Përjashtimi i Tomasit, befason me reagimin Foto Strakosha: Mbështes Panuccin, ja e vërteta

429
Sigal

Legjenda e Kombëtares, Foto Strakosha ka mbështetur vendimin e Christian Panuccit i cili për arsye disipline la jashtë grumbullimit Thomas Strakoshën.

Në një intervistë, babai dhe njëkohësisht menaxheri i Thomas Strakoshës kërkon me çdo mënyrë të shmangë keqkuptimet për situatën e krijuar, pasi në kryefjalë të asaj që thotë është Kombëtarja.

Kombëtarja është momenti i krenarisë për çdo futbollist. E kush më mirë se një ish-kapiten, një ish-portier dhe një legjendë që e ka veshur prej dekadash ngjyrën kuqezi mund ta dijë këtë.

“Më mirëkuptoni, por e kam të vështirë të flas. Pavarësisht gjithkujt, Kombëtarja është mbi të gjithë”, shprehet Foto sapo nis fjalën e tij.

Si menaxher i Tomasit, cili është komenti juaj për vendimin e trajnerit në lidhje me të?

Edhe në karrierën time, por në të gjithë jetën time, mbi çdo gjë, ka qenë ekipi kombëtar. Dhe për të respektuar edhe momentin e ekipit kombëtar që ka ndeshjen të premten, duke marrë shkas edhe që unë jam prind, babai i Tomasit, nuk do të jem i bindshëm për asnjë. Kështu që, unë jo vetëm e kam për detyrë, por sinqerisht që e respektoj vendimin e trajnerit.

Çfarë ndodhi ekzaktësisht?

Tani nuk dua që të futem në ato debate. Që në momentin që rregullat e trajnerit janë ato, përderisa është thyerje disiplinore që për x arsye të mos arrish në orën e duhur, unë e mbështes dhe e respektoj vendimin e trajnerit.

Po, gjithsesi ju mund të keni versionin tuaj edhe si menaxher i tij…

Sado që unë mund të marr vendin tim si menaxher dhe si prind, nuk do të jem dot i bindshëm për njerëzit. Ndoshta ata që më njohin, edhe mund të më kuptojnë. Sado që të marr pozicion unë, të mirë apo të keq, nuk do të jem i bindshëm për opinionin publik. Kështu që, më lejoni me sinqeritet që duke qenë edhe në të mirë të ambientit të ekipit kombëtar të mbetem me kaq.

Vonesa e Tomasit ka ardhur për shkak të një bllokimi në trafik dhe mosarritjeje në orar për avionin. E konfirmoni?

Pse ma bëni këtë pyetje? Po cila mund të jetë arsyeja tjetër? Nuk ka asnjë arsye tjetër veç kësaj. Ishte vonesë. E them me sinqeritet, nëse ishte faji i lojtarit që u vonua, le të mbajë përgjegjësi dhe të dënohet.

Ju personalisht a keni komunikuar me trajnerin Panuçi?

Jo nuk kam folur. Nuk kam as të drejtë komunikimi me të dhe vetëm një herë e kam takuar rastësisht kur ka ardhur për grumbullimin. Nuk e njoh dhe besoj edhe ai nuk më njeh. Vetëm një herë jemi parë.