Përse Kupa “Pavarësia” nuk zhvillohet në qytetin e Vlorës?!

578
Nga Moisi DALIPI
KUPA “PAVARËSIA”/ Startoi në Vlorë në vitin 2009, por tashmë është zhvendosur nga qyteti që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë
Që nga 28 nëntori 2009, në Vlorë ishin mësuar që ditën e shpalljes të Pavarësisë, të zhvillohej në stadiumin “Flamurtari” edhe Kupa që i kushtohej kësaj date të madhe për Kombin shqiptar. Në tetë edicionet e zhvilluara deri më tani, ku në këtë Kupë të “Pavarësisë” marrin pjesë katër skuadra, fitueset e Kupës së Shqipërisë, fituese e Kupës në Kosovë, njëherësh edhe dy skuadra shqiptare, një nga Maqedonia dhe një nga Mali i Zi, të ftuara tradicionalisht duke plotësuar katërshen e skuadrave. E thënë më qartë, ishte një aktivitet mbarëkombëtar që ndiqej me shumë interesim, jo vetëm nga tifozeria vlonjate, por edhe nga shqiptarë nga trevat e tjera shqipfolëse. Ky aktivet që zhvillohet me iniciativën e FSHF-së, dhe në Vlorë me mbështetjen e Bashkisë e të klubit të futbollit “Flamurtari”, formuan një traditë të mirë. Madje në Vlorë, zhvillimi i Kupës së “Pavarësisë” ishte pjesë e programit të veprimtarive të festimeve të ditës së shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare. Veçanërisht, të ftuarit ndiheshin mirë që ky aktivitet zhvillohej pikërisht në Vlorë, pasi edhe ata bëheshin aktorë të festimeve me futbollin që demonstronin. Kështu, ky aktivitet mbarëkombëtar që për gjashtë edicione rresht u zhvillua në Vlorë, në edicioni e tij të shtatë, më 28 nëntor 2015, shtegtoi drejt qytetit të Durrësit. Arsyeja e moszhvillimit në Vlorë është argumentuar nga drejtuesit e FSHF-së, se: “Drejtuesit e klubit Flamurtari nuk marrin përsipër të vendosin në dispozicion stadiumin për zhvillimin e këtij aktiviteti!”. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi klubit vlonjat, i cili është përgjigjur: “Duke qenë se tapeti i fushës të stadiumit “Flamurtari” është shumë i ri dhe ka nevojë për të plotësuar një afat të kolaudimit, nuk mund të zhvillohen ndeshje”. Në fakt, drejtuesit e klubit të Flamurtarit nuk kishin zhvilluar asnjë ndeshje të skuadrës tyre pas shtrimit të tapetit ri, por nga dikush, kjo është vlerësuar si një shmangie, ndaj dhe në edicionin tjetër, atë të vitit 2016, garën për këtë trofe mbarëkombëtar nuk e zhvilluan në Vlorë, por Tiranë. Edhe këtë edicion, Kupa “Pavarësia” në futboll nuk do të zhvillohet në qytetin e Vlorës, pasi është zgjedhur qyteti Korçës. E thënë më qartë, ky është edicioni i tretë radhazi që ndodh kështu, ndaj me të drejtë në opinionin sportiv futbolldashës bëhet pyetja: “Përse të ndodh kështu, kur dihet nga të gjithë, që zyrtarisht Vlora është qyteti ku shpall Pavarësia e Shqipërisë, dhe bukuria e këtij aktiviteti qëndron në faktin që, kjo kupë duhet të zhvillohet në këtë qytet ku pati fillesën e saj, dhe u zhvillua për gjashtë edicione radhazi?” Arsyeja e “shtegtimit” që serviret, se drejtuesit e klubit vlonjat nuk marrin përsipër të mbështesin zhvillimin e këtij aktiviteti, në Vlorë nuk është shumë bindëse, sepse stadiumi është pronë e qytetit që e organizon festën, dhe ka një zgjidhje. Por e vërteta duhet thënë siç është, sepse drejtuesit e FSHF-së nuk ulen me drejtuesit e klubit të Flamurtari për ta organizuar këtë aktivitet mbarëkombëtar. Dhe shkak janë marrëdhëniet midis të dy palëve, të cilat gjatë këtij sezoni kanë qenë të tensionuara, të shoqëruara me deklarata e kundërdeklarata. Kjo mendohet se është e vetmja arsye që ka sjellë këtë shtegtim nga qyteti Vlorës të Kupës Mbarëkombëtare “Pavarësia”, sepse gjithçka tjetër është e mirëpritur nga opinioni sportiv e qytetaria vlonjate.
E vërteta duhet thënë siç është, sepse drejtuesit e FSHF-së nuk ulen me drejtuesit e klubit të Flamurtari për ta organizuar këtë aktivitet mbarëkombëtar në Vlorë. Shkak janë marrëdhëniet midis dy palëve, të cilat gjatë këtij sezoni kanë qenë të tensionuara
Fituesit e Kupës “Pavarësia”
Vlorë, 28 nëntor 2006/ Flamurtari fitues. 
Vlorë, 28 nëntor 2010/ Renova fituese.
Vlorë, 28 nëntor 2011/ Hysi fitues.
Vlorë, 27 nëntor 2012/ Shkëndija fituese.
Vlorë, 28 nëntor 2013/ Prishtina fituese. 
Vlorë, 28 nëntor 2014/ Ferronikeli fitues.
Durrës, 28 nëntor 2015/ Ontranti fitues.
Tiranë, 28 nëntor 2016/ Kukësi fitues. 



Sigal