Penalltitë nderojnë Partizanin

111

Të kuqtë rigjejnë fitoren pas tre barazimeve. Memelli dhe Nexhipi shënojnë nga pika e bardhë

Dy gola të realizuar me penallti, në minutën e 5-të nga Migen Memelli dhe në të 45’ nga Nderim Nexhipi, i siguruan një fitore të lehtë 2-0 Partizanit në sfidën ndaj Bylisit, në ndeshjen hapëse të fazës së tretë. Kjo ishte hera e parë që, Partizani fitonte ndaj ballshiotëve në këtë sezon, teksa dy takimet e mëparshme, ai i fazës së parë ishte mbyllur në barazim 2-2, ndërsa ai së dytës në “Adush Muça” ishte fituar nga Bylisi. Me këtë fitore, Partizani i dha fund serisë prej tre barazimesh me Vllazninë, Skënderbeun e Teutën. Me tri pikët e mara ndaj Bylisit, Partizani ruajti vendin e tretë, me një pikë më pak se Laçi, ndërkohë që, të kuqtë janë -12 pikë nga Skënderbeu i vendit të parë, kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje për t’u luajtur nga përfundimi i kampionatit. Sot, do të luajnë Besa-Flamurtari dhe Teuta-Tirana.

 PA FITUES DERBI I VERIUT

Derbi i Veriut, ai midis Kukësit dhe Vllaznisë, prodhoi një barazim 1-1, por pa shumë vlera për ekipet, sidomos për shkodranët që vazhdojnë të jenë në zonën e ftohtë. Vllaznia kaloi e para në avantazh me anë të Dibrës në minutën e 13-të dhe gjatë gjithë pjesës së parë u tregua më e qartë se kundërshtari në fushën e lojës duke mbrojtur më së miri rezultatin. Në minutën e 30-të, Kukësi pretendoi për gola, por topi i goditur me kokë nga Ylli Hoxha u ndal në vijën fatale. Duhej të vinte minuta e 82-të që Vifor Hysa të barazonte takimin dhe të vuloste rezultatin përfundimtar.

LAÇI BËN DETYRËN

Laçi ka marrë tri pikët e radhës në shtëpi përballë Lushnjës duke fituar takimin me rezultatin 1-0. Një gol i shpejtë i shënuar që në minutën e 10 nga Julian Malo, i cili shfrytëzoi më së miri një pasim të kapitenit Vuçaj zhbllokoi rezultatin e takimit. Loja e zhvilluar gjatë kësaj ndeshjeje pati një nivel të kënaqshëm. Ekipi i Laçit u tregua superior gjatë gjithë takimit duke kontrolluar lojën. Në minutën e 75 të lojës Lushnja pati një shans për të barazuar me anë të Çimilit, por pa rezultat. Ekipi i Stavri Nicës merr një fitore të merituar dhe mban vendin e dytë në renditje.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA XXIII

Dje, 12 mars

Skënderbeu-Kastrioti 3-1

Laçi-Lushnja 1-0

Kukësi-Vllaznia 1-1

Partizani-Bylis 2-0

Sot, 13 mars

Besa-Flamurtari 15:00

Teuta-Tirana 18:00

RENDITJA

1    Skënderbeu      23   +18  48

2    Laçi            23   +5   37

3    Partizani       23   +6   36

4    Kukësi          23   -1   34

5    Teuta           22   +3   31

6    Besa            22   +1   30

7    Flamurtari      22   +2   30

8    Vllaznia        23   -1   26

9    Tirana          22   -6   26

10   Bylis           23   -4   24

11   Lushnja         23   -13  23

12   Kastrioti       23   -10  22

Skënderbeu “masakron” Kastriotin

 Skënderbeu arriti një fitore komode 3-1 me Kastriotin, në ndeshjen e parë të fazës së tretë, duke ruajtur diferencën prej +11 pikësh ndaj Laçit të vendit të dytë (34). Ndeshja ka nisur me ritëm nga të dyja ekipet, ku korçarët kanë arritur të shënojnë 2 gola që në pjesën e pare të cilët pothuajse e kanë mbyllur këtë takim. Në minutën e 10-të, Malindi i Kastrioti doli i vetëm përballë Shehit bën më të vështirën duke goditur keq. Në minutat në vazhdim është Skënderbeu që ushtron trysni. Një aksion i bukur do të konkretizohej në gol pikërisht në minutën 17-të,  Pejiç ul një top për Muzakën, i cili i vetëm përballë portierit nuk gabon. 1-0 dhe korçarët kërkojnë golin e dytë i cili do të vinte në minutën e 33-të ku Muzaka i kthen nderin Pejiçit me një asist dhe ai shënon për 2-0. Minuta e fundit e kësaj pjese do të shënojë një episod, Malindi pengohet në afërsi të zonës por për gjyqtarin është gjithçka e rregullt. Pjesa e dytë fillon 5 minuta me vonesë pasi krutanët pretendojnë se u është mohuar penalltia në rastin e Malindit në fundin e pjesës së parë. Futbollistët e Kastriotit qëndrojnë disa minuta te stoli më pas rikthehen në fushën e lojës. Pjesa e dytë mund të quhet kopje e të parës, pasi është vetëm Skënderbeu skuadra që duket në fushën e lojës. Në minutën e 74-t do të vinte dhe goli i 3-të me anë të Ribaj, i cili shfrytëzon më së miri një krosim të Pejiç nga e djathta. Rezultati 3-0 e bën të dorëzohet Kastriotin. Në minutën e 83-të,  Çela shënon golin e nderit qe do të vlejë sa për statistikë. Skënderbeu vazhdon “arratinë” i vetëm në krye të tabelës, ndërkohë, Kastrioti i Nevil Dedes qëndron i mbërthyer në fund të tabelës me vetëm 22 pikë, duke qenë favoriti kryesor për të rënë nga Kategoria Superiore..

  Bulku-Sukaj, gola në Championsin aziatik

 Ervin Bulku dhe Xhevahir Sukaj kanë shënuar dje nga një gol që i ka dhënë fitoren dhe tri pikët skuadrës së tyre Sepahanit në Ligën e Kampioneve të Azisë. Ka qenë një ndeshje magjike për dy shqiptarët të cilët kanë shënuar nga një gol që i ka dhuruar fitoren me rezultatin 3-2 ndaj Al-Hilalit ekipit iranian. Në fillim ka qenë Bulku që ka hapur ndeshjen në minutën e 17-të me një gol të shpejtë. Më pas takimi është kthyer për Al-Hilalin, por jo për shumë kohë. Është Xhevahir Sukaj që në minutën e 91-të të takimit i ka dhuruar fitoren Sepahanit që kështu merr tre pikët në Championsin e Azisë dhe është në vendin e dytë të grupit pas skuadrës Al-Sadd.

 Aktivitet sportiv mes studenteve konviktore

 Numri i aktiviteteve sportive pranë Shoqërisë së Trajtimit të Studentit Nr.2 në kryeqytet, janë rritur ndjeshëm muajt e fundit, në përpjekje për të afruar sa më shumë studente konviktore pranë mjediseve sportive që kjo shoqëri disponon. Një rini që përveç studimeve ka mundësi të kalojë kohën e lirë duke u argëtuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke u marrë me sport. Dhe, për këtë arsye, ka nisur një Kampionat Volejbolli midis 4 godinave të Fakultetit të Mjekësisë që kjo shoqëri disponon. Nga data 9 mars dhe deri në fund të majit është hartuar një kalendar sportiv aktivitetesh volejbolli, për të afruar sa më shumë studente në fushën sportive pranë Godinës nr.1. Një kalendar kampionat volejbolli i hartuar edhe duke marrë parasysh kërkesat e vajzave konviktore. Më 9 mars, kur dhe nisën ndeshjet e javës së parë pjesëmarrja e vajzave konviktore ishte e kënaqshme, duke kaluar edhe pritshmërinë e vetë organizatorëve. Kjo, pasi u luajtën jo vetëm ndeshjet e kalendarit por edhe sfida të tjera të lira midis studenteve, që në këtë mënyrë u afruan më shumë mes tyre dhe terreneve sportive të Shoqërisë së Trajtimit të Studentit Nr.2 në kryeqytet. Dhe nuk munguan vajza që preferuan të qëndrojë e të mbështesin shoqet e tyre të dhomës apo godinës, duke frekuentuar mjediset shplodhëse përreth fushës sportive. Një aktivitet që afroi edhe më shumë vajzat mes tyre, ndërkohë që, kampionati do të vazhdojë gjatë, deri pranë sezonit të ardhshëm të provimeve. Në fund të kampionatit do të ketë edhe disa surpriza për vajzat e pjesëmarrëse në aktivitetet sportive e veçanërisht ato fituese. Me synimin që të afrohen sa më shumë të rinj me mjediset sportive dhe për t’i larguar nga lokalet e veset e këqija. “Ne i kemi vendosur mjediset sportive në dispozicion të studentëve, për t’u krijuar atyre kushte sa më të mira për të kaluar kohën e lirë. Që përveç studimit të ndihen sa më komod, duke u përpjekur të jemi sa më pranë tyre”, – deklaroi Administratori i Shoqërisë, Viron Bezhani, në lidhje me aktivitetin e volejbollit nisur pak ditë më parë.