Sigal

Java e 10-të e Kategorisë superiore, mbyllet me takimin më të shumëpritur, mes Partizanit dhe Skënderbeut. Ditën e sotme në orën 19:00, në “Selman Stermasi”, do vihen përballë dy kryesuesit e superligës, me “demat e kuq” që mbajnë momentalisht kreun në kuotën e 22 pikëve, të ndjekur nga “ujqërit e dëborës” me dy pikë më pak. Kjo sfidë e sotme, shihet si e barabartë, pasi të dyja skudrat kanë pasur një ecuri të ngjashme në këto 9 javë të para.

Skuadra korçare vjen në këtë përballje me moralin e lartë, sepse ka 3 fitore radhazi në kampionat, ndërsa në gjashtë ndeshjet e fundit, nuk njeh humbje kundër Partizanit. Fitorja e fundit në shtëpi e “demave” është ajo e 2 prillit 2017, kur fitonin minimalisht 1-0 kundër Skënderbeut. Takimi i fazës së parë përfundoi 1-0 për Korçarët, në atë ndeshje që ka mbetur në memorie për dhunën e ushtruar nga tifozët në shkallët e stadiumit të Skënderbeut.

Për Skënderbeun ka disa shqetësime, pasi disa nga titullarët si Radas dhe Krasniqi nuk janë ende gati, ndërsa Gjergji Muzaka nuk është rikuperuar në kohë dhe do të mungojë në takimin e sotëm. Në krahun tjetër shqetësim mbetet portieri Alban Hoxha, i cili ka dëmtim në ligament dhe nuk dihet, nëse do të luajë titullar, ndërsa Trashi mbetet në dyshim për shkak të dënimit. Por pavarësisht kësaj, skuadrat kanë kontigjent në dispozicion për të përballuar njëra-tjetrën, ndërsa spektakli pritet të vij sërish nga shkallët e stadiumit.

5 ndeshjet e fundit mes Partizanit dhe Skënderbeut

Skënderbeu-Partizani  1-0       17.08.2018

Partizani-Skënderbeu  0-1       23.04.2018

Skënderbeu-Partizani  1-0       24.02.2018

Partizani-Skënderbeu  0-0       27.11.2017

Skënderbeu-Partizani  2-0       23.09.2017