Partizani “kryefjala” e javës, po “kallëzuesi” ku është?!

800
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Largimi i trajnerit Starova, po nxjerr të tjera lajme të akumuluara, kërkohet një teknik kroat
Me largimin e Starovës si trajner, nga dita e diel, Partizani është bërë “kryefjala” mediatike, por asnjëherë nuk është thënë se cili është “kallëzuesi”, që nënkupton shkaktarët e kësaj situate. Në këtë sezon futbollistik, 2017-2018, bankina e Partizanit në Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar të jep përshtypjen e një “mine me sahat”, ndaj kushdo që vjen në krye të ekipit, më shumë duhet të mendojë për kohën e largimit të tij, se sa për vazhdimësinë. Largimi i Starovës është menduar prej kohësh, gjë të cilën e vërtetojnë insistimet e drejtuesve për të sjellë një ekspert të ri në drejtim. Burime brenda klubit të kuq, dje kanë pohuar se drejtuesit kanë qenë në bisedime gjatë merkatos së dimrit me një trajner të njohur kroat, por ende nuk kanë arritur ta bindin. Madje, bisedimet mes tyre kanë mbetur të hapura, dhe nëse ai do bindet për projektin e ri, mund të afrohet menjëherë, që të njihet me skuadrën e sezonit të ri. Ndërsa Klevis Dalipi mbetet si një “gomone” emergjence dhe, nëse në drejtimin e tij gjatë 13 javëve të mbetura të sezonit, situata do të përmirësohet, ndoshta mund të jetë ai afatgjati në stolin e Partizanit. Dhe largimi i Starovës ka sjellë disa ndryshime nga Dalipi, i cili do t’u japë më shumë hapësira futbollistëve që kanë ardhur në këtë skuadër gjatë merkatos së dimrit, kryesisht për dyshen sulmuese Lukas-Abdurrahimi. Kësisoj, ndonjë nga të besuarit e Starovës mund ta provojë menjëherë stolin, gjë që është kërkuar të ndodhë më shpejt. Ndryshimi më i dukshëm me Dalipin në komandë pritet të ndodhë në vijën sulmuese, por nuk përjashtohen edhe riparime në mbrojtje, kjo varet edhe nga rikthimi i Fejzullahut dhe dhënia e besimit për elementët e rinj, që klubi kërkon t’i promovojë dhe të përfitojë nga shitja e tyre në tregun e huaj. Klevis Dalipi nuk do ta ketë të plotë grupin, në sfidën ndaj skuadrës më në formë të momentit, Luftëtarit. Në stërvitjen e ditës së djeshme të zhvilluar në Kamëz, është bashkuar me grupin e skuadrës Edgar Çani, i cili ka zhvilluar stërvitjen të plotë, ndërsa portieri Alban Hoxha nuk u stërvit për shkak të një dëmtimi. Por kjo nuk do ta pengojë për të qenë titullar të shtunën, në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Luftëtarit.

Ndeshjet-Java e 24-t
E shtunë, 10 mars 2018
Kukësi-Teuta 14:00
Laçi-Flamurtari 14:00
Kamza-Vllaznia 14:00
Partizani-Luftëtari 17:00
Skënderbeu-Lushnja 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 23 53
2. Kukësi 23 39
3. Flamurtari 23 36
4. Luftëtari 23 34
5. Laçi 23 33
6. Partizani 23 32
7. Kamza 23 32
8. Vllaznia 23 25
9. Teuta 23 22
10. Lushnja 23 10
Sigal