Partizani nis sulmin për trofeun e 16-të

532
Sigal

Edicioni i 62-të i Kupës së Shqipërisë. Luhen sot 16 ndeshjet e turit të parë eliminator

Edicioni i 62-të i Kupës së Shqipërisë do të sjellë sot në aksion 16 ndeshje, nga tetë për çdo grup (A dhe B), ku më së shumti janë përballjet midis ekipeve të Superligës me ato të Kategorisë së Parë dhe të Dytë. Partizani dhe Tirana, dy skuadrat që e kanë fituar më shumë herë trofeun, secila nga 15 herë, synojnë ta nisin mbarë fushatën, teksa përballë do të kenë respektivisht Adën e Velipojës dhe Albpetrolin e Patosit. Të kuqtë e Hasan Likës e kanë objektiv kryesor fitimin e Kupës, për t’u bërë kështu skuadra më me shumë trofe. Për herë të fundit, Partizanin e ka fituar në edicionin 2003-2004 dhe një dekadë pa trofe e ka rritur së tepërmi oreksin e “demave”. Laçi, fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë, do ta nisë mbrojtjen e trofeut nga Elbasani, ndaj një skuadre verdheblu që po kalon momente pozitive në Kategorinë e Parë. Skënderbeu, kampioni në fuqi dhe kryesuesi i Superlgiës do të luajë në Fushë-Krujë kundër Ilirisë, ndërsa Teuta do të udhëtojë në Lezhë për sfidën ndaj Besëlidhjes. Takimet e tjera ofrojnë në grupin A: Kamza-Besa, Himara-Lushnja, Burreli-Shkumbini dhe Mamurrasi-Luftëtari. Nga ndeshjet e grupit B janë dhe Naftëtari-Kukësi, Gramshi-Flamurtari, Veleçiku-Vllaznia, Butrinti-Kastrioti, Dinamo-Bylis, Pogradeci-Tomori dhe Tërbuni-Apolonia. Ndeshjet e kthimit do të luhen, më 6 nëntor.

Nëse do të kualifikohen Partizani dhe Vllaznia, atëherë ato do të ndeshen midis tyre në turin e dytë. Janë dhjetë skuadra të cilat e kanë fituar të paktën nga një herë Kupën e Shqipërisë: Partizani (15), Tirana (15 trofe), Dinamo (13), Vllaznia (6), Flamurtari (3), Teuta (3), Elbasanin (2), Apolonia (1), Besa (1) dhe së fundi Laçi (1). Fituesi siguron pjesëmarrjen direkte në Ligën e Europës. Neni 90 i rregullores flet për pjesëmarrjen në garat e UEFA-s. Në të thuhet se fituesi i Kupës së Shqipërisë 2013-2014 merr pjesë në Ligën e Europës, në turin e parë paraeliminator. Por, veç kësaj, Kupa ndikon shumë edhe në kampionat. Shpjegimi vjen nga pika “e” dhe “f” e këtij neni. Në të thuhet: nëse klubi i shpallur kampion fiton edhe kupën, atëherë klubi tjetër finalist i Kupës 2013-2014 merr pjesë në Ligën e Europës, në turin e parë paraeliminator. Nëse klubi i renditur në vendin e dytë ose në të tretin në Superiore për 2013-2014 fiton njëkohësisht edhe Kupën, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar merr pjesë në Ligën e Europës, në turin e parë paraeliminator. Sipas formatit të paracaktuar, faza e ndeshjeve eliminatore do zhvillohet me pesë ture. Në turin e parë marrin pjesë 32 skuadra: 12 nga Kategoria Superiore, 16 nga Kategoria e Parë dhe 4 skuadrat e kualifikuara nga turi paraeliminator. Ndeshjet në këtë fazë do zhvillohen sipas skemës të ndarjes në dy grupe “A” dhe “B”. Turi i dytë dhe i tretë do të zhvillohet sipas skemës të përcaktuar nga federata. Turi i dytë (1/8) do të luhen më 4 dhe 18 dhjetor 2013. Takimet e turit të tretë do të zhvillohen vitin tjetër më 12 dhe 26 shkurt, teksa për përcaktimin e çifteve gjysmëfinaliste do të hidhet short i lirë ndërmjet 4 ekipeve të kualifikuara në këtë tur. Ndeshjet do të luhen më 26 mars dhe 9 prill 2014. Ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë do të zhvillohet në 17 maj 2014 në një stadium të përcaktuar nga FSHF-ja. Nëse dy ekipet janë nga i njëjti qytet, atëherë ndeshja finale luhet në stadiumin përkatës të atij qyteti. Ekipi pritës për ndeshjen finale do përcaktohet me short të lirë.

  Trofeu vlen 120 mijë euro

 Trofeu i Kupës së Shqipërisë është i dyti për nga rëndësia në kampionatin shqiptar. Kjo për dy arsye: së pari për financat që të sjell (FSHF-ja jep 50 milionë lekë) dhe, së dyti, për faktin se fituesi merr pjesë në turin e parë të Ligës së Europës, duke përfituar 90 mijë euro, çka në total e çojnë shumën minimalisht 120 mijë euro, gjithnjë nëse nuk arrin të kualifikohet në turin e dytë, ku shifrat rriten në proporcion.

 KUPA E SHQIPËRISË

Edicioni 62

Turi i parë eliminator

Sot, 23 tetor 2013, 14:00

Grupi A

(A1) Iliria-Skënderbeu

(A2) Besëlidhja-Teuta

(A3) Albpetrol-Tirana

(A4) Elbasani-Laçi

(A5) Kamza-Besa

(A6) Himara-Lushnja

(A7) Burreli-Shkumbini

(A8) Mamurrasi-Luftëtari

GRUPI B

(B1) Naftëtari-Kukësi

(B2) Gramshi-Flamurtari

(B3) Veleçiku-Vllaznia

(B4) Butrinti-Kastrioti

(B5) Dinamo-Bylis

(B6) Ada-Partizani

(B7) Pogradeci-Tomori

(B8) Tërbuni-Apolonia

Ndeshjet e kthimit, më 6 nëntor 2013

LIBRI I

ARTË I KUPËS

15: Partizani

15: Tirana

13: Dinamo

6: Vllaznia

3: Teuta

3: Flamurtari

2: Besa

2: Elbasani

1: Apolonia

1: Laçi

10 FITUESIT

E FUNDIT

2003-04 Partizani

2004-05 Teuta

2005-06 Tirana

2006-07 Besa

2007-08 Vllaznia

2008-09 Flamurtari

2009-10 Besa

2010-11 Tirana

2011-12 Tirana

2012-13 Laçi

 Mesfushori i Kombëtares do të largohet nga PAOK-u në muajin janar. Huazohet në Holandë

 Ergys Kaçe transferohet te Çelsi

 Ergys Kaçe do të shndërrohet në lojtarin e parë shqiptar që do të veshë fanellën e Çelsit të Zhoze Murinjos, edhe pse mesfushori shqiptar i PAOKU-t pritet të huazohet më pas në Holandë te Vitese apo Tvente. Lajmi është dhënë nga mediat greke, të cilat citojnë burime të brendshme nga klubi selanikas, pikërisht nga presidenti Ivan Savidhis. “Fantazisti” i Kombëtares shqiptare vlerësohet për cilësitë e tij dhe konsiderohet si një “Luka Modriç” i ri. Ai pëlqehet shumë nga trajneri portugez Murinjo, kampion i Europës me Porton dhe Interin, por dhe kampion në Angli dhe Spanjë, respektivisht me Çelsin dhe Realin. Kaçe pritet të transferohet gjatë merkatos së janarit te ekipi i parë i Çelsit, që fiton kështu konkurrencën me klubin tjetër anglez, Totenhemin. Sipas portaleve greke, “Sportday” dhe “Livesport”, Çelsi do ta huazojë Kaçen në Holandë te Tvente apo Vitese, për të fituar më shumë përvojë dhe u rritur fizikisht. Dy muajt e fundit, korçari kaloi një moment të vështirë me klubin grek, pasi postoi në “Facebook” një foto me fanellën e UÇK-së, çka u detyrua të kërkonte dhe falje në klub dhe të ndëshkohej me një gjobë prej 10 mijë eurosh.

Altin Lala, një “VIP” edhe jashtë fushe

 Edhe pse është larguar nga futbolli i luajtur, Altin Lala vazhdon te jetë në qendër të mediave gjermane, por kësaj radhe si i ftuari special i Xhelil Musës, kosovarit të mirënjohur për aktivitetin e tij në Marmshtorf të Gjermanisë. Rekordmeni i Kombëtares shqiptare, (79 ndeshje) ishte i pranishëm në 30-vjetorin e themelimit të kompanisë hoteliere të Musës, në të cilën merrnin pjesë mbi 300 të ftuar. Midis emrave “VIP” ishin edhe përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova, midis tyre zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi, ambasadori i Kosovës në Berlin, Skënder Xhakaliu, si dhe atasheu ushtarak i Shqipërisë në Gjermani, Arben Demollari. Ndër emrat e tjerë të rëndësishëm ishin edhe deputeti i porsazgjedhur në Bundestagun gjerman, Metin Hakverdi si dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Folker Ryhe. Xhelil Musa është i njohur në ambientin futbollistik shqiptar, jo vetëm se gëzon licencën e agjentit të FIFA-s, por dhe si mikpritës i Kombëtares gjatë grumbullimeve të organizuar nga Oto Bariçi. Ai është gjithashtu edhe shefi i zyrës të talenteve në Gjermani dhe ka sjellë disa të tillë për provë në ekipet kombëtare shqiptare të moshave. Xhelil Musa ka themeluar dy ekipe futbolli me kosovarë në Hamburg. Lala dhe Musa kanë një marrëdhënie të veçantë midis tyre, pasi ka qenë ky i fundit që e ka ndihmuar ish-mesfushorin në ditët e tij të para në Gjermani, pas “arratisjes” nga ekipi Kombëtar U-17 menjëherë pas ndeshjes me Gjermaninë e asaj moshe në vitin 1993.