Pep Guardiola paralajmëron: Edhe Mançester Junajtid do luftojë për titull

418
Sigal

Pep Guardiola dukej shumë më i qeshur se zakonisht në konferencën e sotme për shtyp dhe ishte e kuptueshme. Nëse Mançester Siti fiton nesër ndaj Everton, do të jetë përsëri i pari në klasifikim, diçka që cilësohej si e pamundur pak javë më parë, kur Liverpuli filloi arratinë në kryesimin e Premier Ligës.

“Tre apo katër ditë më parë, ne ishim të mbaruar. Liverpuli ishte kampion, ndërsa tani mund të jemi ne në kryesim. Ne mundohemi të jemi të qetë. Do të ketë surpriza në vijim dhe do të jetë e vështirë për skuadrat që të fitojnë çdo ndeshje.

Tani rivalët kanë mundësinë të krijojnë probleme. Ajo që më shqetëson më shumë është se nuk duhet të harrojmë asnjëherë se kush jemi dhe të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Më pas do të shohim rezultatet, tabelën e klasifikimit. Ajo që ndodhi vitin e kaluar, me 18 ndeshje radhazi dhe 100 pikë, nuk është normale për Anglinë. Normale është kjo që mund të fitosh apo humbasësh secilën prej ndeshjeve”, tha Guardiola.

Ndonëse të gjithë shohin një duel mes Mançester Sitit dhe Liverpul për titullin, Guardiola nuk përjashton askënd, as Mançester Junajtid që është 14 pikë larg dhe do t’i duhej një mrekulli.

“Unë nuk kam thënë kurrë se Totenhem nuk është në garë. Nuk e kam thënë as për Çelsin. Junajtid do të vazhdojë çdo javë ecurinë e tij dhe do të jetë aty gjithashtu. Ne shohim zakonisht vendet e para, por Çelsi mund të fitojë ndeshjet e saj e të bëhet konkurruese. Ka edhe 39 pikë në lojë dhe 9 apo 10 pas kryesuesve nuk janë shumë pasi këtu të gjithë mund të të heqin pikë”, paralajmëroi Guardiola.