Peshëngritja për “katarsis”, ndërhyrje si në Lazarat

445
Sigal

FAKTI/ Atje ku Shqipëria mendonte suksesin më të bujshëm kombëtar, u “tradhtua” nga dopingu

E kemi përmendur ditë më parë në këtë gazetë se, peshëngritja i dha një goditje të rëndë atmosferës sportive shqiptare për vitin 2014. Nuk është gabim profesional, as edhe nacional të shprehesh kështu, kur 4 peshëngritës, Kampionë Bote dhe Kampionë Europe, dalin pozitivë në përdorimin e substancave të ndaluara, me doping. Madje kjo ndodhi edhe pas testit “B” anti-doping, siç rezultoi ditë më parë me Romela Begën, Kampione e Botës për tri javë kalendarike, ndërsa nuk mendohet se do të ketë ndonjë lajm të mirë në këtë aspekt për Daniel Godellin e Hysen Pulakun. Dhe jo vetëm dopingu është ai që zbeh vlerat dhe arritjet e shtangës sonë për vitin 2014, por më shumë titujt e mëdhenj si Kampionë Bote e vrasin deri në palcë atë, e cila deri këtu kishte shkuar e pastër, me modesti e punë, me Ymer Pampurin e pa njollosur për 40 vite si një Kampion Olimpik. Nisur vetëm nga këto fakte, pa mohuar vlerat e tjera që peshëngritja ka trashëguar ndër vite, është më vend të thuhet se kjo është ajo shtylla sportive e vitit 2014, e cila kësisoj ka rënë dhe ka zënë brenda saj të gjithë ata që e përdorin këtë doping, të gjithë ata që drejtojnë këta peshëngritës të dopuar, njëherësh edhe ata që këtë situatë e kanë quajtur si një hile të bërë me dashakeqësi në palestrat greke të peshëngritjes. Thënë më troç, kjo peshëngritje që del e zbuluar nga analizat “B” të Romelës, ka një sfond gri edhe për “B”-të e tjera, duke u orientuar për një “katarsis” të shpejtë, krahasuar me Lazaratin, e cila sa më parë duhet të heqë nga trupi i saj jo vetëm dopingun si substancë të ndaluar në përdorimin, por edhe ata njerëz që po e përdorin këtë sport për ego personale karrieriste. Kësaj peshëngritjeje nguron që t’i urosh gëzuar Vitin e Ri 2015, sepse nuk të bën shpirti nga pasiguria dhe besimi i munguar. Ndërkohë që shteti shqiptar nuk duhet të mjaftohet me pritjet mediatike në Rinas të këtyre peshëngritësve, por më parë të krijojë kushtet reale të stërvitshmërisë e të kontrollit anti-doping. Një flamur kombëtar në qafën e një ministri apo të një presidenti federate, nuk është detyrimi që shteti ka për zhvillimin dhe kontrollin e sporteve. Kësisoj, ky doping duket se nuk është më në fushën e sportistëve, as edhe në palestrat greke të peshëngritjes ku me dëshirë u ankorua Kombëtarja para Botërorit të zhvilluar në Almati të Kazakistanit gjatë muajit nëntor 2014.

 Merkato

Dimri trokiti me “pazaret” e dyta

Ndoshta të gjitha skuadrat e futbollit, kryesisht ato që luajnë në Kategorinë Superiore, e kanë shprehur si domosdoshmëri rikompletimin e skuadrave të tyre me lojtarë të rinj gjatë merkatos së dimrit, e cila realisht ka nisur menjëherë pas përfundimit të fazës së dytë më 21 dhjetor. Nisur nga deklarimet e dhëna këto ditë në mediat e ndryshme, thuajse të gjitha skuadrat e kësaj kategorie kanë shprehur gatishmërinë e një merkatoje cilësore, e cila duket se më shumë do të jetë e zhvendosur në tregun e huaj, ndërkohë që tregu shqiptar mbetet si i preferuari i dorës së dytë. Duke ju referuar golashënuesve më të mirë që janë futbollistë të huaj, tregu tashmë do të shkojë deri në Brazil, kjo edhe për faktin e liberalizimit të vizave ndërmjet dy shteteve. Kështu, katër skuadrave të kreut të renditjes: Kukësit, Skënderbeut, Partizanit e Tiranës, në këtë merkato të dimrit do t’ju duhet që të “andrrojnë” mirë në ato sektorë ku çaluan në 18 ndeshjet e para, ndërkohë që Teuta, Elbasani e Apolonia me këto blerje që mendojnë të bëjnë do të kërkojnë që të shpëtojnë sezonin. Nga informacionet në FSHF, deri tani nuk ka asnjë lëvizje zyrtare, çfarë tregon se ende jemi në merkaton e tavolinave.

 REFORMA

Territorialja dhe sportet

Gjatë vitit 2014, sporti në Shqipëri hyri edhe në një dilemë, e cila kushtëzohej nga Reforma e re Territoriale që qeveria shqiptare përgatiti dhe miratoi për vazhdimësinë, duke nisur që nga 1 janari 2015. Kjo dilemë ndoshta është ende në ajër, pasi do të jenë 62 bashki të mëdha dhe nuk do të ketë më komuna, ku shumë prej tyre janë objekt i financimit të sporteve të ndryshme. Kjo dilemë bëhet edhe më mister, nëse i referohemi bashkive, pasi vetëm në Kategorinë Superiore janë tre skuadra që financohen nga bashkitë. Nga ana tjetër, kjo reformë që në rrafshin administrativ quhet domosdoshmëri, në rrafshin sportive nuk ka thënë ende asgjë.

 INFRASTRUKTURA

Mbetet si

“Thembra e Akilit”

Jo vetëm futbolli, por të gjitha sportet në Shqipëri nuk vuajnë vetëm për financa të dobëta, por edhe për një infrastrukturë të niveleve të tilla. Nëse në futboll ka një përmirësim të dukshëm që e bën edhe më tërheqës këtë sport popullor, në sportet e tjera përmirësimet në infrastrukturë numërohen me gishtat e njërës dorë. Ka vetëm “andrrime” në pallate sporti e në fusha sportive, ndërsa nuk ka asnjë impiant të tillë të ri, këtu futet edhe peshëngritja që dallon nga shumësportet. Por gjatë stinës së dimrit, edhe fushat e Superiores kthehen në moçale uji e balte, sidomos “Qemal Stafa”, i cili pret me padurimin rikonstruksionin e tij të premtuar tri vite më parë.