Partizani  “mbyt” Tiranën dhe e “vesh” kryeqytetin me të kuqe

494
Sigal

Fitorja 2-0 e Partizanit e lë përsëri në vendin e parë, me 3 pikë më shumë sesa Skënderbeu

Tirana është e kuqe! Në derbin e zhvilluar mbrëmë, i 140 për nga radha, Partizani fitoi ndeshjen, “qytetin” dhe renditjen në kampionat, duke u bërë kështu skuadra që me të vërtetë është pretendentja më e fortë për të fituar edhe titullin në fund të këtij Kampionati. Asgjë nuk ishte e njëjtë me ndeshjen e fazës së parë, ku një barazim 0-0 në një stadium të boshatisur, nuk ngrohu zemrat e asnjë tifozi, duke e kthyer ndeshjen vetëm në një rutinë kampionati dhe aspak në një derbi të zjarrtë. Ashtu siç e kishin thënë edhe vetë futbollistët, pa tifozë nuk luhet, e duket se prania e tyre e nxehu edhe më shumë atmosferën në stadium ku u tregua një qytetari e tillë që nuk të bën të kesh zili asnjë stadium ndërkombëtar. Ndeshja filloi e fortë që në minutën e parë, ku mendoi Nexhipi që të shënonte një gol që ju dha krahë të kuqve por çoroditi Tiranën që e panë veten të mundur brenda 12 minutash kur “pranuan” me pahir edhe golin e dytë e këtë radhë nga Mazrekaj. Me kaq dukej se u mbyll çdo gjë, pasi Partizani arriti ta menaxhonte ndeshjen me një gjakftohtësi të tillë saqë nuk i linte kohë Tiranës që të reagonte apo të shënonte në portën kundërshtare. Pjesa e dytë pastaj, ishte totalisht një menaxhim i situatës nga Partizani pasi edhe rastet për gol u ftohën dhe pamë vetëm një lojë ku u trguan vlerat më së shumti në mesfushë, e sidomos nga ana e Partizanit që e vunë me pahir në “gjumë” skuadrën e Tiranës, që për asnjë rast nuk u duk e aftë që të kalonte portierin Hoxha, për të shënuar qoftë edhe golin e nderit. Ashtu siç edhe u pa, interesimi për këtë ndeshje ishte i jashtëzakonshëm, duke e bërë këtë një nga ndeshjet më të ndjekura në stadium nga tifozët dhe në bazë të shifrave që u morën, bëhet fjalë për mbi 13 mijë tifozë që e kanë ndjekur këtë ndeshje nga shkallët e stadiumit. Pavarësisht se këtë javë janë luajtur edhe 4 takime të tjera, dashje pa dashje interesimi ka qenë i fokusuar tek Partizani-Tirana, jo thjeshtë për faktin se ishte një derbi, por edhe sepse luanin dy skuadra që rivalizonin drejtpërdrejtë për titull. Me këtë rezultat, Partizani i qëndron i vetëm në krye të renditjes ndërkohë që ndjekin nga pas Skënderbeu dhe Tirana, me këta të fundit që i largohen me katër pikë kreut të renditjes.

 Tifozët bëjnë “magji”, atmosferë mbresëlënëse në stadium

Tifozët ishin pjesa që nuk i munguan kësaj ndeshje, dhe që “luftën” e tyre e filluan që jashtë stadiumit, me të kuqtë që kishin vendosur në mënyrë komike të bënin si simbol të Tiranës një gomar, që ishte i mbuluar me flamurët e Tiranës, ndërkohë që më rëndë kishin vendosur të luanin tifozët e Tiranës që kishin shpallur “vdekjen” sportive të Partizanit, sigurisht në mënyrë simbolike, duke shfaqur një arkivol me flamurin e të kuqve, rrugës për në stadium. Ashtu siç edhe u pa, në brendësi të stadiumit, tifozët ishin të shumtë dhe të gjithë ën mbështetje të skuadrave përkatëse, diçka që e bëri ndeshjen edhe më të bukur për tu ndjekur.

 Fluturakja rikthehet, sulmi tek Duka

Gjatë takimit u vu re edhe një fakt tjetër interesant ku gjatë minutave të takimit u shpalosh në qiell një fluturake me një banderolë që shfaqte kreun e FSHF, Duka dhe kreun e UEFA, Platini duke u puthur, çka të lë të kuptosh se për tifozët të dy janë njëlloj të pëlqyer. Besohet që kjo gjë të jetë bërë nga tifozët e Tiranës që janë shumë të pakënaqur me Presidentin Duka pëpr shkak të dënimeve që kanë marrë, sa i përket disiplinës.

 Portieri Alban Hoxha vazhdon rekordin

Vazhdon ta mbajë rekordin edhe për 90 minuta të tjera portieri Alban Hoxha, që dje u pa edhe në rolin e kapitenit të skuadrës. Ky rekord u shtua edhe me 90 minuta të tjera, duke e dërguar në 1000 numrin e minutave pa pësuar, dhe përkatësisht ka 11 ndeshje që nuk pëson gol. Portieri Hoxha ka treguar se në praninë e tij, Partizani është shumë i sigurt dhe nuk pëson gol lehtësisht.

 Rekordet ndër vite

Ndeshjet – 140 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës në kupë dhe kampionat.
Bilanci – Partizani ka fituar plot 56 ndeshje, ndërsa Tirana ka vetëm 43 fitore. 42 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.
Golavarazhi – 199 gola ka shënuar skuadra e kuqe, përkundrejt 159 të bardhebluve.

Takimi i parë mes Tiranës dhe Partizanit është luajtur më 30 mars 1947. “Demat e kuq” fitonin 8-0, duke siguruar kështu edhe fitoren më të thellë deri tani në derbi.
Ndeshja me më shumë gola. Më 22 shtator 1985, Tirana do të mundte Partizani 7-3, në një ndeshje që mendohet edhe si “hakmarrja” e 8-0-s së Partizanit

Kategoria e Parë/ Tërbuni dhe Sopoti janë të “fortit” e grupeve

Kategoria e Parë po shpalos pak e nga pak pretendentet kryesore për këtë sezon, duke treguar më së miri se jo të gjitha parashikimet fillestare dalin, që nga skuadrat që mendoheshin në fillim si më të mira, dhe shiheshin si fituese e deri tek skuadrat që po i tregojnë vlerat e tyre me të drejta të plota. Në grupin A, Tërbuni po rivalizon çdo skuadër, duke treguar më së miri vlerat si ekip, ku akoma nuk ka pësuar asnjë humbje, duke u bërë kështu e vetmja skuadër që nuk i ka humbur tre pikë në një ndeshje. Sa i përket Besëlidhjes, humbja që pati me Mamurrasin e la pas në renditje, me dy pikë më pak se pukianët, duke e humbur kështu shansin për të qenë përsëri në krye. Por diferenca e pakët në pikë, sigurisht që ndikon që secila prej skuadrave të jetë shumë pranë renditjes përfundimtare në vendin e parë. Vendi e tretë në grupin A, e plotëson skuadra e Mamurrasit, që pati një nisje shumë të mirë por që nuk ia doli të ruante vazhdimësinë me disa rezultate jo të mira, por siç duket fitorja ndaj Besëlidhjes do të shërbejë për të mbajtur pozitat në favorin e saj, për të qenë gjithmonë sa më afër skuadrave të tjera për kreun e kampionatit. Nëse në grupin A janë vetëm tre skuadrat që rivalizojnë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për grupin B, që si favorite shihen skuadrat që nga vendi i 8-ë e sipër. Pozitën e parë e ka zënë me meritë Sopoti i Librazhdit, ku edhe pas kaq takimesh, është e vetmja skuadër që ia ka dalë të jetë konstante në të gjitha ndeshjet, pavarësisht ndonjë devijimi, humbje apo barazim qoftë. Ekipi që mendohej si favorit, Dinamo, nuk po ia del që të jetë faktor i vërtetë në këtë kampionat, ku përsëri e pa veten të mundur e kësaj radhe ndaj Pogradecit me një rezultat të thellë, 3-1. të gjitha skuadrat në këtë grup, janë skuadra që e kanë potencialin për të qenë fituese në fund të këtij turneu, dhe çdo gjë shihet më e vështirë në këtë grup, se në grupin A, ku tre të parat kanë hapur një hendek të madh në krahasim me të tjerat që ndjekin nga pas.

Liga e Kampioneve/ Ndeshje të mëdha për prestigj, kualifikimet janë vendosur

Këtë javë në Ligën e Kampioneve, pothuaj çdo “mister” është zgjidhur sa i përket kualifikimeve, ku asnjë nga skuadrat e mëdha nuk ka ngecur në klasë, dhe ku të gjitha do të kalojnë në fazën tjetër. Po të marrim grupin A, janë po dy skuadrat që e hapen këtë grup që do kujdesen sonte që edhe ta mbyllin po me aq spektakël. Juventus-Atl.Madrid luhet më së shumti për vendin e parë dhe të dytë të grupit, në mënyrë që të shmangin skuadrat e forta gjatë shortit dhe më e favorizuar sigurisht që janë torinezët që nuk do e lejojnë skuadrën madrilene të fitojë në fushën e tyre, në stadiumin e tyre. Ndeshja tjetër e këtij grupi është mes Olimpiakos dhe Malmos, me grekët që e humbën shansin e tyre në ndeshjen e shkuar ndaj Juventusit me atë humbje drastike në një nga ndeshjet më të bukura që ka prodhuar kjo fazë deri më tani. Në grupin B situata është pak më ndryshe, ku do provojnë shanset e tyre si Liverpuli ashtu edhe Bazeli, kur kanë vetëm 2 pikë më shumë zviceranët sesa anglezët. Ky është shansi i fundit për të dyja, por përsëri më të avantazhuar duken zviceranët që po tregojnë një formë shumë të mirë në kampionat, sidomos futbollistët shqiptarë. Ndeshja tjetër, Real Madrid-Ludogorets, do të jetë vetëm sa për statistika, ku nuk ka asnjë vlerë sa i përket kualifikimit të secilës, me Realin që ka kohë që është kualifikuar dhe bullgarët që nuk luajnë për asgjë më shumë sesa për të shijuar nujë ndeshje në “Santiago Bernabeu”. Në grupin C luajnë edhe këtu vetëm për statistika sa i përket Ligës së Kampioneve, me Leverkusenin dhe Monakon që ia kanë dalë të jenë skuadrat e kualifikuara dhe Zeniti dhe Benfica luajnë vetëm për Ligën e Europës. Në grupin D nuk ndryshon as këtu situata, ku si Dortmund ashtu edhe Arsenal kanë prerë biletën për në fazën tjetër, duke treguar kështu forcën e tyre, pavarësisht se në kampionat nuk ia kanë dalë të jenë faktorë kryesor. Aktualisht në të gjitha grupet janë “mbushur” vendet që do të jenë pjesëmarrëse në fazën tjetër, por ka akoma shumë për tu thënë sa i përket kualifikimit si e tretë, çka do të thotë edhe një kalim direkt në fazën e grupeve të turneut tjetër më të fortë të futbollit sa i përket nivelit të klubeve, Liga e Europës.

Ndeshjet e sotme

Grupi A

Juventus-Atl. Madrid

Olimpiakos-Malmo

Grupi B

Liverpul-Bazel

Real Madrid-Ludogorets

Grupi C

Benfika-Bajer Leverkusen

Monako-Zenit

Grupi D

Dortmund-Anderleht

Gallatasarai-Arsenal