Partizani vazhdon goditjet, Asion Daja firmos më të kuqtë

144

Gjatë mërkatos së verës, 15 herë kampionët e Shqipërisë kanë nënshkruar me 12 futbollistë

Edhe pse më nënshkrimin e Fejzullahut e Leandros merkatoja e kuqe konsiderohej e mbyllur, dje Asion Daja firmosi për Partizanin. Ish-mesfushori i Kastriotit nënshkruar dje një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon me klubin dhe tashmë zyrtarisht do të jetë pjesë e të kuqve. 24-vjeçari do të jetë një alternativë për mesfushën, ku konkurrenca është shumë e fortë, pasi në këtë repart Duro do të ketë në dispozicion lojtarë me peshë si Nexhipi, Batha, Mustafa, Shabani dhe Trashi. 24-vjeçari është prodhim i akademisë së Dinamos, por është aktivizuar edhe me Shkumbinin në moshën 19-vjeçare. Daja i është bashkuar menjëherë Partizanit në stërvitje, me të kuqtë që po përgatiten në një fushë me bar sintetik, për t’u spostuar më 13 korrik në Maqedoni, ku do të qëndrojnë për dy javë. Sipas programit të hartuar nga trajneri Shpëtim Duro, në fillim të gushtit, Partizani do të udhëtojë për dy javë të tjera në Bullgari, ku do të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore për të qenë gati për startin e sezonit të ri futbollistik. Partizani i Shpëtim Duros  ka nënshkruar deri tani me 12 futbollistë, tre prej yre të huaj: mbrojtësi bullgar Ignat Dishliev, sulmuesi serb Stevn Raçiç dhe sulmuesi brazilian Rafael Leandro Magalhaes. Bullgari Dishliev nënshkroi një kontratë 2-vjeçare me të kuqtë. Gjatë sezonit të fundit, Dishliev ka qenë pjesë e Beroe Stara Zagora, që e mbylli kampionatin në vendin e 8-të. Sulmuesi brazilian Magalhaes ka nënshkruar kontratë 3- vjeçare me “demat”. Sulmuesi ka luajtur më parë në Suedi dhe në Brazil. Edhe sulmuesi gjigant serb firmosi një kontratë njëvjeçare.

Lojtarët e afruar

Asion Daja

Rafael Leandro Magalhaes

Arbnor Fejzullahu

Ardian Cuculi

Stevan Raçiç

Ignat Dishliev

Bunjamin Shabani

Mentor Zhdrella

Lorenc Trashi

Argjend Mustafa

Dashamir Xhika

Idi Batha

Dy ndeshje jashtë

Partizani do ta nisë kampionatin me dy ndeshje jashtë fushe, fillimish në Laç e më pas në Apolonisë në Fier.

Derbi me Tiranën

Derbi i parë me Tiranën do të jetë në javën e gjashtë, më pas do të përsëritet në javën e 15-të, 24-t dhe 33-të.

Sfida me Skënderbeun

Ndeshja e parë në Tiranë do të jetë në javën e tretë. Partizanin e pret një sfidë të vështire me kampionet e Skënderbeut.

KALENDARI I

FAZËS SË PARË

1. Laçi-Partizani

2. Apolonia-Partizani

3. Partizani-Skënderbeu

4. Kukësi-Partizani

5. Partizani-Teuta

6. Tirana-Partizani

7. Partizani-Flamurtari

8. Vllaznia-Partizani

9. Partizani-Elbasani

Mehmedi: “FSHF-ja s’më ka thirrur kurrë”

 Admir Mehmedi, sulmuesi nga Gostivari që luan me Zvicrën, i ka lëshuar kritika në distancë Federatës Shqiptare të Futbollit, duke thënë se institucioni shqiptar i futbollit nuk investon te talentet, por pret që të marrë lojtarë të gatshëm. Sipas tij, nuk duhen paragjykuar shqiptarët e Zvicrës, pasi ky vend u ka dhënë gjithçka që nga fëmijëria dhe deri tani. Në një intervistë për “LAJM”, sulmuesi i Freiburg në Bundesligë flet edhe për Botërorin “Brazil 2014” dhe duelin me yllin e Argjentinës Lionel Messin. “Të jem i sinqertë, s’e dija se jam shqiptari i parë që kam shënuar në Botëror, por shokët ma kanë treguar pas ndeshjes. E kam ndier vetën shumë krenar, pasi ishte një ndjenjë shumë e mirë të shënosh golin e parë shqiptar në botëror”, ka thënë Mehmedi. Më tej bomberi ka folur edhe për Shqipërinë: “Nuk kam marrë asnjë ftesë nga Shqipëria. Mendoj se FSHF-ja duhet t’i ndjekë talentet shqiptarë qysh në moshë të re dhe jo pasi ata të rriten dhe të zgjedhin Kombëtaren. Nuk mund të kujtohen kaq vonë për të fituar dhe kjo nuk do të ishte korrekte edhe nga Zvicra në rastin tonë”. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta ka pritur në një takim futbollistin shqiptar të Kombëtares së Zvicrës, Admir Mehmedi, i cili pas kthimit nga Brazili po qëndron për pushime në Gostivar.

  Dopingu, pezullohet peshëngritësi Çerçizi

 Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes ka pezulluar 2 vjet peshëngritësin shqiptar, Arbër Çerçizi, i cili ka rezultuar pozitiv në testin antidoping. Në deklaratën, që zyra juridike i ka dërguar presidentit Elez Gjozaj dhe sportistit Çerçizi, thuhet se, gjatë kontrollit në Mars të këtij viti, peshëngritësit 17-vjeçar i është gjetur substanca testosterone/epitestosterone, një substancë kjo, e cila është në listën e të ndaluarave nga VADA.

Çerçizit i është ofruar të bëjë testin B, por pasi nuk ka pranuar ta bëjë këtë, Federata Ndërkombëtare ka vendosur ta pezullojë për 2 vjet nga çdo aktivitet 17-vjeçarin Çerçizi, pezullim ky që përfundon më 9 maj të vitit 2016.

 Korina: “Shumi po përmirësohet”

 Majëkëll Shumaker po përmirësohet dalëngadalë. Lajmin e konfirmon bashkëshortja e tij, Korina, e cila foli për herë të parë për gjendjen e tij që pas aksidentit të 29 dhjetorit në Meribel të Francës. “Po bëjmë hapa përpara. Po ecim ngadalë sigurisht por të paktën po ecim përpara”. Korina duket më e qetësuar që pas transferimit në Lausane ku tashmë Shumin e pret një tjetër sfidë, ajo e rikuperimit pas disa muajve në gjendje koma. Ditët e fundit ajo është fotografuar nga mediat gjermane duke buzëqeshur, çka ka ngjallur aludimet rreth gjendjes së ish-kampionit të Botës.  Shumaker e la spitalin e Grenoble në datën 16 Qershor dhe tani po rehabilitohet në Lozanë të Zvicrës.

Trajneri i baskebollit të Sarandës: “Kryebashkiaku Stefan Çipa synon t’ia rikthejë këtë vlerë qytetit”

Pajtim Seferi: “Çfarë duhet bërë me basketbollin në Sarandë”

Ulur në një nga kafenetë e Sarandës duke pirë kafen e mëngjesit me trajnerin e ekipeve të basketbollit nga grupmoshat ”baby” e deri tek ato U-16, zotin Pajtim Seferi. Përballë kemi detin me kaltërsinë e pasqyrtë dhe vërshimin e rezeve diellore të mëngjesit, ç’ka i jep një ilustrim jo vetëm piktoresk e qetësues bisedës, por edhe sportiv. Është ende mëngjes herët dhe buzë detin në shëtitore e në anëdet rërës shohim grupmosha të ndryshme që vrapojnë si ritual gjimnastikor i mëngjesit. Kjo na nxit më shumë që biseda jonë të vërtitet rreth sportit dhe gjendjes së tij në Sarandë. Dhe trajneri i pamposhtur në stërvitje ndjen kënaqësinë e tij që biseda mori këtë rrjedhë. Pajtim Seferi ka qenë një kuadër i lartë ushtarak dhe që nga viti 1997 drejton ekipet e grupmoshave, që siç jemi mësuar tu themi “të të rinjve” apo me termin e sotëm ekipet zinxhir. Ndonëse ka kapërcyer të 70 vitet, fiziku i tij tregon shumë e më shumë më pak vite. Me një fytyrë të qeshur që buzagazi dashamirës nuk i ikën nga fytyra gjatë bisedës, me një trup të ngjeshur e muskulor, të cilin thotë se e ka dhuratë jo vetëm nga gjeni, por nga stërvitja si ushtarak për vite të tëra dhe tani nga stërvitja sportive. Por, cila është puna dhe meraku i trajnerit të pasionuar, Pajtim Seferi? Këtë e kuptojmë vetë gjatë bisedës me të. Qe viti 1997 kur vendosi ti përkushtohej sportit dhe krijoi ekipin e parë të basketbollit për të rinj në Sarandë. Vitet shtuan dhe ekipet dhe pjesëmarrjen në kampionate kombëtare dhe ndërkombëtare.Thotë se ka marrë pjesë në të gjitha kampionatet kombëtare, që me krijimin e ekipit më 1997, me moshat të cilat zhvillohen me sistem grumbullimi nga FSHB-ja. Ka në trajnim stërvitor ekipet e “Bebi”, U-10, 12,14 dhe U-16 për djem si dhe ekipet U-10 dhe U-12 për femra. Të gjitha ekipet të federuara dhe të pajisura me kartelat përkatëse, federim i cili bëhet ç’do fillim viti. Mund ti themi me plotë gojën këtij trajneri të qytetit jugor “… dhe i vetëm, trim në luftë…”. Ndonëse Saranda nuk ka një përvojë të cilësuar si motivuese apo model  në baskeboll siç ka volejbollin e notin në standartet e larta (flasim për përvojën e dikurshme) e futbollin në nivele mesatare, trajneri Seferi ka mundur të ngrejë ekipe që përherë kanë qenë pretenduese deri në finalistë, por ka pasur edhe dështime, dhe këto me arsye e faktorë objektivë e subjektivë. Në turin ndërkombëtar të zhvilluar në Austri më 2008-ën aritën të kualifikohen deri në gjysmëfinale ku u eliminuan nga një ekip austriak. Gjatë vitit pjesëmarrja në kampionate kombëtare është e përhershme , por përveç stërvitjes programuese zhvillohen edhe shumë ndeshje miqësore me ekipet e qyteteve të tjera, ç’ka vlen edhe si shkëmbim përvoje, testimin e gjendjes taktiko-fizike, por edhe argëtim për sportdashësit dhe qytetarët e Sarandës. Në kampionatin e fundit në Elbasan shkuan deri në gjysmëfinale. Rezultat i kënaqshëm brenda pritshmërisë, por jo brenda vetëkënaqësisë. Këto rezultate vijnë edhe si mbështetje e bashkisë dhe kreut të saj Stefan Çipa që vjen nga bota e sportit, sidomos e basketbollit ku ka luajtur vet me ekipin e “Butrintit” në rininë e tij. Por megjithëkëtë mbështetje, për të qenë realistë, kushtet e stërvitjes lënë për të dëshiruar sidomos për periudhën dimërore. Jemi shpresues tek premtimi i zotit Çipa në realizimin e një projekti për mbulimin e stadiumit të lojërave me dorë ”Aleko Dajko”. Qyteti dhe sportistët kanë nevojë për këtë, pasi palestra ku stërvitemi nuk siguron kushtet e stërvitjes cilësore. Ka që nga viti 1974 që nuk është bërë asnjë investim në infrastrukturë e sidomos në parket, ndaj realizimi i mbulimit të stadiumit të lojërave me dorë është shumë i domosdoshëm për stërvitjen dimërore. Nuk arrijmë dot synimet tona në këto kushte, me gjithë mbështetjen e kryetarit Çipa dhe klubit sportiv të Sarandës dhe shefin të tij, Fuat Karaliu. Shpresojmë se do realizohet kjo , pasi zoti Çipa ka vërtetuar që premtimet i mban dhe investimet në mjediset sportive kanë qenë të shumta, konkrete e të dukshme. Biseda , nga problematika dhe mënyra si i shpreh trajneri Pajtim Seferi rezultatet dhe dështimet, brenda modestisë dhe analizës së ftohtë të tyre, më tërheq këtë mëngjes qershori e ma bën më të pëlqyeshme e të shijshme kafen e mëngjesit. Por, befas rrudh ballin pa hequr buzëqeshjen karakteristike që i merr kësaj here nënkuptime ironike. Kuptoj se ka një merak dhe vërtitet rreth postulatit shekspirian: “Ta them, a mos ta them!”… Nuk ia ndërpres mendimin dhe e le në vetëvendosje. Heshtjen e theu me një pyetje që më shumë do ti përgjigjej vet: Si thua ti miku im, më duket kjo puna ime si ai fëmija që përkujdesej deri sa kapërcen adoleshencën dhe papritmas e hedh në humnerë. Ai ndjeu se unë u habita ndaj dhe nuk më la shumë në mëdyshje. “Po ja stërviten këta sportistë të vegjël nga ekipet “baby” e me radhë nga U-10 deri tek U-16. Korin rezultate. Po pastaj ku të shkojnë? Kur janë në kulmin e energjive sportive, ku t’i shfaqin? Pasi deri në këtë moshë quhen ekipe zinxhir që furnizojnë ekipet e të rriturve me elementë të rinj. Kemi të tillë neve në Sarandë?Ky është meraku im dhe duhet ta ringrejmë ekipin e të rriturve të basketbollit në Sarandë. Edhe sportistët e vegjël ma kanë shprehur dhe ndihen disi pesimist tek e ardhmja sportive e tyre”. Shumë pak mund ta kenë fatin të luajnë me ekipe të tjera. Këtu përfundoi trajneri i nderuar. Dhe kish të drejtë. Sarandës i duhet një ekip basketbolli dhe shpresat për ta ringritur janë të shumta pasi kryebashkiaku Çipa ka qenë vet një nga lojtarët e këtij ekipi dhe si shumë vlera të tjera të qytetit që i ka rizgjuar, edhe këtë vlerë do t’ia rikthejë qytetit të tij.