Partizani prezanton goditjen e parë Sebino Plaku: I lumtur, që u riktheva

458
Partizani ka prezantuar sulmuesin Sebino Plaku që është dhe goditja e parë për sezonin e ri futbollistik dhe për pjesëmarrjen në kupat e Europës.
Presidenti Gazment Demi në fjalën e tij gjatë prezantimit të sulmuesit deklaroi “Rikthyem një ish futbollistin tonë dhe sigurisht që është fat për të dyja palët, si për Sebinon si për ne për këtë bashkëpunim. Një futbollist me shumë vlera që do i bëjë punë Partizanit për vetë objektivat që ka ky klub”.
Ndërsa trajneri Sulejman Starova shprehu besimin se Plaku është një goditje që do të sjellë rezultatet e pritshme, pasi sulmuesi ka shumë eksperiencë mbi supe. “Është kënaqësi që pranë nesh kemi një futbollist me mjaft eksperiencë dhe ambicia e klubit me përforcime të mëtejshme për të arritur objektivin që ky klub e ka të përhershëm, fitimin e kupës dhe titullin Kampion. Plaku është përforcim i vlefshëm dhe eksperienca e tij do na ndihmojë edhe në pjesëmarrjen tonë në kupat e Europës. Është bërë dhe po bëhet një investim serioz për ngritjen dhe rikthimin e Partizanit duke filluar nga shtëpia e re që do ketë dhe me bindje ju them që do jetë model për Ballkanin”.
Nuk ka munguar një koment edhe nga Genc Tomori “Të rinjtë të cilët u shpallën kampionë për këtë edicion futbollistik janë një e ardhme e sigurt për Partizanin . Ne shpresojmë që disa prej tyre të jenë të gatshëm për ekipin e parë duke marrë shembull nga Sebino, i cili është një produkt i akademisë së Partizanit”.
Ndërsa vetë Sebino Plaku deklaroi se është i lumtur për rikthimin në shtëpi, teksa zbuloi se ka pasur edhe oferta të tjera nga kampionati shqiptar, por në fund zgjodhi të kuqtë. “Jam i kënaqur që jam tashmë pjesë e këtij klubi të madh ku unë e njoh mjaft mirë dhe për mua është një rikthim ku shpresoj me dëshirën më të madhe të jem pjesë e historisë me këtë fanellë. Do jap maksimumin tim. Dua të falenderoj të gjithë për mikpritjen, dhe sigurisht presidentin Demi, i cili bashku me profesor Starovën kanë besim te mua. Dua gjithashtu të falenderoj tifozët nga të cilët kam marrë vetëm mbështetje dhe urime për këtë rikthim timin”. 
Sigal