Partizani-Tirana ndan më dysh kryeqytetin

602
Sigal

Sot, nuk luhet vetëm një ndeshje futbolli, por një sfidë midis dy legjendave të “kuqe” e “bardheblu”

Partizani-Tirana do të përballen midis tyre sot në “Qemal Stafa”(20:00), pas një mungese prej katër vjetësh në një derbi të vlefshëm për Superligën, qysh kur janë ndeshur më 18 prill 2009 (2-2), në sezonin 2008-2009 (dy takimet e tjera të atij edicioni: Partizani-Tirana 2-2 dhe Tirana-Partizani 2-2). Ky do të jetë derbi numër 134, ndërkohë që në bilancin historik dominimi i Partizanit është i dukshëm: 53 ndeshje të fituara nga të kuqtë; 39 nga Tirana dhe 41 takime kanë përfunduar në barazim. Është një derbi i shumëpritur në kryeqytet, nga më të bukurit e Shqipërisë, jo se ndeshen dy skuadrat e një qyteti, por se rivaliteti futbollistik midis tyre ka shkruar edhe disa nga faqet më të bukura të historisë së futbollit tonë, teksa nuk kanë munguar fitore të tilla si 8-0 të Partizanit, apo 7-3 të Tiranës.

Për trajnerin e Partizanit, Hasan Lika, një ish-lojtar kampion me të kuqtë (1980-1981) dhe kampion si zëvendëstrajner (1992-1993, ndihmës i Sulejman Starovë), ndeshjet me Tiranën kanë dhuruar jo vetëm emocione, por dhe surpriza. “Derbi mbetet gjithmonë i njëjtë”, – thotë Lika. Tekniku i kuq pranon se, ka njohuri të mjaftueshme për kundërshtarin bardheblu dhe pritet vetëm zbatimi i detyrave në fushën e lojës. “Përgatitjet për këtë takim vijojnë prej ditësh. Dihet që janë përgatitje për një ndeshje të radhës, por me karakter të veçantë siç është derbi. Ekipi gëzon një gjendje të mirë dhe po punojmë që me këto seanca të fundit të jemi gati dhe ta përballojmë me sukses takimin. Megjithëse ka ndryshim rrethanash, sërish derbi mbetet po ai, Partizani-Tirana, dhe i tillë do të jetë edhe nesër. Shikoj se ka një interesim të madh për këtë derbi, për të cilin flitet kudo”. Partizani renditet në vendin e tretë me 11 pikë, ndërkohë që Tirana ndodhet në vendin e 10-të me 7 pikë, praktikisht në zonën e rënies direkt nga Superliga (në përfundim të sezonit zbresin në Kategorinë e Parë katër skuadrat që renditen të fundit). Gjithsesi, në derbi nuk mund të flitet kurrë për rezultat të sigurt para ndeshjes. “Në të tilla ndeshje tradicionale nuk mund të flitet para për rezultat, pra nuk bëhen parashikime. Rezultati ynë, për të cilin edhe kemi punuar e punojmë, është që të japim maksimumin në fushë dhe në fund të marrim fitoren. Pra, kërkohet përqendrim dhe impenjim i të gjithëve në këtë ndeshje derbi”, – tha Lika.

Për herë të fundit, Partizani dhe Tirana janë ndeshur për Kupën e Shqipërisë (sezonin e kaluar), me Tiranën që i fitoi të dyja takimet: 1-0 dhe 2-1.

133

ndeshje kanë zhvilluar midis tyre Partizani dhe Tirana

53

Takime ka fituar me bardheblutë të kuqtë, duke barazuar 41

39

Sfida janë mbyllur me suksesin e Tiranës, pra 14 më pak “demat”

196

Gola ka realizuar Partizani, kundrejt 155 të shënuar nga Tirana

Bilanci i skuadrave

39 tituj kampionë, 30 kupa dhe 12 superkupa

Partizani-Tirana do të “sjellë” në “Qemal Stafa”, as më pak dhe as më shumë, por 81 trofe të fituara nga të dyja skuadrat së bashku: 39 tituj kampionë, 30 Kupa dhe 12 Superkupa të Shqipërisë. Partizani vërtet ka fituar 15 tituj kampionë, ndërsa Tirana 24, por bardheblutë i kanë fituar shtatë kampionate para Luftës së Dytë Botërore, të zhvilluara në vitet 1930-1937, teksa Partizani është themeluar në vitin 1946. Dy skuadrat e kanë fituar secila nga 15 herë Kupën e Shqipërisë, ndërkohë që Tirana e ka fituar 10 herë Superkupën e Shqipërisë, ndërsa Partizani vetëm 2 herë. Gjithsesi, “Demat” kërkojnë të hakmerren ndaj Tiranës,  me të cilën kurrë nuk kanë pasur raporte të mira, kjo edhe për të treguar supermacinë e tyre në kryeqytet. Në kampin e kuq mendojnë se ky është momenti i duhur.

Kategoria Superiore,

Java VII

Sot, 12 tetor 2012

PARTIZANI-TIRANA (20:00)

5 tetor 2013

KASTRIOTI-LUSHNJA    2-0

BYLISI-KUKËSI        1-1

BESA-FLAMURTARI            2-0

6 tetor 2013

SKËNDERBEU-LAÇI            2-1

TEUTA-VLLAZNIA       3-2

RENDITJA

1    Skënderbeu      7    15

2    Teuta           7    15

3    Partizani       6    11

4    Vllaznia        7    10

5    Laçi            7    10

6    Bylis           7    9

7    Kastrioti       7    9

8    Kukësi          7    8

9    Lushnja         7    8

10   Tirana          6    7

11   Flamurtari*     7    5

12   Besa            7    4

* Flamurtarit i janë zbritur 3 pikë nga Komisioni i Disiplinës

BALLË PËR BALLË

Kupa 2012-2013

Partizani-Tirana 1-2

Tirana-Partizani 1-0

KATEGORIA SUPERIORE

SEZONI 2008-2009

Tirana-Partizani 2-1

Partizani-Tirana 2-2

Partizani-Tirana 2-2

SEZONI 2007-2008

Partizani-Tirana 0-0

Tirana-Partizani 1-4

Partizani-Tirana 0-0

SEZONI 2006-2007

Partizani-Tirana 0-2

Tirana-Partizani 3-2

Tirana-Partizani 1-0

SEZONI 2005-2006

Tirana-Partizani 1-0

Partizani-Tirana 1-0

Tirana-Partizani 1-0

Partizani-Tirana 2-2

SEZONI 2004-2005

Partizani-Tirana 2-5

Tirana-Partizani 3-3

Partizani-Tirana 0-1

Tirana-Partizani 4-0

SEZONI 2003-2004

Partizani-Tirana 3-1

Tirana-Partizani 1-0

Partizani-Tirana 0-1

Tirana-Partizani 0-0

SEZONI 2002-2003

Tirana-Partizani 0-2

Partizani-Tirana 1-3

SEZONI 2001-2002

Partizani-Tirana 0-0

Tirana-Partizani 2-0

Përqindja e suksesit në kampionate e “demave” është 53.5%, ndërsa e Tiranës shkon te 52.5%

 Partizani, skuadra më rezultative në kampionate

  Edhe pse ka fituar nëntë tituj më pak se Tirana dhe ka 11 kampionate më pak se bardheblutë në Kategorinë Superiore, me rezultatet e arritura, Partizani është skuadra më e suksesshme e Shqipërisë.

PARTIZANI

Në 60 sezonet që kam marrë pjesë Partizani në Kategorinë Superiore (klubi mere pjesë nga kampionati i vitit 1947), në 1544 ndeshje të zhvilluara, skuadra ka regjistruar 826 fitore, 403 barazime dhe vetëm 312 humbje, ka shënuar 2754 gola dhe ka pësuar 1279 të tillë (diferenca +1475 gola). E llogaritur në përqindje të suksesit, ajo arrin në 53.5%, ndërkohë që diferenca midis fitoreve dhe humbjeve për të të kuqtë është 512. Partizani është skuadra më e mirë, edhe përsa i përket përqindjes së treguesit të humbjeve: ka humbur vetëm 20.02% të ndeshjeve.

TIRANA

Ekipi i dytë më i suksesshëm është Tirana, rekordmenia përsa u përket kampionateve të zhvilluara – është i vetmi ekip që nuk ka zbritur një kategori më poshtë – dhe titujve të fituar, 24 të tilla. Në 74 kampionatet e përfunduar (pa këto pesë ndeshjet e sezonit aktual), Tirana ka luajtur 1802 ndeshje dhe ka regjistruar 945 fitore, 457 barazime dhe 399 humbje (3044 gola të shënuar, 1630 të pësuar), ndërsa përqindja e suksesit është 52.5% (ajo e humbjeve 22%).

DINAMO

Dinamo, me 18 tituj kampionë, por që prej dy sezonesh luan në Kategorinë e Parë është skuadra e tretë më rezultative. Blutë kanë marrë pjesë në 61 kampionate në Superligë, duke luajtur 1624 ndeshje: 808 fitore, 438 barazime dhe 378 humbje (përqindja e suksesit: 49.8%).

 Ekipi      Ndeshje    Fit Bar Humb

Partizani  1544       826 402 312

Tirana     1802       945  458  399

Dinamo*    1624       808  438  378

* Dinamo këtë sezon në Kategorinë e Parë

“Ultras Guerrils” vs. “Tirona Fanatics”, koreografi dhe urrejtje

 Derbi i vetëm i kryeqytetit nuk do të luhet vetëm në terrenin e lojës, por dhe në tribunat e impiantit ndërkombëtar “Qemal Stafa” dhe aty do të ketë një bukuri të veçantë. Koreografi, spektakël, këngë, kore tifozësh, por dhe sharjet do t’ia shtojnë më shumë adrenalinën derbit. Të dyja grupet, për të treguar se kush e komnandon kryeqytetin. Dashamirësit e kuq jo vetëm që premtojnë pjesëmarrjen në stadium me një koreografi të mrekullueshme, ku lajtmotivi i përgatitjeve për këtë derbi është se janë ata që “komandojnë” qytetin. “Ne jemi Partizani dhe këtë gjë e kemi treguar kudo e kurdoherë”. Kjo është shprehja e tifozëve të kuq.

Disa tifozë kanë premtuar se do të japin edhe premio për ekipin vetëm e vetëm që fitorja të mos diskutohet. Edhe “Tirona Fanatics”, pavarësisht ndonjë kontestimi për formën që kanë treguar ndaj formës së dobët të skuadrës, gjithmonë kur është luajtur kundër Partizanit, janë bërë njësh duke dëshmuar forcë dhe grintë në shkallët e tribunave. Dëshmia e fundit ishte sezonin e kaluar në turin e parë eliminator të Kupës së Shqipërisë (në të cilin kualifikua Tirana). Tifozët e Tiranës do të vendosen në tribunat A dhe D1. Biletat kushtojnë 500 dhe 300 lekë (të rinj). Sakaq, nga ana e tyre, ultrasit po vijojnë organizimin jo vetëm për të qenë të shumtë, por edhe për të dhuruar spektakël me surprizat e tyre.