Përfundon aventura e Salihit tek Skënderbeu

439
Skënderbeu ka humbur një nga ‘armët’ kryesore në fushë për ndeshjen e kthimit që do të zhvillojë ditën e martë në Kroaci përballë Dinamos së Zagrebit, të vlefshme për “Play-Off”-in e Champions League. Hamdi Salihi ka përfunduar aventurën në Korçë duke vendosur që të rikthehet sërish në kampionatin izraelit të futbollit.
Lajmin e konfirmon për mediat trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Mirel Josa në një prononcim para nisjes për në Kroaci.
“Hamdi Salihi me 90% nuk do të jetë më pjesë e Skënderbeut. Ai nuk ka mundur të riaftësohet në kohë për ndeshjen me Dinamon e Zagrebit e për rrjedhojë nuk është grumbulluar.
Por mund të them se është larguar përfundimisht nga skuadra, pasi ka marrë një ofertë joshëse nga Izraeli”deklaroi ai.
Mungesa e sulmuesit shkodran, që arriti të shënonte 5 gola në 5 ndeshjet e zhvilluara me Skënderbeun do të ndihet shumë në kampin korçar që në ndeshjen ndaj Dinamos, por edhe në fazën e grupeve të Europa League, pasi është një lojtar me cilësinë dhe eksperiencën e duhur për kompeticione të tilla.
Tashmë drejtuesit e Skënderbeut janë hedhur në sulm për një lojtar që do të zëvendësonte më së miri shkodranin. 
Sigal