Përballja e 16 trofeve në Kampionate, të shtunën “pushton” Kukësin

592
Nga Agron KAJA
KUKËSI-PARTIZANI/ Për sfidën e titullit kampion, flasin për “Telegraf” drejtuesit në të dyja skuadrat, ja këndvështrimet e tyre
Të shtunën, në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, luhet supersfida e javës së 29-të të Kategorisë Superiore. Kalendari ka vendosur përballë dy skuadrat që synojnë vendin e dytë në renditje, i cili të çon në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. Nisur nga kjo situatë, për gazetën “Telegraf”, dje folën dy zyrtarë të lartë të klubeve respektive, të cilët, duke iu referuar situatave që kalojnë skuadrat e tyre, kanë fitoren si synim të vetëm. Këndvështrimet e Nderim Nexhipit të Kukësit, dhe Genci Tomorrit të Partizanit, e bëjnë edhe më interesante këtë ndeshje, e cila për këtë Kampionat vjen me statistika të barabarta, nga 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, por kuksianët kanë golavarazhin pozitiv 4:3.
Nderim Nexhipi: Takimi me Partizanin, ndeshja e vitit për Kukësin

Si është përgatitur e vlerësuar prej jush sfida e së shtunës me Partizanin?
Ndeshja e ditës së shtunë për javën e 29-të, për Kukësin mbetet një nga sfidat e radhës në këtë Kampionat. Vlerësimi ynë është normal, sikundër edhe për ndeshjet e tjera, pasi çdo përballje kur fitohet, shpërblimin e ka me tri pikë. Kjo është e arritshme për ne.

Duke qenë skuadër rivale për vendin e dytë, mendoni se këtu për ju është sa pranë edhe aq larg Liga e Kampioneve?
Ndeshja me Partizanin, mbetet sfida e vitit për Kukësin. Me fitoren tonë, ne kalojmë +9 pikë nga Partizani, dhe kështu do ta blindojmë vendin e dytë në renditje. E dimë që do të jetë një ndeshje e fortë, por jo e vështirë që të arrijmë synimin tonë për tri pikët.

Synimi juaj është maksimal për këtë ndeshje, a i keni mundësinë që të merrni tri pikët?
Këtë ndeshje me Partizanin, unë mund ta quaj edhe si një “derbi” për Ligën e Kampioneve, vendi i dytë në renditje. Me vendosjen e Klevis Dalipit në bankinë, Partizani ka patur performancë shumë të mirë, por Kukësi i ka potencialet që këtë sfidë ta kalojë me sukses, fitore.

Në këtë ndeshje, e ndjen Kukësi trysninë që vjen nga vendi i tretë në renditje?
Është e natyrshme që të ketë trysni nga ekipet më poshtë në renditje, jo vetëm se ne jemi skuadra Kampione në fuqi, por edhe për situatën që është krijuar në Superiore pas skualifikimit të Skënderbeut nga Evropa. Ndaj e thashë më sipër se, ndeshja me Partizanin mbetet sfida e vitit për Kukësin.

Duke e quajtur takimin me Partizanin si ndeshja e vitit, nëse nuk e arrini synimin, e humbisni rrugën drejt vendit të dytë?
Përgjigjen po ja u kthej me “nëse”. Pra, nëse ne do të barazojmë me Partizanin, humbja jonë as që mendohet, ne nuk e humbasim rrugën tonë drejt vendit të dytë, absolutisht. Pse? Sepse diferenca jonë është e tillë që na mban në tonusin e ndeshjeve, njëherësh na bën edhe më këmbëngulës, që në takimet e tjera të jemi në rrugën e fitoreve.
Me vendosjen e Klevis Dalipit në bankinë, Partizani ka pasur performancë shumë të mirë, por Kukësi i ka potencialet që këtë sfidë ta kalojë me sukses. Unë mund ta quaj edhe si një “derbi” për Ligën e Kampioneve 
Genci Tomorri: Përballja me Kukësin, përcaktuese për të dyja skuadrat

Si është përgatitur e vlerësuar prej jush sfida e së shtunës me Partizanin?
Natyrisht që ndeshja e javës së 29-të, për Partizanin mbetet një nga sfidat e radhës, nga më të vështirat. Kukësi ka ecuri shumë të mirë, sidomos nga faza e dytë, duke treguar me lojën e tij se e meriton vendin e dytë në renditje. Nga kjo përballje, varet shumë ngjitja në renditje.

Duke qenë skuadër rivale për vendin e dytë, mendoni se këtu për ju është sa pranë, edhe larg Liga e Kampioneve?
Për ndeshje të tilla mes rivalësh, natyrisht që kjo sfidë me Kukësin mbetet edhe sfida e vitit për Partizanin, që është vendi i dytë në renditje. Me fitoren tonë, ne afrohemi në -3 pikë me Kukësin, ndaj kjo do të jetë një ndeshje përcaktuese për të dyja skuadrat.

Synimi juaj është maksimal për këtë ndeshje, mendoni se e keni mundësinë që të merrni tri pikët?
Partizani i ka të gjitha potencialet e mundësitë që ta kalojë me sukses këtë ndeshje. Pas ardhjes së Klevis Dalipit në krye të skuadrës, Partizani ka ndryshuar për mirë, dhe ai po e udhëheq me profesionalitet. Edhe drejtuesit e klubit janë të kënaqur, kjo është njëra nga arsyet që synojmë tri pikët në Kukës.

E ndjen Partizani trysninë që vjen nga synimi për vendin e dytë në renditje edhe nga skuadrat e tjera?
Çdo skuadër ka të njëjtat mundësi, sikundër të gjitha këtu në Kategorinë Superiore. Nëse do ti referohemi renditjes aktuale pas 28 javëve të luajtura, për Partizanin vetëm Kukësi është rival, ndërkohë që skuadrat e tjera që renditen më poshtë në renditje, nuk mendoj se do të jenë “kërcënim” për vendin e dytë. 

Nëse të shtunën nuk do ta arrini synimin për rezultat pozitiv në Kukës, e humbisni rrugën drejt vendit të dytë?
Partizani është skuadër më solide se Kukësi, madje edhe jashtë fushës së tij. Unë mendoj vetëm për lojën, sepse nëpërmjet saj ne do të arrijmë maksimalen në Kukës. Duke qenë një përballje përcaktuese si për ne edhe për Kukësin, rruga drejt vendit të dytë është e hapur për ne. 
Partizani i ka të gjitha potencialet e mundësitë që ta kalojë me sukses këtë ndeshje. Pas ardhjes së Klevis Dalipit në krye të skuadrës, Partizani ka ndryshuar për mirë, dhe ai po e udhëheq me profesionalitet 
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 29-të
Datë 14 prill 2018 
Luftëtari-Laçi 14:00
Lushnja-Flamurtari 14:00
Kukësi-Partizani 14:00
Skënderbeu-Kamza 17:00
Datë 15 prill 2018 
Teuta-Vllaznia 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 28 63
2. Kukësi 28 51
3. Partizani 28 45
4. Laçi 28 42
5. Luftëtari 28 41
6. Flamurtari 28 37
7. Kamza 28 34
8. Vllaznia 28 33
9. Teuta 28 30
10. Lushnja 28 10
Sigal