Sigal

Eurogoli i Bruno Telushit dhe rrjeta e tundur nga Jurgen Bardhi kanë vulosur suksesin e dytë radhazi të Partizanit ndaj Kastriotit në harkun e tri ditëve, kësa radhe 2-0. Pas sfidës së Kupës që u mbyll 3-0 për të kuqtë, ekipet riktheheshin në “Selman Stërmasi” për kampionat.

Në sytë e Kristian Panuçit, trajnerit të Kombëtares që ka zënë vend në tribunë, djemtë e Gegës dhe ata të Devollit dhurojnë një 45 minutësh luftarak dhe pa raste të shumta shënimi.

Por në pjesën e dytë situata do të ndryshojë pasi në katedër ngjitet Bruno Telushi. Vlonjati stopon një top me gjoks në minutën e 52-të dhe me të majtën lëshon një predhë në portën e çekrezit, me topin që gjen trekëndëshin e majtë dhe prehet në rrjetë.

Kombinime mes Dukës dhe Malës me këtë të fundit që provon një goditje fantasike, por topi ndalet nga shtylla. Gjithsesi është i vëmendshëm Bardhi, që ndjek aksionin dhe e shtyn topin në rrjetë në të 60′

Të kuqtë sigurojnë fitoren e radhës, dhe ngjiten në kuotën e 46 pikëve, 8 me shumë sesa Kukësi, që sfidën e tij e luan nesër ndaj Tiranës.