Partizani i “tradhtuar”, apo drejtim pa busull?

467
Sigal

Sot mbyllet fleta 33-të e Kampionatit të 75-të Kombëtar të futbollit, të kuqtë “andrrojnë” sezonin

Sot, topkëmba Superiore do të ndalë frymën, pikërisht në ora 19:30 kur të mbyllen 5 ndeshjet e javës së 33-të dhe të fundit për këtë Kampionat të 75-të të historisë së saj. I nisur që nga 31 gushti i vitit të kaluar, e deri sot më 10 maj 2014, futbolli superior shqiptar me 12 skuadra në përbërje, ka luajtur 192 ndeshjet kalendarike, ku 10 prej tyre, për shkak të vendimeve të trupave gjykuese në FSHF, nuk i kanë luajtur 90 minutat në fushë, duke qenë ndeshje të fituara në tavolinë. Në këto ndeshje, deri më sot pa javën e 33-të, janë shënuar 427 gola nga 136 futbollistë, ku 26 prej tyre janë futbollistë të huaj, 26 gola janë shënuar nga penalltia, 2 janë autogola dhe 30 gola janë nga tavolina. Përpos këtyre shifrave që e sjellin javën e sotme më afër në këto radhë modeste të gazetës “Telegraf”, që nga ana e tyre tregojnë rritje të treguesve kryesorë të futbollit tonë, ka edhe të tjera “skupe”, të cilat të shpallur apo të pa shpallur, nuk e kanë ndalur asnjëherë rrotullimin zyrtar të topit në fushën e lojës. Kështu, veç Bylisit të “përzënë” nga Superiorja 9 javë më parë, është Partizani ai që kërkon të sjellë blofin e radhës në mbyllje të aktit të tretë të Kampionatit të 75-të Kombëtar, si për të lënë shenjën e “zezë” në përpëlitjen dështake drejt Evropës. Pa përjashtuar festën që sot në Korçë do të jetë në përmasat e një spektakli madhështor para dhe pas takimit Skënderbeu-Laçi, gishti tregues shkon tek skuadra e kuqe e Partizanit, pasi me ato që kanë ndodhur në 10 ditët e majit në “sarajet” e saj, po tregojnë brishtësinë e kësaj skuadre të madhe pas rikthimit në elitë. Themi brishtësinë, sepse për mënyrën se si është menaxhuar kjo skuadër që nga muaji gusht 2013 kur edhe u rikthye në Kategorinë Superiore, e deri më sot në 10 maj 2014 që kampionati ul siparin e tij, aty kanë ndodhur largime presidentësh, 2 dorëheqje trajnerësh, dënime e pezullime disiplinore të brendshme për disa futbollistë, e në fund, 4 pezullime me diçiturën “… të padëshiruar…”! Është e natyrshme që në një skuadër historikisht të madhe dhe protagoniste në vendet e kreut të renditjes, të ndodhin problematika që e shoqërojnë në koncept lojën e futbollit, por kur këto dalin në shesh atëherë kur nuk arrin synimin, pikërisht në finish, dukshëm kuptohet se “vullkani” paska zierë nga brenda. Vërtet Partizani është krijuar në vitin 1946 si skuadra ushtarake që përfaqësonte Ministrinë e Mbrojtjes, pasi këtë e kishin shumë shtete të Evropës Lindore post-komuniste, por që të përjashtosh një titullar se foli më zë të lartë në mensë, apo se zuri në gojë Murinjon e na u zemërua “biri i tij” në Shqipëri, trajneri misterioz Sampaio, këto janë produkte që nuk duhet të kenë lidhje me një skuadër si Partizani. Ka edhe më shumë se kaq, ku në këtë javë të 33-të të Partizanit mysafir në Lushnje, ambientin e kuq e trondit edhe deklarata e djeshme e drejtorit të klubit, teksa në një media sportive citohet me titullin: “Merkaton s’e kam bërë unë, “drejtor” ka qenë Sampaio”. Dhe kemi të drejtë të mendojmë që në titullin e këtij shkrimi se: Partizani paska qenë i shpërbërë, apo ka pasur një drejtim pa busull?! Të rrojë Sampaio që na paska bërë ligjin, një anonim, një njeri grindavec dhe delirant i pamerituar për bankinën e këtij Partizani të madh, që na paska pasur kaq autoritet të shoqëruar me “pretenca” të pakuptimta për objektin dhe mënyrën e dhënies, ka krijuar “lista të zeza” të cilat javë pas jave e zbritën Partizanin nga vendi i 2-të në renditje, në vendin e 5-të. E nëse Partizani nuk do të kapë një vend në Europë për këtë sezon, duhet “shkundur” stafi në vertikalen e tij. Nga Lika që e la drejtimin e skuadrës në javën e 16-të me vendin e 2-të në renditje, e deri te Sampaio në bankinë për 18 javë, Partizani ka bërë zbritje. Përvoja me Samapion teknikisht adoleshent për një bankinë të madhe si Partizani, i kushton sezonin. Faji këtu nuk duket se është jetim, por Sampaio “pastë uratën”, ndërkohë që nga ky këndvështrim ndoshta do të duhet që strategjia për sezonin tjetër të ketë kursin e duhur, jo drejtim pa busull. Kjo mbyllje nuk i takonte Partizanit të sivjetëm.

Box:

Sezoni i ardhshëm me 10 ekipe

Sezoni i ardhshëm në Kategorinë Superiore do të jetë me 10 skuadra, ndërsa në Kategorinë e Parë do të jenë dy grupe me nga 10 skuadra. Nëse këtë edicion janë 33 javë kampionat, sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore do të jenë plot 36 javë, me skuadrat që do të ndeshen plot 4 herë brenda një sezoni. Ndërkohë në Kategorinë e Parë do të zhvillohen tre faza me 27 ndeshje, teksa dy të parat e çdo grupi do të kalojnë më tej.

Laçi, Teuta e Partizani luftojnë për biletat e fundit, që të çojnë në Ligën e Europës

Skenarë dramatike për Europën

Në luftën për një apo dhe dy biletat e fundit në Ligën e Europës – kjo në varësi të përfundimit të finales së Kupës së Shqipërisë midis Kukësit dhe Flamurtarit, janë tre skuadra: Laçi (vendi i tretë, 51 pikë), Teuta (vendi i katërt, 51 pikë) dhe Partizani (vendi i pestë, 50 pikë). Me renditjen aktuale, pra nëse Kupën e fiton Kukësi në Europë kalojnë Laçi e Teuta. Në rast se, Kupën e fiton Flamurtari në Europë shkon vetëm vendi i tretë, pra Laçi, ndërsa digjen Teuta e Partizani. Në javën e fundit, Partizani luan kundër Lushnjës së rënë nga Kategoria; Laçi në Korçë kundër Skënderbeut (kampion i zyrtarizuar), ndërsa Teuta do të luajë në Shkodër kundër Vllaznisë, me shkodranët që ende nuk e kanë zyrtarizuar qëndrimin në Superligë. Partizani duhet të fitojë, që të shkojnë në Europë, kjo e shoqëruar edhe me humbjen e dy skuadrave rivale. Gjithsesi, një përfundim i qartë do të dalë pas finales së Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më 17 maj.

“Finalet” e mbijetesës

Akti i fundit i Kampionatit të 75-të Kategorisë Superiore ofron dy “finale” mbijetesë në Shkodër dhe Tiranë. Vllaznia do të presë Teutën, ndërsa Tirana do të luajë kundër Besës, që mund të mbërrijë në “Qemal Stafa” me një formacion të rinjsh, pasi lojtarët titullarë thuajse e kanë braktisur skuadrën dhe skuadra e trajneri Artan Mërgjyshi duken totalisht të dorëzuar. Besa do të jetë ekipi i katërt që do të shoqërojë Bylisin, Lushnjën e Kastriotin drejt Kategorisë së Parë gjatë sezonit të ardhshëm. Shkodranët kanë tri pikë më shumë se kavajasit dhe kanë një avantazh “material”, pasi u mjafton vetëm barazimi ndaj durrsakëve për të shpëtuar. Skuadra e Kastriotit nuk duket aspak e impenjuar para javës së fundit të kampionatit me Flamurtarin, dhe vlonjatëve u mjafton edhe barazimi.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA E 33-të

Sot, 17:30

Skënderbeu-Laçi

Lushnja-Partizani

Vllaznia-Teuta

Tirana-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Bylisi-Kukësi (0-3*)

* Fitore në tavolinë

RENDITJA

1 Skënderbeu      61   (+21)

2 Kukësi             54   (+9)

3 Laçi           51   (+12)

4 Teuta         51   (+9)

5 Partizani    50   (+5)

6 Tirana       47   (+2)

7 Vllaznia           45   (+8)

8 Flamurtari 45   (+3)

9 Besa          42   (+5)

10 Kastrioti  29   (-18)

11 Lushnja          26   (-25)

12 Bylis       24   (-31)

Elbasani, kampioni i Kategorisë së Parë

Elbasani do ta festojë rikthimin në Kategorinë e Parë, edhe me statusin e kampionit të këtij kompeticioni. Verdheblutë, të cilët do të përballen sot me Dinamon, kanë katër pikë më shumë se Apolonia e vendit të dytë. Një sukses i merituar i trajnerit Ilirjan File dhe i Presidentit, Arben Laze. Edhe Apolonia e Fierit u rikthye në Kategorinë e Parë pas një viti mungesë. Djemtë e Demirit bënë detyrën, edhe pse nuk arritën të fitonin titullin. Apolonia do të luajë sot me Luftëtarin, në një ndeshje me ngjyra festive në stadiumin e rikonstruktuar “Loni Papuçiu”.

Dinamo, zhgënjimi i madh

Në një kampionat me 16 skuadra dhe me emra jo të parëndësishëm, lufta sportive padyshim që pritej e fortë. Skuadrat që kanë zhgënjyer janë padyshim Dinamo, Shkumbini dhe Luftëtari i Gjirokastrës. Dinamo luan prej dy sezonesh në Kategorinë e Parë dhe do ta bëjë edhe edicionin e ardhshëm.

Kategoria e Parë

Java e 30-të

Sot, 17:00

Dinamo-Elbasani

Kamza-Tërbuni

Apolonia-Luftëtari

Pogradeci-Shkumbini

Mamurrasi-Ada

Himara-Burreli

Albpetrol-Tomori

Veleçiku-Butrinti

RENDITJA

1 Elbasani           59 (+14)

2 Apolonia   55 (+23)

3 Tërbuni            49 (+16)

4 Butrinti            44 (+13)

5 Tomori             41 (-8)

6 Shkumbini       40 (+0)

7 Burreli             39 (-2)

8 Pogradeci  39 (+1)

9 Dinamo            38 (+1)

10 Luftëtari  37 (-4)

11 Adi          37 (-9)

12 Veleçiku 34 (-8)

13 Kamza           34 (-15)

14 Himara           33 (-3)

15 Mamurrasi     33 (-4)

16 Albpetrol 24 (-15)