por si një investim serioz dhe afatgjatë, dhe sigurisht do të vijë edhe vjelja e investimeve. Modelet e akademive të suksesshme janë të njohura, i kemi parë në Spanjë, Holandë, Francë, por dhe në Kroaci, Bosnjë. Nuk duhet të bëjmë një akademi, për të plotësuar një nevojë të përkohshme fitimesh për trajnerët, por për të kultivuar talente”, tha Haxhia. Trajneri i disa ekipeve, përfshirë Partizanin, Besën, Kastriotin, Shkumbinin, Laçin, por dhe Erzenin e Butrintin, foli edhe për atë që ka ofruar kampionati i Kategorisë Superiore deri tani, si dhe për atë që po japin dy ekipet kryeqytetase: “Partizani ndodhet në me meritë në vendin e dytë. Për këtë një meritë të madhe, përveç trajnerit Hasan Lika dhe lojtarëve ka dhe presidenti Demi, i cili ka garantuar anën financiare. Tirana me atë që ka dhënë këtë sezon është me të vërtetë e rrezikuar. Gjithsesi, fenomeni i rënies së ekipeve të mëdha ndodh në të gjithë botën. Në futboll nuk të mjafton vetëm të kesh emër, por dhe aksesorët e tjerë që e bëjnë në klub të madh dhe fitues”, – tha Haxhia për “Telegraf”.

       – Zoti Haxhia, me ndeshjet e javës së 16-të, Kategoria Superiore do të mbyllë në fundjavë pjesën e parë të sezonit. Cili është mendimi juaj për atë që kanë dhënë skuadrat deti tani?

– Tabloja që na ofron renditja e ekipeve dëshmon për një ngjeshje skuadrash, çka tregon edhe për rivalitetin e kampionatit. Ekipet janë të ngjeshura si në kreun e saj, ashtu dhe në fundin e renditjes. Struktura dhe formula e këtij sezoni, ku katër nga 12 skuadrat dalin direkt nga kategoria e ka bërë më interesant. Për mendimin tim, ka cilësi në rritje të futbollit, pasi lufta bëhet në të dyja kahet, si tek ato ekipe që luftojnë për titull e një vend në Europë, ashtu dhe tek ato që duan të mbijetojnë.

– Dy ekipet e kryeqytetit, Partizani e Tirana, janë duke bërë një sezon në kontrast. Partizani i rikthyer nga Kategoria e Parë po bën një sezon shumë të mirë…

– Kjo është e dukshme. Ndodhet në me meritë në vendin e dytë. Për këtë një meritë të madhe, përveç trajnerit Hasan Lika dhe lojtarëve ka dhe presidenti Demi, i cili ka garantuar anën financiare. Partizani është i kompletuar edhe me një grup lojtarësh të ardhur nga Kosova, të cilët janë të ambientuar shumë shpejt me ekipin.

Tirana po bën të kundërtën, duke qenë ajo më e rrezikuara për të shkuar në të Parën. Sipas jush, përse ndodhen në këtë gjendje?

–  Në fakt, skuadrat e kryeqytetit, të cilat i kanë dhënë edhe tonin futbollit tonë, duke fituar tituj dhe trofe të shumtë, si në kampionat (57 nga 74 kampionatet) dhe në Kupën e Shqipërisë (43 nga 61 edicionet), kanë kohë që nuk po përjetojnë një gjendje të stabilizuar. Boll të kujtojmë, se Partizani ra deri në Kategorinë e Dytë, ndërkohë që Dinamo është ënde në të Parën. Kjo, për mendimim tim ka disa arsye të cilat më së shumti me financat e tyre. Tirana me atë që ka dhënë këtë sezon është me të vërtetë e rrezikuar. Gjithsesi, fenomeni i rënies së ekipeve të mëdha ndodh në të gjithë botën. Në futboll nuk të mjafton vetëm të kesh emër, por dhe aksesorët e tjerë që e bëjnë në klub të madh dhe fitues.

– Cilët janë këta faktorë?

– Skuadrat shqiptare duhet të jenë të plotësuar nga disa faktorë, duke filluar nga aspekti administrative, menaxhimit, teknik, nga stafet mbështetës. Pika më e dobët e futbollit tonë është menaxhimi.

– Në ç’kuptim?

– Këtu nuk kam parasysh jo vetëm atë financiar, por menaxhimin e futbollistëve dhe të merkatos. Për të plotësuar skuadrat duhet një punë e madhe e kryer nga njerëz të specializuar dhe të aftë, siç i kemi parë në të gjithë botën. Shembulli më i mirë në Shqipëri, aktualisht është te Skënderbeu. Dhe kjo nis me akomodimin e deri te standardet e parametrat bashkëkohorë, në përputhje me atë që kërkon UEFA dhe FIFA, apo e shohim te një klub i madh. Gjithsesi, edhe disa skuadra të tjera po përpiqen të ngjasojnë me klubet elitare europiane.

– Zoti Haxhia, duket se futbolli ynë vuan shumë për të nxjerrë talente në futboll. Ku mendoni ju se janë problemet?

– Unë mendoj se, duhet punuar fort dhe seriozisht për të investuar tek akademitë e moshave. Akademitë nuk duhen parë si një mjet fitimi i vogël dhe i shpejtë, por si një investim serioz dhe afatgjatë, dhe sigurisht do të vijë edhe vjelja e investimeve. Modelet e akademive të suksesshme janë të njohura, i kemi parë në Spanjë, Holandë, Francë, por dhe në Kroaci, Bosnjë. Nuk duhet të bëjmë një akademi, për të plotësuar një nevojë të përkohshme fitimesh për trajnerët, por për të kultivuar talente. Kjo duhet të filluar qysh me moshat e vogla. Më vjen keq ta them, por këtu tek ne mungojnë metodikat profesioniste për të formuar talentet e rinj. Duhen metodistë të futbollit të moshave, pasi shumë trajnerë punojnë me fëmijët njëlloj si me të rriturit.

Vllaznia vazhdimisht prodhon lojtarë të rinj, të cilët i shohim tani në Europë, përfshirë Salihin, Telin, Likën, Balajn, Vajushin….

– Kjo ndodh pasi klubi shkodran ka investuar prej shumë vitesh në akademinë e moshave, madje ekipet saj të moshave vazhdimisht fitojnë trofe. Vllaznia ka disa fusha, e ka akademinë të stabilizuar dhe në gjashtë-shtatë vitet e fundit dominon në futbollin e moshave dhe futbollistët që ka nxjerrë ajo luajnë në gjithë Shqipërinë. Të investojmë tek akademitë, e t’i shohim ato si një fidanishte që do të nxjerrë produktet e përvitshme për ekipet e para.

Emri i drejtorit sportiv të Lacios ka të bëjë me kontaktin e tij me një person të arrestuar

 Plasin trukimet në Itali, përmendet edhe Igli Tare

 Emri i Igli Tares është përmendur në përgjimet e Prokurorisë italiane, në lidhje me trukimet e ndeshjeve në kampionatin italian, ku të paktën kandër ndeshje të Lacios, ato kundër Juventusit, Milanit, Udinezes dhe Bolonjës (të gjitha këto në sezonin 2011-2012) janë të dyshuara fort si të falsifikuara. Në fakt, sipas gazetave italiane “Corriere della Sera” dhe “La Gazzeta dello Sport”, Tare nuk është drejtpërdrejt i përfshirë në ato ndeshje të trukuara, por se ai ka pasur kontakte me kontakte me një nga personat e arrestuar, Françesko Bazanin, i cili ka patur lidhje të rregullta me botën e futbollit, por bëhet fjalë thjesht për një kontakt indirekt, dhe jo i përfshirë. Policia italiane ka bërë disa arrestime për skandalin më të freskët të basteve, ndërkohë që kanë dalë si të përfshirë edhe emra të njohur, si Xhenaro Gatuzo e Kristian Broki. E përditshmja italiane “La Gazzetta dello Sport”, e cila ka publikuar emrat dje, ka saktësuar se ish-kapiteni i Shqipërisë nuk është ndër të akuzuarit direkt për fiksimin e ndeshjeve, por për shkak se ka pasur kontakte me Françesko Bazanin, i dyshuari kryesor për rrjetin e trukimeve. Sipas atyre që shkruan “Gazzetta”, ish-futbollisti i Lacios, Kristian Broki, edhe ai një nga të dyshuarit, më 30 prill 2013 i kishte siguruar Bazanit një biletë për të ndjekur ndeshjen Lacio-Bolonja, luajtur më 5 maj dhe mbyllur me fitoren e romanëve 6-0. Bazani kishte dëshirë të vizitonte qendrën stërvitore të Lacios në Formelo dhe ia shprehu atë Brokit, por futbollist, tani i tërhequr, i tha se për këtë i duhej leja nga Tare. Gjatë ndeshjes me Bolonjën, Bazani, në stadiumin “Olimpico”, i telefonon një gruaje të ulur pranë Tares dhe i kërkon që t’ia kalojë atij celularin. E gjithë kjo ka mjaftuar që prokuroria të fusë Taren në listën e kontakteve të Bazanit, duke besuar se ekziston një raport midis tyre. Përveç kësaj, emri i drejtorit të Lacios nuk është përmendur për asgjë tjetër dhe do të jenë hetimet në vijim që do të tregojnë nëse ka pasur thjesht kontakte normale apo bashkëpunim midis tyre.

I dyshuari i madh i skandalit të radhës së trukimeve në Itali është ish-lojtari i Milanit, Xhenaro Gatuzo, por në listën e “madhe” është dhe ish-lojtari i Lacios, Kristian Broki, janë përfshirë në rrjetën e hetimit të basteve. Gjithsej janë 20 të hetuar nga ana e policisë së Kremonës, përfshirë këtu futbollistë dhe ish-futbollistë të shumtë, si dhe 30 ndeshje që dyshohet të jenë trukuar. Burimi saktëson se akuza që rëndon ndaj Gatuzos dhe Brokit është ajo e veprës penale me qëllim mashtrimin dhe falsifikimin e rezultateve sportive. Policia ka kontrolluar prona të dy ish-lojtarëve, të cilët rezultojnë të lidhur me persona që konsiderohen si ndërmjetës mes futbollistëve dhe bastvënësve të shumave të mëdha. Bëhet fjalë për 4 shtetas italianë, të arrestuar, që shpesh herë kanë shkuar në Milanelo, qendra e stërvitjes së ekipit kuqezi dhe që shpesh herë kanë shkëmbyer “SMS” me Gatuzon. Kjo ka ndodhur në shkurt të vitit 2012, kur janë luajtur ndeshjet e Milanit, Lacios dhe Juventusit, në të cilat ndërmjetësi Françesko Bazani ishte përpjekur të ndikonte. “Jam shumë i nxehur dhe i ofenduar”. Ky është komenti i ish mesfushorit të Milanit, Genaro Gattuso, pas publikimit të lajmit bombë që tronditi sërish futbollin italian ku emri i tij lakohet nga prokuroria italiane për trukimin e ndeshjeve.

NDESHJET E DYSHUARA TË LACIOS

Sezoni 2010/2011

Bolonja-Lacio e datës 23 janar 2011 (3-2)

Milan-Lacio e datës 1 shkurt 2011 (0-0)

Lacio-Juventus e datës 2 maj 2011 (0-1)

Udineze-Lacio e datës 8 maj 2011 (2-1)

Ministria e Arsimit dhe Sporteve jep sinjalin e qartë, për një trajtim ndryshe. Sot, tryeza në “Hotel Tirana”

  “Tryeza për Sportin”, debati  për një sport cilësor

Sporti duket se po fiton vëmendjen që e meriton në Qeverinë “Rama”. Sot, Ministria e Arsimit dhe Sportit, nën kujdesin direkt të ministres Lindita Nikolli do të organizojë në hotel “Tirana International” në orën 11:30 “Tryezën për Sportin”. Në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm do të marrë pjesë drejtues të lartë të Drejtorisë së Sporteve në MAS, presidentë të federatave sportive të shumësportëshit, specialistë të njohur të sportit. Sporti ka qenë gjatë viteve të fundit i lënë jashtë vëmendjes, madje duke pasur fonde të limituara financiare, çka ka reflektuar edhe në numrin e pakët të aktiviteteve kombëtare dhe reduktimin e pjesëmarrjes në eventet ndërkombëtare. Sporti shqiptar ka nevojë urgjente, për investime serioze në infrastrukturë, si dhe në menaxhimin e burimeve. Shqipëria renditet në vendin e fundit në Ballkan, për sa u përket fondeve që akordon për sportin, rreth 700 milionë lekë, ndërkohë që Kosova jep thuajse dyfishin. Shifrat tona duken “qesharake”, përballë atyre që jep një vend i vogël si Mali i Zi apo dhe Maqedonia, duke mos folur këtu për vende me sport të zhvilluar si Greqia, Serbia, Sllovenia apo Kroacia. Gjithsesi, “Tryeza për Sportin” është një sinjal i qartë dhe pozitiv i interesimit të drejtpërdrejtë të Qeverisë “Rama”, për të pasur një sport të zhvilluar e cilësor, te denjë për garuar në eventet ndërkombëtare. Gjatë vitit 2013 u akorduan grante për 19 federata të ndryshme sportive, ndërkohë që operoi edhe me projekte.