Partizani vë diktatin në Superligë, të tjerat ndjekin

492
Sigal

U deshën të kalonin 11 javë të kampionatit që të krijohej një ide më e qartë për pretendentet e vërteta në këtë sezon. Ashtu siç edhe është thënë shumë shpesh, ky vit i Superligës ka qenë një nga më të bukurit dhe më të luftuarit me më shumë se 6 skuadra që luftonin për titull. Por kjo thuhej në fazën e parë, pasi tani që jemi futur në fazën e dytë skuadrat e tregojnë më së mirë fuqinë dhe vlerat e tyre. Ndërkohë që në fillim mendoheshin si pretendente edhe Vllaznia me Flamurtarin, tanimë nuk janë asnjëra, për shkaqe të ndryshme por që thelbi është i njëjtë, mungesa në drejtim. Laçi nga ana tjetër cilësohej si një pretendente e vërtetë deri në ndeshjen me Partizanin në fazën e dytë, e për të vijuar me humbjen që patën me Skënderbeun të dielën që shkoi, humbje kjo që e shoi shumë shpejt atë frymën për fitimin e titullit. Tani, pas javës së 11-ë kemi vetëm katër skuadra që po e ruajnë vazhdimësinë dhe po shfaqen bindshëm si pretendente të vërteta të titullit kampion, dhe fituesja në fund të sezonit me shumë mundësi do të jetë mes këtyre të katërtave me Partizanin, Tiranën. Kukësin dhe Skënderbeun. Ashtu siç nuk ishte menduar në fillim të sezonit, duke thyer çdo parashikim, Partizani kryeson renditjen e kampionatit e vetme, në javën e 11-ë të saj. “Demat” deri më tani ishin në një luftë të vazhdueshme me “bashkëqytetarët” e tyre për kreun e renditjes, por java e  11-ë foli vetëm për të kuqtë, që fituan përsëri dhe përsëri nuk pësuan gol, ndërsa bardheblutë hodhën një hap fals në Vlorë, ndaj Flamurtarit. Këto rezultate treguan edhe një herë forcën në ngjitje të Partizanit që duket në pozita të favorshme për të mbajtur të njëjtën ecuri deri në fund të këtij sezoni. Situata në renditje nuk është shumë e ndërlikuar, pasi Partizani i vendit të parë ndodhet me 24 pikë, ndiqet direkt nga Tirana dhe Kukësi me nga 22 pikë secila dhe mbyll serinë e konkurrenteve të vërteta Skënderbeu me 21 pikë. Barazimi që Tirana mori në Vlorë, e shtynë edhe një herë në vendin e dytë, barazim ky që vjen si një humbje për bardheblutë duke parë që kundërshtarët direkt fituan por gjithashtu të barazosh me Flamurtarin që ishte në një gjendje shumë të vështirë si skuadër duket një hap fals i pafalshëm. Ndeshjen e radhës, tiranasit do ta kenë ndaj Vllaznisë në “Qemal Stafa”, ndeshje kjo që mund të jetë ashtu si ndaj vlonjatëve një thikë me dy presa, pasi shkodranët janë në një nga gjendjet më të vështira që kanë kaluar ndonjëherë si skuadër duke grumbulluar humbje pas humbjesh, dhe nevoja që kanë për fitore mund të shtyjë të gjithë skuadrën përpara për pikë, dhe të humbasësh pikë në dy ndeshje rresht për Tiranën do të ishte njëlloj si të humbitnin titullin. Ndërkohë që Skënderbeu po provon një ngjitje në tabelë, duke shmangur humbjet dhe situatat e vështira që kishte disa javë më përpara. Një test i vështirë e pret në shtëpi ku do të ketë përballë Partizanin, skuadrën me mbrojtjen më të mirë në kampionat, ndeshje shumë e vështirë kjo, dhe shumë me vlerë nëse arrihet fitorja, pasi të dyja skuadrat synimin e kanë vetëm tek tre pikët pasi një pikë do ishte baras me humbjen duke parë edhe sa afër janë me rivalet e tjera në renditje. Skuadra tjetër që aspiron për titull kampion, Kukësi, do të ndeshet ndaj Laçit, në një ndeshje mjaft të vështirë për të dyja, me kuksianët që fitoren e kanë të detyrueshme edhe pse luajnë në fushën e tyre, gjithashtu laçianët do të përpiqen të luajnë fort që të shmangin humbjen e tretë rresht, çka do të përbënte edhe një prag krizë për ta, që ishin në pozita aq të mira dy ndeshje më përpara. Java e 12-ë do të jetë një tregues më shumë për çmimet që do të merren në fund të sezonit, pasi një kalesë pa pengesa e Partizanit edhe në ndeshjen ndaj Skënderbeut do ta afronte edhe më shumë drejt pretendimeve edhe pse është akoma shumë shpejt për të arritur në përfundime, por është forma e të kuqve që e imponon një gjë të tillë.

  Skuadra Nd F B H GSH GP P
1 Partizani 11 7 3 1 10 2 24
2 Tirana 11 6 4 1 14 5 22
3 Kukësi 11 7 1 3 14 8 22
4 Skënderbeu 11 6 3 2 12 4 21
5 Laçi 11 4 4 3 12 9 16
6 Flamurtari 11 3 5 3 9 7 14
7 Teuta 11 4 1 6 11 10 13
8 Vllaznia 11 3 2 6 8 14 8
9 Apolonia 11 2 1 8 3 18 7
10 Elbasani 11 1 0 10 4 20 3

Rezultatet e javës së 11-të

Vllaznia 1-2 Teuta

Laçi 0-2 Skënderbeu

Elbasani 0-2 Kukësi

Partizani 1-0 Apolonia

Flamurtari 0-0 Tirana

 Tirana – Vllaznia, pa tifozë dhe pa rivalitet

Një nga pjesët më të bukura të futbollit shqiptar është edhe ndeshja në mes Tiranës dhe Vllaznisë, ose siç njihet ndryshe edhe derbi i Shqipërisë që për vite e vite me radhë ka ofruar spektakël, gola dhe qytetari. Por në këtë sezon kjo ndeshje ka humbur shumë, që nga tifozët si pjesa më e rëndësishme e këtij sporti e deri tek rivaliteti efektiv në lojë pasi situata e Vllaznisë është në një gjendje aspak të mirë. Kjo skuadër që gjithmonë ka rivalizuar, këtë sezon po shfaqet në formën më të keqe të saj dhe pikërisht në këtë kuadër u organizua dje një protestë nga tifozët e Vllaznisë, ata që me të vërtetë e duan skuadrën, për të vënë në vëmendje të të gjithëve rëndësinë që ka ky ekip. Ndeshja do të luhet këtë të shtunë, me Vllazninë që vjen pas 5 humbjesh rresht në kampionat dhe me Tiranën që vjen pas barazimit në Vlorë dhe është e detyruar të fitojë për të mos humbur terren ndaj Partizanit.

Rikthehet Kupa e Shqipërisë, jo më ndeshje të lehta për Superioren.

Nesër fillojnë ndeshjet e turit të dytë eliminator për Kupën e Shqipërisë, me të gjitha ndeshjet që do të luhen në të njëjtin orar, 14:00, dhe me shumë takime interesante ku dallojnë mbi të gjitha dy takimet që bashkojnë katër skuadrat e Superligës, me Elbasani-Laçi dhe Apolonia-Teuta. Të gjitha ndeshjet do të jenë me dy takime, nga ku takimi i dytë do të luhet me 19 të këtij muaji. Ashtu si në ndeshjet e para, edhe këtu ndiqet po i njëjti rregull që vendos si vend pritës në takimin e parë atë skuadër që ka pasur renditjen më të dobët në kampionatin paraardhës. Skuadrat e Kategorisë së Parë, si Veleçiku, Tërbuni, Lushnja, Bylis, Kastrioti dhe Pogradeci, do të mundohen të ruajnë formën e mirë që po gëzojnë në kampionat që të shfaqen të rrezikshme ndaj kundërshtarëve të tyre të një niveli më të lartë siç janë ato të Superligës. Në fakt nuk pritet që skuadrat e superiores ta kalojnë këtë fazë po me aq thjeshtësi si kaluan fazën e mëparshme, pasi aktualisht do të kenë përballë skuadrat pretendente për ngjitjen në kampionatin ku militojnë më të mirat e Shqipërisë.

Veleçiku-Flamurtari

Tërbuni-Skënderbeu

Elbasani-Laçi

Lushnja-Partizani

Bylis-Tirana

Kastrioti-Vllaznia

Pogradeci-Kukësi

Apolonia-Teuta

Rezultatet e fazës së parë kualifikuese

Iliria 1-5 Partizani

Himara 1-20 Skënderbeu

Naftëtar 1-5 Laçi

Tomori 2-3 Tërbuni

Luftëtari 3-4 Bylis

Veleçiku 2-2 Besa

Burreli 0-2 Lushnja

Shkumbini 2-3 Elbasani

Kamza 0-5 Flamurtari

Dinamo 0-8 Apolonia

Ada 2-3 Kastrioti

Kukësi 10-2 Vora

Pogradeci 2-0 Butrinti

Besëlidhja 2-5 Teuta

Sopoti 1-4 Tirana

Mamurrasi 2-3 Vllaznia