Pas kinezit Jonghong Li, në krye te Milanit mund të vijnë arabët

481
Drejtuesit e Milanit, teksa qëndrojnë në pritje të përgjigjes së UEFA-s mbi të ashtuquajturën “marrëveshje vullnetare”, gjatë kësaj javë do të zhvillojnë disa takime me disa institucione për të gjetur financues për të shlyer borxhin ndaj fondit “Elliot”. Sipas “Premium”, në “Casa Milan” pritet një vizitë nga drejtuesit e “Highbridge”, një tjetër fond që mund të ndihmojë klubin të shlyejë 300 milionë euro borxhe me interesa më të ulëta.
Arabë – Muajt e fundit kanë qenë jo pak të komplikuar në klubin kuqezi, jo vetëm për ndryshimin e pronësisë, por edhe prej kampionatit negativ, pavarësisht 238 milionë eurove të investuara në merkato. Teksa skuadra vazhdon të mos shfrytëzojë shanset për të përmirësuar klasifikimin, nuk mungojnë edhe zërat mbi pamundësinë ekonomike të pronarit kinez të Milanit, Jonghong Li. Duke parë këto vështirësi financiare dhe sportive, sipas të përditshmes italiane “La Repubblica”, krerët kinezë duket se po kërkojnë partnerë të rinj për të shitur një pjesë ose të gjitha aksionet. Nga ambientet financiare londineze ka zëra se i interesuar për të siguruar Milanin është një grup arab i nivelit të lartë.
Stadiumi – Një hapësirë të veçantë meriton edhe çështja e stadiumit që gjithmonë, sipas “La Repubblica”, ka tërhequr vëmendjen e një kompanie amerikane me qendër në SHBA-në. Ky kolos amerikan i ndërtimit me sa duket ka gati një projekt dhe pret vetëm ndryshimin e pronësisë së kuqezinjve për t’u futur në “valle” në lidhje me ndërtimin e impiantit të ri të Milanit. Pikërisht këto interesa shumëmilionëshe kanë shtyrë krerët italianë të klubit të intensifikojnë bisedimet me Komunën e Milanos për të gjetur sa më shpejt hapësirën ku “Djalli” pritet të ndërtojë folenë e tij të re. Një stadium në pronësi do ta bënte klubin milanez edhe më tërheqës në kuadrin e sponsorizimeve, por edhe në nivel të ardhurash nga marketingu.
Sigal