Sigal

Nga Agron MEMA

Ditën e diel, në qytetin e Sarandës, në zadrën “Esat Mamaca”, u zhvillua Maratona Kombëtare e Notit “Saranda 2018”. Ndryshe nga vitet e tjera, që ky event sportiv është etiketuar me emërtime sportistësh, këtë edicion ka mbajtur thjesht natyrën e aktivitetit sportiv, edhe për faktin se vit pas viti nuk mund të bëhen selektime të notarëve.

Në maratonën Kombëtare të Notit “Saranda 2018” ka marrë pjesë edhe Presidenti i FSHN, Agim Çiraku, i cili jo vetëm gjatë garës, por gjatë gjithë kohës, para, gjatë dhe pas Maratonës, ka qenë katalizatori i të gjitha organizimeve.

Në këtë garë ishte e pranishme Policia e Shtetit, shëndetësia dhe institucione përgjegjëse për mbarëvajtjen e aktivitetit, i cili u mbështet nga Bashkia Sarandë. Madje zëvendëskryetari i Bashkisë, Robert Piro garoi në këtë Maratonë. Duke pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme notarësh, ky aktivitet u zhvillua duke i ndarë ata në grupmosha të ndryshme, deri tek veteranët e notit shqiptar, e duke krijuar kështu një zinxhir trashëgimie në këtë sport të bukur. Natyrisht që edhe në këtë sezon nuk do të mungonte organizimi i përbashkët i FSHN-së, Bashkisë Sarandë e Klubit Shumësportësh “Butrinti”, ku sekretari Fuat Karaliu do të veçoj për punën konkrete të tij në këtë Maratonë.

Kështu, vëmendje tërhoqi pjesëmarrja e notarëve të rinj të ardhur nga e gjithë Shqipëri, dhe më e vogla e kësaj Maratone të Notit 2018, Kaltra Meça e AN Te Stela në Tiranë, zuri vendin e parë për garues të moshës deri në 10 vjeç, me kohën 14’18’’10. Ndërsa për meshkuj, në këtë grupmoshë vendin e parë e zuri Bjoldi Ruçi me kohën 15’02’’. Garë interesante zhvilluan edhe grupmoshat e tjera, ku për femrat deri në 14 vjeç fituese doli Julia Mitre, me kohën 21’42’’, ndërsa për djemtë e kësaj moshe, i pari e preku finishin Eljo Veli me kohën 21’49. Për djem të moshës deri në 15 vjeç, vendin e parë e zuri Ergi Veli, me kohën 39’14’’.

Por, e veçanta e këtij eventi kombëtar sportiv ishte edhe pjesëmarrja e veteranëve të notit, ata që bënë historinë në vite në këtë sport të bukur, si në zadrat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Ata kanë qenë të pranishëm dhe aktivë në garë, si Andi Kongoli, Ervin Pridha, Dritan Mezini, Genci Dimushi, Skënder Muço, Viola Bekridheli, Shpëtim Muço, Klement Lutfinja, Sul Poda, Ilirjan Kreshpa, Skënder Bajrami, Ilir Mejdi, Myrtezan Didati.

Një përjetim emocional u përjetua në shpërndarjen e certifikatave dhe kupave, nga Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku. Si zakonisht në këto maratona në Sarandë, bisedat me kujtime do të mbylleshin në një koktelj me trokitje gotash dhe përqafime, të cilat e mbyllën me sukses këtë aktiviteti kombëtar të Maratonës së Notit në Sarandë.

Gazeta “Telegraf” ka qenë e pranishme në të dyja ditët e kësaj veprimtarie, dhe në numrin e nesërm do të sjellë një speciale, me detaje, emocione dhe dhe momente të tjera, para, gjatë dhe pas garës, dhe me intervista ekskluzive për gazetën “Telegraf”.