Partizani me profilin e italianizuar, skuadër e dështuar në bankinë

722
Nga Agron KAJA
FOKUS/ Për historinë që mbart, për investimet dhe përbërjen, nuk mendohej ta mbyllte vitin 2017 në vendin e 5-të me 24 pikë
Nëse këtë sezon, Partizanin e mendonim si skuadrën e parë favorite për titullin kampion, sot ndjehemi të zhgënjyer. Ka disa arsye që zhgënjimi është evident, jo vetëm në rezultate. Konkretisht, në verën e këtij viti që po mbyllim, merkaton e Partizanit e mori në dorë italiani Luçiano Moxhi, ish-administrator te Juventusi në Itali, që u dënua nga drejtësia italiane për trukime e mashtrime. Pasi e largoi me lezet Sulejman Starovën, i cili për disa sezone ishte pranë suksesit me këtë skuadër, ai solli këtu ish-juventinin Marko Iulianin, një ish-mbrojtës si lojtar, por që në bankinë kishte pak, ose aspak përvojë. Parë në drejtimin e tij në një ndeshje nga bankina, po ashtu edhe në procesin stërvitor, Iuliano tregoi se nuk ishte për këtë punë, ose për këtë nivel që kërkonte Partizani. Ai drejtoi dhjetë javë, por grumbulloi 11 pikë, çka e largonte nga synimet që kishte skuadra në këtë sezon. Nga ana tjetër, Moxhi kishte afruar futbollistë të mbetur pa skuadra në Itali, dhe çudia më e madhe ishte Edgar Çani, i cili ende nuk i ka zhvilluar 90 minutat e plota te Partizani, por që paga e tij ishte 20 mijë euro në muaj. U afruan edhe disa futbollistë të tjerë, si Kamara, Basrak e Xhixhua, të cilët më shumë se sa numëruan hapat në fushë, Partizanit nuk i dhanë asgjë të diferencuar nga grupi. Kësisoj, largimi i Iulianos erdhi si një “detyrim e përcaktim”, por nuk erdhi kështu për Moxhin disenjator të kësaj skuadre, e këtu çudia mbetet ende në ajër, sepse ai qëndron ende zyrtarisht te Partizani. Tashmë postin e drejtorit teknik e ka marrë Olsi Rama, e ndoshta Moxhi qëndron offsajt, për të përfituar ndonjë lëmoshë si shpërblim! Çfarë bëri Starova në këto 7 ndeshje që e rimori bankinën e Partizanit? Fillimisht, Presidenti Gaz Demi korrigjoi veten me gabimet e merkatos së verës dhe me Moxhin si drejtues në klub, e më pasi, ai kuptoi se Starova kishte të drejtë në deklarimet e tij pas largimit. Ndoshta Demi në këto javë drejtimi nga Starova nuk do të jetë i zhgënjyer, veç humbjes së thellë 0-5 në Gjirokastër, për të cilën ndoshta duhet edhe një hetim i thellë. Më e pakta për të thënë, është se Starova mori 12 pikë, dhe më kryesorja është se e mblodhi skuadrën mbi bazën e vlerave aktuale në fushë, jo me publicita-në italiane të Moxhit. Dhe pas fitores në javën e 16-të me Vllazninë, drejtori i ri deklaroi se nuk do të largohet asnjë senator, por që Starova ka deklaruar më pas se, nga klubi i kuq, janë pikasur lojtarët që kanë zhgënjyer dhe që mund të mos jenë më pjesë e skuadrës. Skuadra do të jetë pushim deri më 4 ose 5 janar 2018, kur edhe do të nisë një fazë përgatitore dimërore në Turqi. Deri tani, është konfirmuar ardhja e Bruno Telushit nga Flamurtari, e në vija të përgjithshme, ky ishte Partizani i gjysmës së parë të sezonit, kryesisht në Kategorinë Superiore.
Tifozët e Partizanit, ata e “testuan” të parët Moxhin
Gjatë kësaj pjese të luajtur të këtij sezoni, nga tifozët e Partizanit ka pasur edhe polemika, me trajnerin, lojtarët dhe drejtuesit. Ata kanë protestuar në forma të ndryshme, dhe përfundimi doli se kishin të drejtë. Sepse i shqetësonin rezultat e dobëta, për të cilat, ata adresuan gishtin te fajtorët. Nisur nga histori e kësaj skuadre të madhe, tifozët prisnin të bëhej “hataja” me merkaton e Moxhit, por kur e panë se ajo ishte dështim, sidomos me Çanin “Mister 20 mijë euroshin”, e rritën presionion e protestës. U larguan të gjithë, por kanë mbetur vetëm dy: Moxhi si “hudhra” për të mos e marrë më sysh Partizanin, dhe Çani, goleadori në letër dhe në financa, por jo në fushë.
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 20 janar 2018
Vllaznia-Kukësi 14:00
Luftëtari-Skënderbeu 14:00
Partizani-Flamurtari 14:00
Teuta-Lushnja 14:00
Kamza-Laçi 14:00

RENDITJA 
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5.Partizani 16 24
6.Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8.Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8
Sigal