Përçahet Manchester United, lojtarët që janë pro dhe kundër Mourihnos

450
Sigal

Jose Mourinho ka sezonin e tij të tretë në stolin e Manchester United dhe historia thotë se do të jetë i fundit.

Kjo ka ndodhur në shumicën e klubeve që ka drejtuar. Edhe këtë vit, rezultatet dhe atmosfera në dhomat e zhveshjes së “Djajve të Kuq” shkojnë në favor të një “teorie” të tillë.

Një video, në të cilën shfaqet Paul Pogba i qeshur, pasi skuadra e tij u eliminua nga “Carabao Cup”, kundër Derby County, duket se e ka “mbushur kupën”.

Përçarja në radhët e Manchester United tashmë është evidente dhe e madhe. Një pjesë e lojtarëve janë pro Pogba, pjesa tjetër mbështesin trajnerin.

Siç raportohet nga shtypi anglez, pesë lojtarë janë bashkuar me mesfushorin francez: Andreas Pereira, Martial, Bailly, Shaw dhe Rashford.

Ata janë të pakënaqur me punën e trajnerit portugez.

Shumica e këtyre lojtarëve kanë të përbashkët rolin dytësor, që luajnë në këtë sezon te Manchester United i Mourinhos.

Shaw në këto vite ka pasur më shumë se një problem me trajnerin.

Një tjetër lojtar, që mediat angleze e vendosin në listën e kundërshtarëve të Mourinhos, është Fred.

Braziliani është një mik i madh i Pogba dhe këtë fundjavë ka marrë qortimin e “Special One”, sepse ishte duke dëgjuar muzikë me zë të lartë në dhomën e zhveshjes, pas ndeshjes kundër Wolverhampton.

Megjithatë, në një prononcim për “Globoesporte”, ai mohoi të ishte një nga kritikët e trajnerit portugez.

Por Mourinho, gjithashtu ka mbështetës besnikë në “Old Trafford”.

Shtypi anglez siguron se Matic, Young, Valencia, Fellaini dhe Alexis Sanchez ngrenë flamurin e trajnerit duke qenë të bezdisur dhe mërzitur nga shfaqjet e Pogba në ditët e fundit.