Italiani mori nëntë pikë në eliminatoret e Botërorit 2014, ndërsa kroati mori tetë në Euro 2012
Me fitoren 1-0 në Norvegji, e 14-ta e Shqipërisë në eliminatoret e një Botërori, por dhe e 26-ta në total, përfshirë edhe 12 fitoret në kualifikueset e europianëve, italiani Xhani De Biazi u bë trajneri më i suksesshëm i pesë ndeshjeve të para, duke thyer edhe rekordin e mbajtur nga paraardhësi i tij, kroati Josip Kuzhe. De Biazi ka grumbulluar 9 pikë në pesë ndeshje, ndërkohë që Kuzhe kishte grumbulluar 8 pikë në eliminatoret e Euro 2012-s. Konkretisht, Kombëtarja e De Biazit ka fituar me Qirpon, Slloveninë dhe Norvegjinë (ka humbur me Zvicrën dhe Islandën), duke pasur një bilanc prej 3 fitoresh dhe 2 humbjesh; ndërkohë ajo e Kuzhes mori dy fitore me Luksemburgun dhe Bjellorusinë, dy barazime me Bosnjën dhe Bullgarinë, si dhe një humbje me Bjellorusinë. Në specialen e saj, gazeta “Telegraf” bën një udhëtim statistikor të Shqipërisë, nga eliminatoret e Botërorit 1966 (me trajner Zyber Konçin), tek ato të De Biazit në Botërorit 2014.
TRAJNERËT SHQIPTARË
Në eliminatoret e Botërorit 1966, pra dhe kur u vendosën grupet nga FIFA, Shqipëria me trajnerin Zyber Konçi nuk grumbulloi asnjë pikë në pesë ndeshjet e para, duke humbur nga dy herë me Holandën dhe Zvicrën, si dhe Irlandën e Veriut. Në kualifikueset e Euro 1968, spikat barazimi i madh 0-0 i Loro Boriçit me Gjermaninë Perëndimore, më 17 dhjetor 1967 (në Tiranë), e që i nxori jashtë gjermanët nga finalet e Europianit në fjalë. Por, gjithsesi, vetëm një pikë në katër ndeshje pas dy humbjeve me Jugosllavinë dhe një tjetre me Gjermaninë. Nuk pati ndeshje të pestë, pasi në grup ishin vetëm tri skuadra. Edhe për Euro 1972, Loro Boriçi grumbulloi vetëm një pikë (një barazim 1-1 me Poloninë në “Qemal Stafa”), pasi dhe ndeshja e pestë u mbyll me humbjen 2-0 me Gjermaninë, pas atyre me Poloninë, Turqinë dhe një tjetër me Gjermaninë (1-0). Pesë ndeshjet e Botërorit 1974 u mbyllën me fitoren 1-0 ndaj Finlandës, e arritur nga trajneri Ilia Shuke, e para në eliminatoret e një Botërori. Në katër të parat me Loro Boriçin, asnjë pikë, pra me katër humbje. Pas një shkëputje prej tetë vjetësh nga arena ndërkombëtare, me një urdhër politik absurd të regjimit të kohës. Shqipëria u rikthye në Europë me rastin e eliminatoreve të Botërorit 1982, ku dhe u regjistrua fitorja e parë në katër ndeshjet e para. I përket trajnerit Zyber Konçi dhe ndeshjes Shqipëri-Finlandë: 2-0, më 3 shtator 1980, me golat e Sefedin Brahos dhe Millan Baçit. Gjithsesi, ajo fitore u shoqërua me katër humbje, pra vetëm 3 pikë të grumbulluara. Në fakt, sipas rregullores, në atë kohë jepeshin 2 pikë për fitoren, por për efekt krahasimi me rregullin e sotëm, e kemi vendosur fitoren me 3 pikë. Për Euro 1984, Shyqyri Rreli grumbulloi vetëm një pikë: barazoi 0-0 me Irlandën e Veriut, në Tiranë, më 15 dhjetor 1982. Pjesa tjetër e “faturës” janë katër humbje.
Në kualifikueset e Botërorit “Meksikë 1986”, u regjistrua fitorja e bujshme ndaj Belgjikës: 2-0 (22.12.1984) me golat e Arbën Mingës dhe Mirel Josës, por dhe barazimi 2-2 në Poloni, teksa kryesonim 2-1 deri në minutën e 76-të, falë golave të Bedri Omurit dhe Agustin Kolës. Tri humbjet na mbajtën në kuotën e 4 pikëve. Drama e madhe u përket eliminatoreve të Euro 1998 (Agron Sulajt: 5 ndeshje, 5 humbje), Botërorit 1990 (Shyqyri Rrelit: 5 ndeshje, 5 humbje) dhe Euro 1992 (Bejkush Birçes: 5 ndeshje, 5 humbje): asnjë pikë, 15 humbje në 15 ndeshje, madje dhe me rezultat të thellë si ai 9-0 nga Spanja (19.12.1990, Birçe).
Pikët rikthehen në kualifikueset e Botërorit 1994: Birçe grumbulloi katër pikë, falë fitores 1-0 me Lituaninë (gol i Eduard Abazit) dhe barazimit 1-1 me Letoninë. Për Euro 1996, Neptun Bajko mori tri pikë, kjo falë fitores 3-0 me Moldavinë, ndërkohë humbi me dy herë me Gjermaninë, Gjeorgjinë dhe Rumaninë. Për Botërorin 1998, Neptun Bajko (3 ndeshje) dhe Astrit Hafizi (2 ndeshje), grumbulluan vetëm 1 pikë: barazimi 1-1 me Armeninë (Bajko). Hafizi ndeshjen e tij, atë kundër Ukrainës, nuk e luajti në Tiranë, por në Granada të Spanjës (humbi 1-0), dhe po në Granada humbi kundër Gjermanisë. Për Euro 2000, Hafizi mori tri barazime (ndaj Norvegjisë, Greqisë dhe Letonisë), por humbi me Gjeorgjinë dhe Norvegjinë, duke u ndalur në kuotën e 3 pikëve. Po kaq pikë mori dhe Medin Zhega për kualifikueset e Botërorit 2012, por spikat fitorja 2-0 me Greqinë (11 tetor 2000), me golat e Alban Bushit dhe Ervin Fakajt. Pjesa tjetër janë katër humbje, përfshirë dhe atë me Anglinë në Tiranë.
TRAJNERËT E HUAJ
Me fushatën eliminatore Euro 2004 nis epoka e trajnerëve të huaj, kjo dhe për shkak të preferencave të presidentit të ri të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Në dy ndeshjet e tij, italiani Xhuzepe Dosena grumbulloi vetëm një pikë: 1-1 me Zvicrën (humbi 4-1 me Rusinë, në Volgograd), ndërkohë që në dy ndeshjet e tij, pasuesi gjerman Hans-Peter Brigel grumbulloi katër pikë: një fitore madhështore 3-1 me Rusinë në Shkodër (29.03.2003) dhe në barazim 0-0 në Irlandë, pasi humbi në ndeshjen e pestë me Irlandën. Pra, pesë pikë në pesë ndeshje.
Gjermani Hans-Peter Brigel e thelloi rekordin, duke grumbulluar gjashtë pikë: dy fitore dhe tri humbje, por mbi të gjitha spikasin dy ngjarje, fitorja 2-1 ndaj Greqisë, të porsa shpallur Kampione e Europës, me golat e Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt, por dhe fitorja e arritur ndaj Kazakistanit, 1-0 në Almati, me një gol të shënuar nga Alban Bushi. Kjo është dhe fitorja e parë në transfertë, duke marrë në konsideratë vetëm pesë ndeshjet e para (e dyta është ajo me Norvegjinë, më 22 mars 2013, e De Biazit). Për Euro 2008, kroati Oto Bariç grumbulloi vetëm tri pikë, ku spikasin dy barazime jashtë: 2-2 në Bjellorusi dhe 0-0 në Bullgari. Koeficient të mirë pikësh mori edhe holandezi Ari Han: 6 pikë, me vetëm një humbje në pesë ndeshje: një fitore (me Maltën), tre barazime pa gola me Suedinë e Zlatan Ibrahimoviçit në Tiranë (06 shtator 2008) dhe Portugalinë e Kristiano Ronaldos në Braga (15 tetor 2008) dhe Maltën (11 shkurt 2009), si dhe humbjen 2-0 me Hungarinë në Budapest (11 tetor 2008). Kroati Josip Kuzhe u bë i pari që grumbulloi tetë pikë në pesë ndeshjet e para: me 2 fitore ndaj Luksemburgut dhe Bjellorusisë, dy barazime (ndaj Rumanisë dhe Sllovenisë) dhe një humbje ndaj Bjellorusisë. Në fakt, në stol (protokollin zyrtar) në ndeshjet kundër Bosnjës dhe Bjellorusisë, ishte ndihmësi i tij, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç (aktualisht drejton Shqipërinë U-17), pasi Kuzhe ishte i shtruar në spital për shkak të një hemorragjie cerebrale. Italiani Xhani De Biazi, në pesë ndeshjet e para të tij ka grumbulluar nëntë pikë, duke u bërë thyer rekordin e vendosur nga kroati Kuzhe. Tri fitore me Qipron (3-1), Slloveninë (1-0) dhe Norvegjinë (1-0, në Oslo), si dhe dy humbje me Zvicrën (2-0, në Lucernë) dhe Islandën (1-2, në Tiranë).
PESË NDESHJET E PARA
BOTËRORI 1966
Holandë-Shqipëri 2-0 Zyber Konçi
Shqipëri-Holandë 0-2 Zyber Konçi
Shqipëri-Zvicër 0-2 Zyber Konçi
Zvicër-Shqipëri 1-0 Zyber Konçi
Irlandë V.-Shqipëri 4-1 Zyber Konçi
0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë
EURO 1968
Gjermani-Shqipëri 6-0 Loro Boriçi
Shqipëri-Jugosllavi 0-2 Loro Boriçi
Jugosllavi-Shqipëri 4-0 Loro Boriçi
Shqipëri-Gjermani 0-0 Loro Boriçi
Nuk pati ndeshje të pestë, pasi ishin tre ekipe
0 fitore, 1 barazim, 3 humbje; 1 pikë
EURO 1972
Poloni-Shqipëri 3-0 Loro Boriçi
Turqi-Shqipëri 2-1 Loro Boriçi
Shqipëri-Gjermani 1-0 Loro Boriçi
Shqipëri-Poloni 1-1 Loro Boriçi
Gjermani-Shqipëri 2-0 Loro Boriçi
0 fitore, 1 barazim, 4 humbje; 1 pikë
BOTËRORI 1974
Finlandë-Shqipëri 1-0 Loro Boriçi
Rumani-Shqipëri 2-0 Loro Boriçi
Gjermani-Shqipëri 2-0 Loro Boriçi
Shqipëri-Rumani 1-4 Myslim Alla
Shqipëri-Finlandë 1-0 Ilia Shuke
1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë
BOTËRORI 1982
Shqipëri-Finlandë 2-0 Zyber Konçi
Bullgari-Shqipëri 2-0 Zyber Konçi
Austri-Shqipëri 5-0 Zyber Konçi
Shqipëri-Austri 0-1 Zyber Konçi
Shqipëri-Gjermani 0-2 Loro Boriçi
1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë
EURO 1984
Austri-Shqipëri 5-0 Shyqyri Rreli
Turqi-Shqipëri 1-0 Shyqyri Rreli
Shqipëri-Irlandë Ver. 0-0 Shyqyri Rreli
Shqipëri-Gjermani 1-2 Shyqyri Rreli
Irlandë Ver.-Shqipëri 1-0 Shyqyri Rreli
0 fitore, 1 barazim, 4 humbje; 1 pikë
BOTËRORI 1986
Belgjikë-Shqipëri 3-1 Shyqyri Rreli
Poloni-Shqipëri 2-2 Shyqyri Rreli
Shqipëri-Belgjikë 2-0 Shyqyri Rreli
Greqi-Shqipëri 2-0 Shyqyri Rreli
Shqipëri-Poloni 0-1 Shyqyri Rreli
1 fitore, 1 barazim, 3 humbje; 4 pikë
EURO 1988
Austri-Shqipëri 3-0 Agron Sulaj
Shqipëri-Spanjë 1-2 Agron Sulaj
Rumani-Shqipëri 5-1 Agron Sulaj
Shqipëri-Austri 0-1 Agron Sulaj
Shqipëri-Rumani 0-1 Agron Sulaj
0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë
BOTËRORI 1990
Poloni-Shqipëri 1-0 Shyqyri Rreli
Suedi-Shqipëri 1-2 Shyqyri Rreli
Shqipëri-Angli 0-2 Shyqyri Rreli
Angli-Shqipëri 5-0 Shyqyri Rreli
Suedi-Shqipëri 3-1 Shyqyri Rreli
0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë
EURO 1992
Islandë-Shqipëri 1-0 Bejkush Birçe
Shqipëri-Francë 0-1 Bejkush Birçe
Spanjë-Shqipëri 9-0 Bejkush Birçe
Francë-Shqipëri 5-0 Bejkush Birçe
Shqipëri-Çeki 0-1 Bejkush Birçe
0 fitore, 0 barazime, 5 humbje; 0 pikë
BOTËRORI 1994
Spanjë-Shqipëri 3-0 Bejkush Birçe
Irlandë-Shqipëri 2-0 Bejkush Birçe
Shqipëri-Lituani 1-0 Bejkush Birçe
Irlandë V.-Shqipëri 3-0 Bejkush Birçe
Shqipëri-Letoni 1-1 Bejkush Birçe
1 fitore, 1 barazim, 3 humbje; 4 pikë
EURO 1996
Uells-Shqipëri 2-0 Neptun Bajko
Shqipëri-Gjermani 1-2 Neptun Bajko
Shqipëri-Gjeorgji 0-1 Neptun Bajko
Gjermani-Shqipëri 2-1 Neptun Bajko
Shqipëri-Moldavi 3-0 Neptun Bajko
1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë
BOTËRORI 1998
Shqipëri-Portugali 3-0 Neptun Bajko
Shqipëri-Armeni 1-1 Neptun Bajko
Irlandë V.-Shqipëri 2-0 Neptun Bajko
Shqipëri-Ukrainë* 0-1 Astrit Hafizi
Shqipëri-Gjermani* 2-3 Astrit Hafizi
0 fitore, 1 barazim, 4 humbje; 1 pikë
*U luajt jo në Tiranë, por në Granada të Spanjës
EURO 2000
Gjeorgji-Shqipëri 1-0 Astrit Hafizi
Norvegji-Shqipëri 2-2 Astrit Hafizi
Shqipëri-Greqi 0-0 Astrit Hafizi
Letoni-Shqipëri 0-0 Astrit Hafizi
Shqipëri-Norvegji 1-2 Astrit Hafizi
0 fitore, 3 barazime, 2 humbje; 3 pikë
BOTËRORI 2002
Finlandë-Shqipëri 2-1 Medin Zhega
Shqipëri-Greqi 2-0 Medin Zhega
Gjermani-Shqipëri 2-1 Medin Zhega
Shqipëri-Angli 1-3 Medin Zhega
Greqi-Shqipëri 1-0 Medin Zhega
1 fitore, 0 barazime, 4 humbje; 3 pikë
EURO 2004
Shqipëri-Zvicër 1-1 Xhuzepe Dosena
Rusi-Shqipëri 4-1 Zhuzepe Dosena
Shqipëri-Rusi 3-1 Hans-P. Brigel
Shqipëri-Irlandë 0-0 Hans-P. Brigel
Irlandë-Shqipëri 1-0 Hans-P. Brigel
1 fitore, 2 barazime, 2 humbje; 5 pikë
BOTËRORI 2006
Shqipëri-Greqi 2-1 Hans-P. Brigel
Gjeorgji-Shqipëri 2-0 Hans-P. Brigel
Shqipëri-Danimarkë 0-2 Hans-P. Brigel
Kazikstan-Shqipëri 0-1 Hans-P. Brigel
Shqipëri-Ukrainë 0-2 Hans-P. Brigel
2 fitore, 0 barazime, 3 humbje; 6 pikë
EURO 2008
Bjellorusi-Shqipëri 2-2 Oto Bariç
Shqipëri-Danimarkë 0-2 Oto Bariç
Holandë-Shqipëri 2-1 Oto Bariç
Shqipëri-Slloveni 0-0 Oto Bariç
Bullgari-Shqipëri 0-0 Oto Bariç
0 fitore, 3 barazime, 2 humbje; 3 pikë
19. BOTËRORI 2010
Shqipëri-Danimarkë 0-0 Ari Han
Shqipëri-Maltë 3-0 Ari Han
Hungari-Shqipëri 2-0 Ari Han
Portugali-Shqipëri 0-0 Ari Han
Maltë-Shqipëri 0-0 Ari Han
1 fitore, 3 barazime, 1 humbje; 6 pikë
20. EURO 2012
Rumani-Shqipëri 1-1 Josip Kuzhe
Shqipëri-Luksemburg 1-0 Josip Kuzhe
Shqipëri-Bosnjë 1-1 Josip Kuzhe
Bjellorusi-Shqipëri 2-0 Josip Kuzhe
Shqipëri-Bjellorusi 1-0 Josip Kuzhe
2 fitore, 2 barazime, 1 humbje; 8 pikë
BOTËRORI 2014
Shqipëri-Qipro 3-1 Xhani De Biazi
Zvicër-Shqipëri 2-0 Xhani De Biazi
Shqipëri-Islandë 1-2 Xhani De Biazi
Shqipëri-Slloveni 1-0 Xhani De Biazi
Norvegji-Shqipëri 0-1 Xhani De Biazi
3 fitore, 0 barazime, 2 humbje; 9 pikë
1 humbje
kanë regjistruar në pesë ndeshjet e para, holandezi Ari Han (Botërori 2010) dhe kroati Josip Kuzhe (Euro 2012)
0 fitore
kanë regjitruar në pesë ndeshjet e para Zyber Konçi, Loro Boriçi, Bejkush Birçe, Agron Sulaj, Neptun Bajko dhe Astrit Hafizi.
3 fitore
Xhani De Biazi është trajneri i vetëm që ka arritur tri fitore në pesë ndeshjet e para, kundrejt dy humbjeve të regjistruara.
Shqipëria, surpriza e fundjavës europiane
Fitorja e Shqipërisë në Oslon e largët bën bujë edhe në mediat italiane, të cilat thurin elozhe për punën e trajnerit Xhani de Biazi, duke sjellë në vëmendje kurbën në ngritje të skuadrës kuqezi gjatë viteve të fundit. Sipas asaj që shkruhet në faqen e specializuar, tuttomercatoëeb.com, deri në fillimin e viteve ’90, Kombëtarja jonë ishte një nga më të dobëtat në Europë dhe zona “play off” dukej një ëndërr e largët, por tashmë, gjithçka është e mundur dhe Shqipëria është shumë pranë historisë edhe pse ka shumë rrugë për të bërë. Në vijim të shkrimit, faqja shton se do të jetë shumë e vështirë që kuqezinjtë të vazhdojnë këtë rrugë, por shton se me kontributin e një trajneri italian, kjo përrallë mund të transformohet në një realitet të prekshëm në fund të eliminatoreve. “Fitorja e Oslos kundër Norvegjisë e projektoi Shqipërinë drejt vendit të dytë në grupin e saj ku kryeson Zvicra, kjo e fundit, si për ironi të fatit i ka themelet te lojtarët e lindur nga emigrantët shqiptarë të viteve 90. Shqipëria është ajo origjinale dhe të paktën për momentin gjendet vetëm 2 pikë larg, ndërsa lë pas Norvegjinë, Slloveninë dhe Qipron”, shkruan ndër të tjera tuttomercatoëeb.com. Në vijim, shkrimi ia lë vendin historisë ku theksohet se deri në vitin 1966 Shqipëria nuk ka marrë pjesë në eliminatoret e botërorit, ndërsa në po këtë sezon debutoi në grupin ku bënte pjesë edhe Zvicra, Irlanda e Veriut dhe Holanda ku grumbulloi vetëm 1 pikë. “Këtë herë duket se Shqipëria e ka seriozisht ose të paktën po i provon të gjitha mundësitë. Zvicra është skuadra më e fortë e grupit, Norvegjia dhe Sllovenia janë superiore, ndërsa Qiproja dhe Islanda duken kundërshtarë me të cilët mund të përballet si e barabartë. Një skuadër e rritur shumë falë edhe eksperiencës së lojtarëve që aktivizohen jashtë vendit sepse vetëm 4 prej tyre militojnë në kampionatin shqiptar”, përfundon shkrimin e saj faqja italiane.