Përurohet zadra e notit në Sarandë

592
Sigal

Sarandë/ Presidenti i Sportit të Notit, z.Çiraku: Së shpejti do të marrin udhë Kampionatet e Notit në Sarandë, mbështetje për figurat e shquara të notit!

Për sportin dhe për notin në veçanti në qytetin e Sarandës, dita e sotme ka qenë një ditë feste e përcjellë me entuziazëm dhe emocione të veçanta mbresëlënëse, që di të krijojë vetëm bota sportive. Është përuruar zadra e notit të qytetit, një mjedis sportiv që për 50 vite nuk ishte vënë dorë për investime, pavarësisht se ka qenë starti i disa sukseseve dhe rekordeve të shumta për qytetin dhe përfaqësuesen kombëtare të notit. Krahas ikonave dhe personazheve të sportit sarandjot si dhe sportdashësve të shumtë kanë marrë pjesë në këtë event të jashtëzakonshëm sportiv edhe presidenti i bankës Raifaisen, z.Korokanis, bankë, e cila investoi në rikonstruksionin e zadrës 25 milionë euro, si dhe vet Presidenti i Federatës së Notit Shqiptar, z.Agim Çiraku. Pas prerjes së shiritit të përurimit mes një entuziazmi dhe duartrokitjeve, Kryebashkiaku Stefan Çipa ka përshëndetur të pranishmit, investitorët si dhe në veçanti Presidentin e Notit shqiptar, z.Agim Çiraku, që megjithë ngarkesën e punëve që ka në këtë stinë sporti i notit, gjeti kohën të jetë pjesëmarrës në këtë event, duke regjistruar njëherazi edhe respektin që ka ndaj traditës së këtij sporti. Ndër të tjera Kreu i bashkisë, Çipa, nënvizoi se, “ky investim është jo politik, por për të mbajtur premtimin para qytetarëve dhe si ish- sportist që jam i lidhur ngushtë me sportin, ndaj dhe investimet nuk shterojnë në këtë drejtim nga ana e bashkisë. Kjo zadër ka standardet e zhvillimeve të garave jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Përpjekjet e investimeve do të vijojnë për ndryshimin e imazhit të qytetit tonë”. Ndërsa Presidenti i Raifaisen bank në Shqipëri, z.Korakanis, tha se: “Sarandën e dua shumë dhe dëshirojmë të sponsorizojmë për Sarandën, për qytetarët, edhe në të ardhmen. Kur e pashë për herë të parë këtë pishinë, u habita. Këtu qe një shkatërrim. Por ne vendosëm ta rikonstruktojmë së bashku me bashkinë, ku gjetëm mirëkuptim dhe mbështetje të menjëhershme dhe e bëmë, siç e shikoni edhe sot. Gjej rastin të përshëndes Presidentin shqiptar të Notit z.Çiraku dhe them se, edhe lojtarët për lojëra olimpike kanë kushte për t’u stërvitur në zadrën e Sarandës dhe i ftoj ta bëjnë këtë”.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, z.Agim Çiraku, ka përshëndetur sportdashësit pjesëmarrës në këtë përurim, kreun e Bashkisë Sarandë dhe bankën Raifaisen me përfaqësuesit e saj më të lartë në Sarandë dhe Shqipëri për restaurimin e zadrës së notit. Sipas z.Çiraku, mjedise të tilla sportive i kanë munguar prej vitesh Sarandës dhe Shqipërisë. “Nga kjo zadër kanë dalë shumë notarë të shquar dhe shumë figura të spikatura të notit, por trazicioni ka bërë punën e tij, por tanimë u kapërcye. Marr përsipër që në periudhën e ardhshme dy mujore të zhvilloj një nga Kampionatet e Notit në Sarandë. Gjithashtu, do të kenë mbështetjen tonë të fuqishme edhe figurat e shquara të notit, të cilët kanë hyrë në historikun e notit dhe traditës së tij në Shqipëri”, është shprehur z. Çiraku.  Dhe si për ta konkretizuar këtë, për të mos qenë një slogan premtues, pas përfundimit të ceremonisë, nuk ka preferuar kafen me personalitete pjesëmarrëse, por aty nën hijen e eukalipteve pranë zadrës, ka pirë kafen me emra të spikatur të sportit të notit në Sarandë, ku mes tyre edhe Drejtori i Shumësporteve të Sarandës, Fuat Karaliu, njeriu i përkushtuar ndaj sportit që e ngriti në parametra cilësorë me përpjekjet e tij të përditshme për rikthimin e traditës. Biseda e z.Karaliu me zotin Çiraku ka qenë lidhur me planet e së ardhmes për sportin e notit në Sarandë, rrahja e mendimeve për rregulloren e re të sportit të notit; rregullorja dhe përcaktimi i kritereve për federimin e lojtarëve të huaj; kontrolli ndaj fondeve për mos djegien e tyre, mos abuzimin dhe shpërdorimin. Notarët sarandjotë, kanë falënderuar z.Çiraku për respektin që u tregua për ‘ta, duke dëgjuar me vëmendje çdo problem lidhur me këtë sport. Ata janë ndjerë besimplotë dhe të sigurt se të gjitha ato premtime të dhëna nga Presidenti i Notit, z. Çiraku do të marrin udhën e zgjidhjes për një të mirë të përbashkët dhe për të lartësuar sportin e Notit që të zëri vendin që meriton, pasi deri dje ishte lënë në hije të plotë.