Pas suksesit historik të Skëndërbeut, Daja: Këtu punoj si askund tjetër, gati një “Latif” i ri

117
Ilir Daja ka kryer një mision të rëndësishëm të jetës së tij, madje ndoshta më të rëndësishmin. I pari trajner që kalon katër ture në Europë, por mbi të gjitha sot ai ka ndërtuar një skuadër që i përgjigjet dhe është duke hapur një cikël të ri fitues. Por a ka pengje sot trajneri i Skënderbeut? Si do e zëvendësojë Latifin, çfarë objektivi ka në fazën e grupeve…? Ilir Daja u jep përgjigje me diplomaci të gjitha pyetjeve në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, edhe pse ngre tonin kur e etiketon si trajner teorik.
Sa mesazhe keni marrë pas ndeshjes?
Pa fund… Nuk e di, nuk i kam numëruar, por po mendoj që të bëj një status në “Facebook” që t’i uroj të gjithë se kam frikë mos i mbetet hatri ndokujt se nuk i kthej përgjigje… (qesh).

A patët frikë me Dinamon në ndeshjen e kthimit?
Jo, frikë jo. Por natyrisht merak kishim. Rezultati i parë ishte i mirë, por mjaftonte një gol edhe gjithçka ndryshonte. Kisha besim te skuadra dhe te fryma e krijuar në grup. Por sigurisht që kisha edhe emocione, sepse fundja po luanim me një ekip që kishte 11 vite radhazi që shkonte në fazën e grupeve.

Skënderbeu vjen pas një periudhe jo të mirë, madje edhe ju hasët vështirësi për muaj të tërë, ndërsa tani po shkëlqen… Mund të na thoni dy, tri apo më shumë elementë që e ndryshuan këtë ekip?
Së pari, grupi i lojtarëve. Ekipi ka shumë potencial, por, përveç kësaj, shumica e tyre janë futbollistë me eksperiencë që transmetojnë mentalitetin dhe disiplinën e duhur në grup. Së dyti, mendoj se puna e madhe edhe në aspektin teorik i dha efektet e saj. Pak me vonesë, por isha i bindur se do të jepte efekte. Dhe, së treti, por që mendoj është më e rëndësishmja, është mënyra se si është ndërtuar klubi i Skënderbeut.

Si është ndërtuar klubi i Skënderbeut?
Me baza shumë të mira. Ka infrastrukturë shumë të mirë, kjo as që diskutohet. Por e kam edhe për mentalitetin. Gjërat ndahen në mënyrë të drejtë dhe secili e di mirë ku fillojnë të drejtat e tij dhe ku nisin detyrimet. Kjo më pëlqen shumë. Një element tjetër është edhe uria. Këtij grupi nuk i mbaron kurrë uria.

Sa të vështirë e patët në fillim?
E pata të vështirë, nuk e mohoj. Mua dhe skuadrës na duhej kohë të përshtateshim, por unë e mora ekipin kur ishin luajtur 12 ndeshje dhe kishte 14 pikë… Duhej të përshtateshim, por edhe të merrnim pikë. Ishte e vështirë, e pranoj.
Juve ju etiketojnë shpesh si trajner teorik, punoni shumë me lojtarët në këtë aspekt, por një pjesë e tyre nuk e ka qejf këtë…
Nuk jam dakord të më etiketojnë kështu.

Pse?
Sepse kam fituar 2 herë kampionatin si trajner dhe përveç kësaj besoj kam lënë gjurmë edhe në këtë kualifikim historik me 4 ture… Këto nuk vijnë vetëm nga teoria, por edhe duke vënë në jetë dhe duke shpjeguar se përse kërkohet të zbatohen ato që bëjmë në teori.

A keni ndonjë peng që nga koha kur jeni te Skënderbeu?
Jo, asnjë peng. Kam punuar me përkushtim dhe skuadra, drejtuesit, por edhe qyteti kanë qenë fantastikë. Nuk kam pengje.

Si ju duk shorti?
Shortin e pritëm me qetësi, sepse e dinim se do të kishim rivalë të vështirë. Do të doja të kishim ndonjë ekip më me emër në grup, por gjithsesi ky është fati ynë dhe ne do të bëjmë më të mirën. Nuk jemi ende në nivelin për të qenë pretendentë që të kalojmë grupin, por nuk kemi asgjë për të humbur.

Ç’mendim keni për Partizanin e Beogradit dhe a druheni se për lojtarët mund të ketë efekt negativ në aspektin psikologjik?
Partizani është i vështirë dhe shpresoj të luhet vetëm futboll. Shpresoj shumë që të krijohet vetëm një atmosferë futbolli. Kemi kujtime të këqija nga koha e Kombëtares në Beograd dhe kjo e bën delikate sfidën, ndaj në këtë aspekt ndoshta do ishte më mirë të evitohej. Megjithatë, do të bëjmë kujdes që të fokusohemi vetëm te ndeshjet dhe jo në ngjyrimet që mund të marrë mediatikisht sfida.

A keni frikë se impenjimi në grupe mund t’ju hapë probleme në kampionat?
Jo, përkundrazi, mendoj se do të jetë një motiv më shumë që të impenjohemi seriozisht edhe në kampionat.

A e keni grupin të kompletuar?
Skënderbeu ka lojtarë cilësorë dhe mendoj se me kaq shumë impenjime, pra: Europë, kampionat dhe kupë, tani do të ketë vend për të gjithë. Do të bëjmë rrotacion, kjo as që diskutohet, por ky është një shans i mirë për të gjithë ata që luajnë pak.

Kush e zëvendëson Latifin?
Nuk mund ta them me siguri tani, por mund të them se Skënderbeu është një klub serioz që ka nxjerrë gjithnjë talente. Olainka, Berisha, Zeka, Latifi… të gjithë këta nuk janë rastësi. Skënderbeu edhe sot ka në gjirin e tij talente dhe mendoj se është gati ta nxjerrë sërish një “Latif” të ri…

A do të ketë afrime të tjera gjatë merkatos?
Nuk mund të përgjigjem saktësisht për këtë. Do të diskutohet me klubin dhe do të bëjmë më të mirën.

Çfarë plani keni për grupet dhe a mund të bëjë Skënderbeu surprizën?
Momentalisht, ne nuk jemi në nivelin e ekipeve të tjera, por ama nuk kemi asgjë për të humbur…

A është ky grupi më cilësor që keni trajnuar?
…(Mendohet) Është një ndër grupet më të mira, e pranoj. Por kam drejtuar edhe skuadra të tjera me potencial shumë të madh si Elbasani, Dinamo, Tirana dhe Besa. Por ama ky është grupi që punon në kushtet më të mira në Shqipëri. Kjo është diferenca. Sot ne jemi i vetmi ekip që stërvitjet gjatë gjithë vitit i kryen në fushë me bar natyral. Kaq mjafton për të kuptuar se Skënderbeu është shumë serioz.

Thatë që keni marrë shumë mesazhe, cili ishte më i bukuri?
Më i bukuri, që e kam marrë shpesh në fakt, është mesazhi kur më thonë se tani Skënderbeu nuk është më vetëm i Korçës, por i gjithë shqiptarëve. Kjo më ka bërë të ndihem jashtëzakonisht mirë. E kemi kryer misionin për t’i bërë shqiptarët krenarë.