Pesë skuadra i “shkundën” trajnerët që në verë, Luftëtari e Kamza me të huaj

557
Sigal

Nga Agron KAJA

MERKATO/ Në Kategorinë Superiore kanë filluar ethet e lëvizjeve me hyrje e dalje, Partizani ende nuk ka zyrtarizuar asgjë

Nëse i referohemi ditëve të nxehta të qershorit, në Kategorinë Superiore ato kanë qenë të tilla edhe në kompletimin e skuadrave për sezonin e ri. Por e veçantë është se merkatua këtë herë ka nisur kryesisht nga bankinat, ndërsa në skuadrat e Partizanit e Flamurtarit, ka vetëm fjalë dhe asnjë emër konkret. Kështu, edhe pse sezoni i ri nis më 1 korrik, merkatua është e hapur, duke sfiduar edhe datat zyrtare të fillimit të saj. Duke i parë lëvizjet e të gjitha skuadrave në Kategorisë Superiore për sezonin e ri 2018-2019, Skënderbeu pret vendimin e KAS-it për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, dhe deri tani vetëm emrat e Bregut e Abazajt mbeten në merkato, ndërsa është afruar edhe Ardit Hoxhaj i huazuar te Flamurtari. Kukësi e ka filluar me dy afrime lojtarësh, me Faton Malokun nga Feronikeli i Kosovës dhe Arlind Kalaja nga Vllaznia. Ndërsa Luftëtari e ka parë të udhës të “peshkojë” së pari trajnerin, dhe pas largimit të çuditshëm të Hasan Likës, slloveni Millosh Kostiç është prezantuar për tre vjet në krye të skuadrës. Këtë lojë me trajnerin ka bërë edhe skuadra e Laçit, ku pasi u largua vlonjati Gentian Mezani, ka dy ditë që ai është zëvendësuar nga mirditori me banim në Kroaci, Besnik Prenga. Çudia e kësaj periudhe merkatoje jozyrtare në Kategorinë Superiore, mbetet Partizani, që pa shumë bujë, fillimisht ka larguar trajnerin Klevis dalipi, të cilin e përdori kryesisht në fazën e katërt të sezonit të kaluar. Kështu që trajneri i ri ende nuk është bërë zyrtar, edhe pse Mario Tokiç është përfolur se do të jetë pasuesi i tij. Nga lojtarët e sezonit të kaluar, Batha, Fejzullahi, Kalari e Culum janë pa kontrata dhe duhet parë nëse do rinovojnë, ndërsa nuk ka asnjë afrim te ri te skuadra e kuqe. Ndërkohë që t Flamurtari, ende nuk është zyrtarizuar ndonjë lëvizje, ndërsa Administratori Sinan Idrizi dje deklaroi se do ta fillojë nga trajneri i ri, dhe si emrat më të lakuar janë Gentian Mezani dhe Artan Mergjyshi. Futbollistët Xhufo dhe Tounkara e kanë mbyllur me Flamurtarin, ndërsa Ardit Hoxhaj duhet të shkojë te Skënderbeu, pasi ka edhe një vit kontratë. Te skuadra e Kamzës është bërë rokada e bankinave, ku pas largimit të Julian Ahmataj, është afruar italiani Petro Vierkovud, i suksesshëm si lojtar në Serinë A me Sampdorian, Romën e Juventusin, Kampion Bote me Italinë në Botërorin 1982.

TRAJNERËT E SUPERIORES 2018-2019

Skuadrat          Ishte                Zëvendësues

Skënderbeu     I. Daja                         –

Kukësi P. Pakult                      –

Luftëtari          H. Lika            Millosh Kostiç

Laçi                 G. Mezani       Besnik Prenga

Partizani          K. Dalipi                     ?

Kamza             J. Ahmataj       Pietro Vierkovud

Flamurtari        A. Behari                     ?

Teuta               G. Begeja        Bledi Shkëmbi

Kastrioti          S. Nikaj           Elvis Plori

Tirana              Ze Maria                      –

 

4 trajnerë

Gjatë ditëve të para të muajit qershor, në skuadrat e Superiores janë caktuar 4 trajnerë të rinj: Kostiç te Luftëtari, Vierkovud te Kamza, Prenga te Laçi e Shkëmbi tek Teuta

Tek dy skuadrat e ardhura nga Kategoria e Parë, Tirana e Kastrioti, ka lëvizje. Tek bardhablutë është afruar Musa Mohammed, ndërsa te Kastrioti, pasi janë larguar futbollistët Boçi e Karakaçi, është afruar trajneri Elvis Plori, që zëvendëson Samuel Nikajn.

Teuta rikthen Bledi Shkëmbin, por në bankinë, debutuesit

Pas 11 viteve i larguar nga skuadra e Teutës, Bledi Shkëmbi tashmë do të jetë trajner i “Djemve të detit”, të paktën për sezonin e ri 2018-2019. Momentalisht janë larguar nga skuadra Mustafov, Bilali dhe Alhasan, dhe largim me peshë është ai i Ardit Hilës, të cilit i ka përfunduar kontrata 3-vjeçare dhe tashmë është lojtar i lirë. Tek Teuta është afruar edhe Edison Ndreca nga Besëlidhja