Partizani, më i mirë në transfertë

515
Sigal

Sot, Kukësi-Partizani në Kamëz. Dy fitoret e vetme të të kuqve janë regjistruar jashtë fushe

Partizani hodhi një hap fals në barazimin pa gola me Flamurtarin, duke shpërdoruar edhe një penallti në minutën e fundit, por sot ndaj Kukësit në transferën e Kamzës, trajneri Hasan Lika dhe futbollistët e kuq synojnë të arrijnë fitore. Në fakt, në pesë javët e para të këtij edicioni, 15 herë kampionët e Shqipërisë kanë qenë më rezultativë jashtë kryeqytetit sesa në “Qemal Stafa” dhe “Selman Stërmasi”. Në tri ndeshje në jashtë Tiranës: Partizani ka fituar në Krujë me Kastriotin (2-0) dhe në Kavajë  me Besën (1-0), ndërsa ka humbur në Laç (1-0). Në shtëpi, skuadra barazoi 2-2 me Bylisin në “Qemal Stafa” (pas dizavntazhit 0-2) dhe me Flamurtarin në “Selman Stërmasi” (të shtunën e kaluar). Faktori fushë nuk ka ndikuar te Partizani, sepse ekipi ka luajtur mirë si brenda edhe jashtë, madje rezultatet kanë qenë më të mira jashtë kryeqytetit. “Shpresoj që edhe nesër të ndodhë kështu. Partizani ka mbështetësit e tij edhe në Kamzë dhe besoj se, ashtu siç kanë vepruar në të shkuarën, do të bëjnë edhe kësaj radhe duke e mbështetur ekipin”, tha trajneri Lika.

OPTIMIZMI I KUQ

Sipas trajnerit Hasan Lika, Partizani është konsoliduar ndeshje pas ndeshjeje, duke dhënë gjithmonë e më shumë performanca të mira. Skuadra e ka rritur lojën, ndërkohë që lojtarët – një pjesë e tyre e ardhur nga Kosova dhe nga shqiptarët e Maqedonisë –tani e njohin më mirë lojën e njeri-tjetrin. Spikat mesfushori i majtë, kosovari Mentor Mazrekaj, një lojtar me të vërtetë cilësor, një ndër më të mirët e formacionit të kuq në këto pesë javë. Pas një fillimi jo të mirë, Kukësi duket se ka hyrë në shinat e sezonit të kaluar. Skuadra më e suksesshme shqiptare në Europë (kaloi tre ture në Ligën e Europës) vjen pas fitores 1-0 me Kastriotin në Krujë. Në fakt, Kukësi e pret Partizanin si skuadër vendase, pavarësisht se takimi do të luhet në Kamzë, pasi verilindorët janë duke vuajtur dënimin për të luajtur katër ndeshje jashtë “Zeqir Imerit”. Partizani ka grumbulluar 8 pikë, një më shumë se Kukësi.  “Vështirësitë e këtij takimi dihen, sepse kemi përballë një kundërshtar të fortë, i cili ka një organikë me shumë lojtarë cilësorë. Gjithsesi, Partizani ka treguar se di të zhvillojë lojëra të mira si brenda dhe jashtë, prandaj këtë do kërkojmë edhe nesër (sot) ndaj Kukësit, të konkretizuar me një rezultat pozitiv”, – tha trajneri Lika për mediat.

MUNGESAT

Para ndeshjes me Kukësin trajneri Lika nuk e ka të plotë grupin, pasi Mevlan Murati, që në dy ndeshjet e fundit ka qenë titullar në krahun e majtë të mbrojtjes, mungon për arsye dëmtimi, çka është konfirmuar nga vetë trajneri. Me shumë gjasa, në vend të tij ndaj kuksianëve do të aktivizohet nigeriani Feliks Udoh, i cili shikohet i pazëvendësueshëm në këtë pozicion. Por, ajo çka i shqetëson më shumë drejtuesit dhe stafin e Partizanit është gjendja e mesfushorit Mentor Mazrekaj, i cili gjithashtu u lëndua ndaj vlonjatëve. Trajneri Lika pohoi se ka dyshime rreth aktivizimit të Mazrekajt, por shpresohet në riaftësimin e tij. Nëse kosovari nuk ia del, me gjasa, vendin e merr elbasanasi Musta. “Janë lojtarë me peshë, por të paktën shpresojmë rikuperimin e Mazrekajt”, – u shpreh trajneri Hasan Lika. Drejtori teknik i Kukësit, Sulejman Starova, kërkon tri pikë ndaj Partizanit të tij, të cilin e ka shpallur kampion në vitin 1993. “Stafi, ekipi, tifozeria dhe si gjithmonë presidenca, këtë herë jemi më bashkë se kurrë për të marrë tri pikët ndaj Partizanit. Besoj se do të jetë një kryendeshje. Ne kemi punuar deri në detaje që të mos i lëmë këto tri pikë. Nuk mund të gabojmë”, – tha Starova për mediat.

ASNJË PRECEDENT

 Partizani dhe Kukësi nuk kanë asnjë precedent midis tyre në Kategorinë Superiore, kjo për faktin se kuksianët janë vetën në vitin e dytë të tyre në futbollin elitar, ndërsa të kuqtë rikthehen pas një mungesë prej katër sezonesh. Madje as dhe në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, dy skuadrat nuk janë takuar midis tyre. Në sezonin 2011-2012, Kukësi ishte pjesë e Kategorisë së Parë, ndërsa Partizani ndodhej në të Dytën, teksa në këtë të fundit skuadrat ishin ndarë në dy grupe (A dhe B), ku dominonte shpërndarja gjeografike. Në sezonin 2010-2011, Partizani ndodhej në të Parën, ndërsa Kukësin në të dytën. Në organikën e Kukësit janë disa ish-të kuq: në stafin teknik janë Starova, Gëzdari dhe Devolli; ndërsa në skuadër militojnë Hallaçi, Progni, Allmuça dhe Alikaj.

Përqindja e suksesit në kampionate e “demave” është 53.5%, ndërsa e Tiranës shkon te 52.5%

 Partizani, skuadra më rezultative në kampionate

  Edhe pse ka fituar nëntë tituj më pak se Tirana dhe ka 11 kampionate më pak se bardheblutë në Kategorinë Superiore, me rezultatet e arritura, Partizani është skuadra më e suksesshme e Shqipërisë. Në 60 sezonet që kam marrë pjesë Partizani në Kategorinë Superiore (klubi mere pjesë nga kampionati i vitit 1947), në 1538 ndeshje të zhvilluara, skuadra ka regjistruar 823 fitore, 401 barazime dhe vetëm 311 humbje, ka shënuar 2748 gola dhe ka pësuar 1276 të tillë (diferenca +1472 gola). E llogaritur në përqindje të suksesit, ajo arrin në 53.5%, ndërkohë që diferenca midis fitoreve dhe humbjeve për të të kuqtë është 512. Partizani është skuadra më e mirë, edhe përsa i përket përqindjes së treguesit të humbjeve: ka humbur vetëm 20.02% të ndeshjeve.

Ekipi i dytë më i suksesshëm është Tirana, rekordmenia përsa u përket kampionateve të zhvilluara – është i vetmi ekip që nuk ka zbritur një kategori më poshtë – dhe titujve të fituar, 24 të tilla. Në 74 kampionatet e përfunduar (pa këto pesë ndeshjet e sezonit aktual), Tirana ka luajtur 1796 ndeshje dhe ka regjistruar 943 fitore, 457 barazime dhe 396 humbje (3042 gola të shënuar, 1624 të pësuar), ndërsa përqindja e suksesit është 52.5% (ajo e humbjeve 22%). Dinamo, me 18 tituj kampionë, por që prej dy sezonesh luan në Kategorinë e Parë është skuadra e tretë më rezultative. Blutë kanë marrë pjesë në 61 kampionate në Superligë, duke luajtur 1624 ndeshje: 808 fitore, 438 barazime dhe 378 humbje (përqindja e suksesit: 49:8%). Vllaznia, në 73 kampionatet e saj ka luajtur 1774 ndeshje, duke korrur 840 fitore, 414 barazime dhe 520 humbje, me një përqindje suksesi 47.4%. Në vend të pestë ndodhet Shkumbini, me 37.2% (21 kampionate, 592 ndeshje, 221 fitore, 117 barazime dhe 254 humbje). Flamurtari është i gjashti: 69 kampionate; 1675 ndeshje, 601 fitore, 452 barazime dhe 622 humbje, me përqindje të suksesit 35.9%. Kampioni i tre sezoneve të fundit, Skënderbeu, renditet në këtë klasifikim specifik në vendin e 13-të, duke pasur një përqindje të suksesit 33.1%: 1373 ndeshje; 454 fitore, 369 barazime dhe 550 humbje.

Dhjetë ekipet më të mira

 Ekipi      Ndeshje    Fit Bar Humb P.S

Partizani  1538       823 404 311 53.5%

Tirana     1796       943  457  396  52.5%

Dinamo     1624       808  438  378  49.8%

Vllaznia   1174       840  414  520  47.4%

Shkumbini  592        221  117  254  37.3%

Flamurtari 1675       601  452  622  36.9%

Teuta      1745       621  491  633  35.6%

Besa       1529       529  429  571  34.6%

Elbasani   1544       519  418  607  33.6%

Skënderbeu 1373      454  369  550  33.1%

 

Dinamo, në situatë të pazakontë

 Sikur të mos mjaftonin problemet brenda klubit, Dinamo nuk arrin të gjejë paqe. Skuadra kryeqytetase që prej dy sezonesh militon në Kategorinë e Parë nuk ka regjistruar ende asnjë fitore edhe pse kanë kaluar 5 javë, por ky është problemi më i vogël për blutë pasi lojtarët po stërviten në kushte të mjerueshme për shkak të mungesës së ambienteve. Agjencia e Shërbimit të Sporteve i ka mbyllur derën e shtëpisë ekipit, duke kërkuar që drejtuesit të shlyejnë detyrimet. Pas 5 javëve të para skuadra e tij ka grumbulluar vetëm 4 pikë. Në plot 4 takime skuadra ka kaluar e para në avantazh por është arritur nga kundërshtari. Për këtë problem, Mehmeti e ka një përgjigje. Këtë fundjavë, Dinamo pret në shtëpi skuadrën e Shkumbinit që vjen nga një fitore e papritur në transfertë kundër Luftëtarit.