Pas një pritjeje 26 vjeçare, Partizani shpallet kampioni Shqipërisë për herë të 16-të në historinë e tij

159

Merr fund pritja 26-vjeçare e të kuqve, të cilët shpallen fitues të Superligës për herë të 16-të në historinë e tyre

Partizani, kampion i Shqipërisë

Partizani është shpallur zyrtarisht kampion i Shqipërisë për herë të 16-të në historinë e këtij klubi, duke i dhënë fund një pritjeje 26-vjeçare, që nga titullit i fundit i vitit 1993. Skuadra e këtij sezoni e Partizanit ka qenë padyshim më e mira e kampionatit, duke dominuar bindshëm që në javët e para dhe duke arritur që të shpallet kampion me një diferencë të madhe prej 13 pikësh nga vendi i dytë. Edhe pse trofeu i kampionit ishte prej javësh i prekshëm për skuadrën e trajnerit Skënder Gega, zyrtarizimi erdhi dje, pikërisht në ndeshjen më të rivalizuar të futbollit shqiptar, derbin Partizani – Tirana. Nëse do të pyesnim çdo tifoz të Partizanit, të gjithë pa përjashtim do të përgjigjeshin se mënyra më perfekte për t’u shpallu kampion i Shqipërisë do të ishte në derbin kundër Tiranës. Dhe pikërisht, kështu ndodhi. Në stadiumin “Skënder Halili”, demat e kuq fituan me rezultatin 2-1, duke vulosur diktatin e tyre në një sezon që i pa protagonist absolut.

Çinari, heroi i Partizanit

Në ndeshjen e luajtur nën një atmosferë të zjarrtë të tifozëve të kuq ishte një super Erald Çinari që i dha fitoren kryeqytetasve. Në pjesën e parë e loja kishte një ritëm të lartë që në minutat e fillimit. Më e çlirët ishte Tirana, që arriti të shkojë në portën e Alban Hoxhës dy herë rrezikshëm, por pa mundur dot të jetë konkrete. Me kalimin e minutave, Partizani e mori veten dhe filloi të zbresë rrezikshëm në portën bardheblu. Pas këtyre minutave të mira për djemtë e Gegës erdhi dhe goli. Ishte shkodrani, Erald Çinari, që çoi topin në rrjetë për të shpërthyer festën në shkallët e “Selman Stërmasit”. Futbollisti i Partizanit pasi mori topin në krahun e djathtë, me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës gjeti të papërgatitur portierin Abibi. Pas këtij goli Partizani fillon të imponohet ndaj Tiranës. Por bardheblutë do të gjenin forca për të reaguar pikërisht në momentin më të mirë të Partizanit. Ishte minuta e 41’. Kur Berdi Greca pushoi festën e tifozëve të Partizanit në “Selman Stërmasi”. Mesfushori gjen një korridor në zonën e Partizanit dhe më pas mposhti Alban Hoxhën. Pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1. Në fraksionin e dytë të këtij derbi, ritmi nuk kishte shumë ndryshime nga 45 minutat e para. Sulme nga të dyja krahët, por pa saktësinë e duhur dhe pa krijuar rrezik në portën e Abibit dhe Hoxhës. Pas disa aksioneve të dështuara për Partizanin del në skenë sërish heroi Çinari. Sulmuesi shkodran tundi rrjetën e 72’ duke i dhënë Partizanit titullin kampion pas dy dekadash e gjysmë mungesë. Deri në fund ndeshja pati emocione të shumta dhe lojtarët në disa çaste e treguan presionin e madh që po mbartnin ato minuta. Në fund vërshëllima e arbitrit sinjalizoi festën për Partizanin që bëri bashkë tifozët, lojtarët dhe drejtuesit, të cilët mbushën fushën e blertë të stadiumit.

Trajneri Skënder Gega mes lotësh: Ëndrra më solli këtu!

“Ishte ëndrra që më solli këtu. Nuk kam qenë kurrë më krenar dhe i lumtur. Këtë sukses ja dedikoj çdo njeriu që më ka mbështetur, familjes, Demit dhe Ramës, djemve. Janë mijëra emra që mund t’i falënderoj. Jam i lumtur që ia dolëm. Nuk më besohet që jemi kampionë. Çdo minutë që kalon do më pëlqejë më tepër për lodhjen e sakrificën, për familjen që ka qëndruar larg meje. Kam shumë miq që kanë jetuar me shqetësimin pranë meje. Janë edhe miqtë. Kam merita bashkë me çunat, por Gaz Demi është njeriu që më dha kurajë në momentet më të vështira. Kur të jem më i qetë do ndaj gjërat e mira, jo të këqijat.”- u shpreh strategu i Partizanit, Skënder Gega.

Tirana rrezikon seriozisht rënien nga kategoria

Për Tiranën kjo javë solli vetëm trishtim, pasi jo vetëm humbi derbin e radhës(bardheblutë nuk fitojnë prej vitesh ndaj Partizanit) duke i dhuruar titullin rivalëve të përjetshëm, por tashmë rrezikon seriozisht qëndrimin në Kategorinë Superiore, pasi është vetëm 2 pikë larg rënies. Skuadrën e trajnerit Ardian Mema e pret një betejë e vërtetë mbijetese në 3 ndeshjet e mbetura. Për 24 herë kampionët e Shqipërisë, skenari i rënies në një kategori më poshtë është më prezent se kurrë. Aktualisht Tirana ndodhet në vendin e 8 në kuotën e 40 pikëve, dy më shumë se Kastrioti i vendit të parafundit, teksa java tjetër i vë përballë të dyja këto skuadra. Beteja për mbijetesë në superiore mesa duket do të vendoset vetëm në frymëmarrjen e fundit.