Partizani-Tiranës: Ia kemi marrë dorën

491
Partizani sfidon dhe provokon Tiranën në prag të derbit të radhës, i vlefshëm për javën e 15 të kampionatit kombëtar të futbollit.
Pavarësisht diferencës në pikë, kapiteni i Partizanit, Hoxha bën thirrje për qetësi, pasi në derbi statistikat janë të papërfillshme. 
“Nuk duhet të shohim distancën që kemi me Tiranën pasi në derbi ky fakt është i papërfillshëm, kjo përballje ka specifikë të veçantë dhe nuk njeh favorit, derbi ka gjithmonë vështirësitë e veta.
Eshtë e vërtetë që ia kemi marrë dorën Tiranës dhe nuk kemi aspak frikë nga ata, por objektivat tona dihen dhe normalisht synojmë fitoren.
Problemi i stadiumit ku do të luhet ndeshja nuk është zgjedhje e jona, të dy opsionet kanë anët pozitive dhe negative.
“Selman Stermasi” mund të ketë terrenin e mirë, por penalizimi më i madh shkon drejt tifozerisë së Partizanit, pjesa më e madhe e së cilës do të ngelet jashtë.
Kështu që dëshira jonë është të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”, por asgjë s’është në dorën tonë.
Shpresoj gjithashtu të luhet në mbrëmje si gjithmonë, pasi dhe shikueshmëria do të jetë më e lartë dhe ambienti më elektrizues.
Ekipi ynë është ndërtuar që në fillim të luftojë për titullin kampion. Kampionati është i gjatë dhe i vështirë, kështu që është ende herët për të folur.
E rëndësishme është që jemi në rrugën e duhur. Skënderbeu mund të shprehë ç’të dojë, ne e mundëm në përballje direkte dhe jo vetëm atë.
Nuk e dimë dhe kë duhet të mundim që të na vlerësojnë për ecurinë e deritanishme, megjithatë mbetet për tu parë akoma”deklaroi ai.
Në konferencën e shtypi me Hoxhën ishte edhe mesfushori Batha. Derbi nuk ka nevojë për motivim ekstra dhe Partizani është më lartë se Tirana në çdo aspekt, jo vetëm nga pikët, sipas tij.
“Pavarësisht se isha pushim ndaj Tërbunit për shkak të pezullimit me kartonë, isha pranë skuadrës duke e ndjekur ndeshjen si tifoz.
Derbi nuk ka nevojë për motivim ekstra, derbi është derbi dhe çdo lojtar mezi pret të jetë pjesë e këtij dueli. Mendoj se Partizani është më lartë se Tirana në çdo aspekt, jo vetëm nga pikët.
Këtë e kam parë gjithë këto vite që kam qenë pjesë e Partizanit. Të gjithë lojtarët janë në formë dhe të gatshëm për të shënuar.
Nuk i druhemi aspak Tiranës, por edhe ekipeve të tjera të kampionatit shqiptar.
Shpresoj që edhe këtë here parashikimi im të jetë i saktë dhe të fitojmë 2 – 0. Humbjen as nuk e kam menduar ndonjëherë, por i qëndroj bindjes time që do ta fitojmë derbin” përfundoi ai. 
Sigal